Nga Floida Kërpaçi:
Sado të tentojnë, koha u ka mbaruar!
Zvarritjet në përfundimin e Reformës Zgjedhore po ndikojnë negativisht në besimin e rinisë te Shqipëria. Sepse një vend qe nuk realizon dot një ligj (qoftë kjo edhe reformë) pa plotësuar më parë tekat apo interesat e njerëzve në pushtet, nuk ka çfarë besimi ti ofrojë një të riu për nevojat më themelore të brezit si arsimimi, punësimi, jeta sociale, etj.
Është e qartë për këdo se nisma për ndryshimet kushtetuese që mbiu si bari i keq për ti hequr vitalitetin e synuar reformës zgjedhore, ka të bëjë me frikën e kryeministrit dhe jo me synimin fillestar të saj: Zgjedhje të lira e të ndershme ku fituesit përcaktohen VETËM nga vullneti i qytetarit.
Propozimi i opozitës së bashkuar për hapjen 100% të listave në mënyrë që votuesi të zgjedhë jo vetëm partinë por dhe deputetin/en që preferon ta përfaqësojë, është lehtësisht i realizueshëm, ështe shumë i vonuar dhe pa humbur kohë duhet të garantohet, me shpresën se arroganca mbytëse që shohim sot prej politikës do të pësojë ulje drastike dhe niveli i politikëbërjes rritje cilësie të ndjeshme.
Shqipëria po përballet me krizën më të rëndë ekonomike ku mijëra qytetarë po humbasin punën çdo javë duke mbetur në pamundësi për të mbajtur veten dhe familjen; gjithashtu dhe me krizën shumë të rëndë shëndetësore prej pandemisë covid19 që e ka gjetur sistemin shëndetësor të papërgatitur dhe pa strategji efektive.
Të rinjtë presin mundësinë që me votë të zgjedhin drejtpërdrejtë dhe që politika më pas të adresojë problemet e tyre dhe jo të mbesë peng, si tani, i interesave vetjake dhe lojërave të pushtetit.