Një nga gazetat më të njohura në botë, Financial Times shkruan se OSBE është zhytur në krizë, pasi ka ngelur pa timon.
Ironia është se OSBE drejtohet sivjet nga Shqipëria, e cila vetë është në një krizë, kurse kryetari i OSBE, Edi Rama, është mësuar të marrë timonin, por ta lërë makinën pa drejtim.
“Organizata më e madhe ndërkombëtare e sigurisë në botë është në krizë pasi përplasjet kanë provokuar largimin e ekipit drejtes, duke ngjallur frikë se vakuumi i pushtetit mund të pengojë punën jetike në zonat e konfliktit,” shkruan gazeta.
“Mandati i OSBE përfshin parandalimin e konflikteve dhe menaxhimin e krizave, si dhe mbështetjen e standardeve demokratike dhe të drejtave të njeriut. Misionet e saj veprojnë si sytë dhe veshët e komunitetit ndërkombëtar në disa pika problematike siç janë Ukraina lindore, enklava e Nagorni-Karabakut, shteti i shkëputur i Transnistrias, vëzhgimin e zgjedhjeve dhe projekte më të gjera në rajonin mes Europës dhe Azisë”, vijon gazeta.
Sipas saj, tani i bie Tiranës që të zgjidhë krizën, kur ministrat e Jashtëm të OSBE të mblidhen në Tiranë në dhjetor.
Gent Cakaj, ministër i Jashtëm në detyrë në Shqipëri tha se kriza është shenjë e problemit të multilaterizmit.
Po çfarë ka ndodhur?
Shqipëria kishte lobuar për të zgjatur mandatet e Sekretarit të Përgjithshëm, Thomas Greminger dhe të Komisionerit për Minoritetet, Lamberto Zanier; Drejtorit të ODIHR, Ingibjorg Gisladottir dhe të Komisionerit për Lirinë e Medias, Harlem Desir. Por një grup vendesh kundërshtuan zgjatjen e mandatit për Thomas Greminger dhe Lamberto Zannier. Mes tyre Franca, Kanadaja, Norvegjia, Islanda dhe Armenia.
Kurse Azerbajxhani dhe Taxhikistani kundërshtuan zgjatjen e mandatit për Harlem Desir. Ndërsa Turqia dhe Taxhikistani rezistuan për mandatin e Ingibjorg Gisladottir. Negociatat e Shqipërisë për të arritur një konsensus për situatën dështuan.
Ish-kryeministri Sali Berisha shkruan se Edi Rama si drejtues i OSBE nuk u pranua për vizitë nga homologët e disa vendeve.
Ai përmend raportin sekret të OSBE për Ramën, që e akuzon se ka një pasuri të paligjshme prej 200 milionë dollarësh.