(VIDEO)/Ndryshimet Kushtetuese pa firmën e Metës/ Çfarë pritet të ndodhë pas 26 gushtit

Hënë, 24 August 2020 18:23

Ndryshimet kushtetuese aq shumë të debatuara mes Partisë Socialiste, Opozitës së Bashkuar dhe opozitës parlamentare, dhe në fund të votuara nga parlamenti në datën 30 korrik, de fakto kanë hyrë në fuqi, teksa pritet data 26 gusht, ditë kur botohen në fletoren zyrtare

 
 
 

Presidenti Ilir Meta ka vendosur të mos e hedhë firmën e tij mbi ndryshimet kushtetuese, por në heshtje ka lënë hyrjen në fuqi të Kushtetutes së Re.

Pavarësisht kundërshtive të forta që Kreu i Shtetit ka ndaj ndryshimeve që lejuan hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore, Ilir Metën nuk e lejon Kushtetuta të kthejë për rishqyrtim ndryshimet në aktin themeltar të shtetit, ndaj ai ka zgjedhur që t’i kalojë në heshtje.

Është pikërisht neni 177 i Kushtetutës që sanksionon se Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës.

Sipas Presidentit, çdo ndryshim që bëhet në Kushtetute duhet të vijë nëpërmjet dialogut, dhe jo në mënyrë të njëanashme, sic bëri sipas tij maxhoranca e kryesuar nga Edi Rama.

Për ndryshimet kushtetuese të miratuara në 30 korrik nuk u dakordësuan me Opoziten e Bashkuar, por përmes një marrëveshje të firmosur me opozitën parlamentare dhe u miratuan me 106 vota pro. Opozita e bashkuar ka paralajmëruar se nuk i njeh këto ndryshime, sepse sipas tyre, ato hedhin ne ere marrëveshjen e 5 qershorit.

Burime pranë Opozitës së Bashkuar, i thanë gazetarit të News24, Osman Stafa, se hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve hap mjaft çështje për të diskutuar, dhe që duhet të adresohen në mënyrë sa më të shpejtë. Këto çështje lidhen me fletën e votimit, për mënyrën e numërimit, a do të ndryshojë formula zgjedhore për ndarjen e mandateve, sa do të jetë pragu zgjedhor, a do të kemi lista të hapura 100% apo do të ketë një formulë tjetër, a do të ndryshoje numri i zonave zgjedhore?

Ndërhyrjet në Kushtetutë parashikojnë hapje të listave elektorale në së paku 2/3, por ndalojnë koalicionet parazgjedhore siç i kemi sot, çka është kundërshtuar nga opozita e bashkuar, duke e cilësuar si votat që zhbënë marrëveshjen e dakordësuar mes palëve në 5 qershor.

Nga ana tjetër, po sipas burimeve pranë Opozitës së Bashkuar, KQZ e re duhet të ngrihet sa më shpejt, në mënyrë që t’i jepet kohë nënkomisoinerit që do të vijë nga radhët e opozitarëve, për të implementuar teknologjinë në zgjedhje. Opozita vlereson se nëse kjo nuk realizohet, atëherë mundësia që në zgjedhjet e ardhshme të ketë kontestime për shit-blerje e manipulime do të jetë mjaft e madhe.

Modifikuar më Hënë, 24 August 2020 18:24
Login to post comments