Radhët kilometrike në kufirin shqiptar me Greqinë morën fund në agimin e ditës së hënë, pasi pala greke punoi edhe pas orës 22 të mbrëmjes, kur ishte njoftuar bllokimi i kufirit.
Rreth 1650 automjete dhe mbi 3300 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj arritën të hynin në tokën greke në harkun e rreth 20 orëve, pas disa ditë pritjeje në kufirin shqiptar, në temperatura mjaft të larta.
Dyndja e udhëtarëve drejt Greqisë, kryesisht emigrantë shqiptarë, por edhe shtetas grekë dhe të huaj, pasoi njoftimin e autoriteteve greke për masa shtrënguese në kufijtë me Shqipërinë.
Masat u vunë në zbatim në orën 06 të mëngjesit të së hënës dhe nga sot në vendkalimin e Kakavijës lejohet të hyjnë në Greqi vetëm 750 persona dhe nga pika e Kapshticës 300 persona, ndërsa tre pikëkalime të tjera në kufirin greko -shqiptar janë mbyllur nga pala greke.
Nga e hëna personat që udhëtojnë drejt Greqisë duhet të kenë edhe analizën për COVID 19 të kryer në Shqipëri të paktën 72 orë para udhëtimit.
Prej katër ditësh, kriza e radhëve të gjata në kufirin shqiptaro – grek, e pandeshur në këto përmasa 30 vitet e fundit, nxiti reagimin e emigrantëve shqiptarë të cilët kërkuan që Greqia dhe Shqipëria të ndërmjetësonin që lëvizja të normalizohej.
Një fëmijë 10 vjeçar shqiptar humbi jetën në radhët kilometrike pasi u godit nga një autoambulancë, ndërkohë që ndërhyrja e emergjencave shqiptare dhe forcave të ushtrisë shmangu një krizë humanitare në kufi./VOA