Investigimi i BIRN:Koncesioni mbyll laboratorin e QSUT, u certifikua dy javë më parë për COVID-19. Largohen nga puna dhjetëra pjesëtarë të stafit mjekësor

E Enjte, 30 July 2020 12:06

 

Më 17 korrik, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirlliu, e shoqëruar nga shefi i laboratorit të mikrobiologjisë, Andi Koraqi dhe Silva Bino, shefe e laboratorit të referencës në ISHP, inspektoi laboratorin e QSUT dhe ndau lajmin se tashmë edhe në këtë laborator mund të kryheshin testet në ‘Real Time PCR’ për identifikimin e SARS-CoV-2.

“Me hapjen e këtij laboratori të dytë, krijojmë baza të mira për të rritur dhe për të zhvilluar testimin, i cili në fakt do të vijojë të ketë një objektiv kyç: gjurmimin e rasteve dhe izolimin e tyre,” deklaroi Manastirliu.

Manastirliu theksoi se Ministria e Shëndetësisë e ka pasur qëllim primar testimin, gjurmimin, izolimin dhe mundësinë e kufizimit dhe ndërprerjes së zinxhirit të infeksionit.

“Ky laborator i certifikuar, siç e premtuam, do të rrisë kapacitetet e testimit dhe për t’iu përgjigjur strategjisë së testimit të realizuar me ekspertizën e Komitetit Teknik të Ekspertëve,” shtoi ajo.

Por as dy javë pas kësaj deklarate, Manastirliu ka urdhëruar që ky laborator të mbyllet.Vendimi është marrë pas kërkesës së koncesionarit, i cili ka fituar të drejtën që për 10 vitet e ardhshme të bëhet pronar i të gjithë laboratorëve dhe setit të analizave që do të kryejnë shqiptarët nëpër spitalet publike me një vlerë prej 95 milionë euro.

Në kulmin e pandemisë dhe pas certifikimit për kryerjen e testimeve molekulare për identifikimin e SARS-CoV-2 laboratorit të Imunologjisë në QSUT do t’i vihet kyçi, ndërsa stafi prej 73 personel mjekësor pritet të pushohet nga puna.

Shefi i laboratorit të Imunologjisë, Andi Koraqi, refuzoi të jepte një sqarim për BIRN qoftë në telefon, qoftë në e-mail.

 

“Nuk jap sqarime as në telefon dhe as në e-mail, jap sqarime vetëm nëse lini një takim dhe vini në QSUT”, deklaroi Koraqi.

Thuajse të njëjtën përgjigje morëm edhe nga zyra e shtypit në QSUT.

“Për të marrë një përgjigje se çfarë do të ndodhë me stafin e laboratorit dhe nëse do të vazhdojë të kryejë analizat e COVID-19 apo jo duhet të drejtoheni me kërkesë zyrtare ose tek burimet njerëzore, ose tek shefi I laboratorit,” theksoi zyrat e shtypit.

Kontrata koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes” u firmos në 24 prill 2019 nga zv.kryeministri Erion Braçe, në mungesë dhe me porosi të kryeministrit Edi Rama.

Koncesioni i laboratorëve u fitua në prill 2017 nga konsorciumi i tre kompanive; Labopharma sh.p.k me 41.7%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium.

 

Sipas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një nga çështjet kryesore të vlerësuara si me mangësi në studimin e fizibilitetit të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë për koncesionin e laboratorëve janë edhe kostot e personelit të cilat vlerësohen të tepërta si rrjedhojë e pajisjeve të vjetërsuara që përdoren.

“Burimet njerëzore të shërbimit laboratorik publik përfshijnë rreth 504 punonjës në 18 laboratorë, ndërkohë që ky numër pritet të reduktohet në rreth 390 punonjës sipas propozimit të studimit të fizibilitetit, me kategorinë më të prekur të shkurtimeve në mjekët e laboratorit,” shprehet KLSH.

Edhe pse në situatën e re të krijuar nga pandemia e koronavirusit të ri stafi i mjekëve dhe laborantët në QSUT iu nënshtruan gjatë javëve të fundit trajnimeve për relalizimin e analizave për SARS-CoV-2 , gjatë ditës së martë në ambientet e brendshme të këtij institucioni është afishuar një njoftim sipas të cilit tashmë laboratori do të kalojë në pronësi të koncensionarit.

“…Mbylljen e strukturave laboratorike ekzistuese në QSUT: Laboratorit Imunologjik, laboratorit klinik biokimik, laboratorit mikrobiologjik për shkak të të drejtave të koncensionarit”, thuhet në njoftimin e afishuar në ambientet e brendshme të këtij laboratori.

 

Si pasojë edhe stafi mjekësor nuk do të jetë më nga QSUT por i kompanisë koncensionare, ndaj edhe me sa duket do të ketë largime nga puna, pavarësisht se ata janë të specializuar dhe të trajnuar.

Në njoftimin e afishuar në QSUT thuhet se largimet nga puna do të njoftohen para fundit të muajit gusht.

“Pushimin nga puna të 73 punonjësve në shërbimin e Laboratorit Imunologjik, shërbimin e laboratorit klinik biokimik si dhe në shërbimin e laboratorit mikrobiologjik, aktualisht të emëruar në pozicionet: “Mjek”, “Kryelaborant”, “Biolog”, “Laborant”, “Infermier” dhe “kujdestar kafshësh”, thuhet në këtë njoftim, ndërkohë që është lënë mundësi këshillimi deri me datë 28 gusht.

Por vetë personeli që preket nga ky vendim pretendon se nuk janë sqaruar se çfarë do të ndodhë konkretisht me ta, ndërkohë që ata janë të punësuar prej vitesh nga QSUT dhe kontratën e punës e kanë pikërisht me këtë institucion.

“Ne ende nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me ne, është vënë një njoftim tek dera dhe kaq…na kanë thënë që do të na ndërpresin kontratën me shtetin dhe do të na lidhin kontrata me koncensionarin, një shoqëri greke “Pegasus”, por ndërkohë në njoftim thuhet se stafi do të pushohet nga puna…ne duam të dimë se çfarë do të ndodhë me ne,” tha një pjesëtar i stafit mjekësor të këtij laboratori, por që nuk preferoi të identifikohet.

Mjekët e laboratorit shprehen se ‘absurdi’ qëndron edhe në faktin se pasi u trajnuan për një kohë të gjatë për kryerjen e analizave për COVID-19, tashmë duan të heqin nga puna pikërisht një pjesë të konsiderueshme të këtij stafi.

 

“Me sa dimë në privatë nuk lejohet që të bëjnë testimet për COVID-19, nëse ky laborator i kalon koncensionarit çfarë do të ndodhë me ne,” pyet njëri prej anëtarëve të stafit mjekësor. “Ne u trajnuam për një kohë të gjatë për këtë gjë dhe sapo filluam të merreshim me këtë pjesë, tani duan të na heqin nga puna,” shtoi mjeku i shqetësuar.

Tritan Shehu, ish-ministër i Shëndetësisë dhe deputet i opozitës, thotë se kjo që po ndodh ishte e pritshme por e sheh si gabimin fatal dhënien me koncension të laboratorëve e QSUT-së.

“E kishim paralajmëruar që do të prekej stafi sapo ta merrte koncensionari dhe kjo që po bëhet me laboratorët e QSUT është e pafalshme,” tha ai.

“Laboratorët e QSUT nuk janë thjesht laboratorë, janë institucione të kërkimit shkencor, mund të aplikojnë sisteme të reja, nuk kanë një set analizash standard, por mund të merren edhe me inovacione, pra janë një pasuri kombëtare dhe këtë pasuri nuk mund ta lësh në dorë të privatit,” përfundoi Shehu./BIRN

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...