Deklarata e PPE, Paloka reagon ndaj Spiropalit: Turp që e trajtoni mikun gjerman si armik vetëm se tha të vërtetën

Premte, 31 July 2020 14:38

Nënnkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka i është kthyer ashpër zëdhënëses së Edi Ramës, Elisa Spiropalit për sulmin e saj ndaj zëdhënësit për Punët e Jashtme i Partive Popullore Europiane, Michael Gahler. Paloka deklaron se sulmi i qeverisë ndaj zëdhënësit të Partisë Popullore Europiane, Michael Gahler, është një turp për Edi Ramën.

Reagimi i Palokës

Sulmi i qeverisë ndaj zëdhënësit të Partisë Popullore Europiane, Michael Gahler, është një turp për Edi Ramën. Michael Gahler është një mik shumë i mirë i Shqipërisë. Është një nga shumë miqtë e PPE-së në Parlamentin Europian, i cili ka ndihmuar Shqipërinë në rrugën e integrimit, sa herë ka pasur nevojë. Këtë rrugë Edi Rama po e bën shumë të vështirë, e ka bllokuar prej gati 7 vjetësh, vetëm për interesin personal.

Është e pandershme që qeveria ta trajtojë mikun gjerman si armik, vetëm pse Michael Gahler tha të vërtetën:

Me ndryshimet e njëanshme kushtetuese marrëveshja e arritur me opozitën u zhbë, partnerët nga BE dhe vendet anëtare nuk u dëgjuan, rregullat e lojës për zgjedhje u ndryshuan në mënyrë të njëanshme.

Fyes për shqiptarët është të mashtrosh partnerët, është t’u premtosh marrëveshje dhe pastaj ta grisësh atë.

Tradhti ndaj interesave të shqiptarëve është të shpërfillësh paralajmërimet e Bashkimit Europian dhe të izolosh vendin.

Fyes dhe kriminal është përdorimi i disa deputetëve pa mandat si fasadë për llogaritë e Ramës kundër interesit të shqiptarëve.

Dhe një sqarim të fundit vetëm për “nafijen e partisë”, Elisa Spiropalin. Kur Edi Rama të të sjellë gati tekstin e sulmit për ndonjë mik tjetër të Shqipërisë, kërkoji foton e saktë. Ky që të kanë dhënë, nuk është Michael Gahler.

Modifikuar më Premte, 31 July 2020 14:47
Login to post comments