Largimet masive nga vendi/ Këlliçi: Në 7 vite janë promovuar persona me rekorde kriminale, jo të rinjtë

Hënë, 24 August 2020 20:49

Ke rininë, ke të ardhmen”, kështu do të mendonte kushdo, nëse i referohej shifrave të dikurshme për popullsinë me moshën mesatare ndër më të rejat në rajon.

Por, trendet po lëvizin me dinamikë të përfillshme për t’u përmendur dhe rininë nuk po e mbajmë dot.

 
 

Nga 34.7 vjeç, mosha mesatare që na rezultonte në vitin 2018, sipas një skenari normal, pa rritje të emigracionit dhe rënie të lindjeve, mosha mesatare e popullsisë Shqipërisë sipas projeksioneve të OKB-së shkon në vitin 2050 në 50,1 vjeç dhe në vitin 2100 arrin 61 vjeç.

 
 
 

Të dhënave të OKB-së ua shton tonet pesimiste raporti i fundit i kompanisë amerikane për analiza, Gallup, ku Shqipëria listohet ndër vendet me largimin më të madh të trurit në rajon. 1 në 3 të rinj duan të largohen dhe një në tre të larguar nga vendi rezulton të jetë i ri.

 
 

Kryetari i forumit rinor të PD-së, Belind Këlliçi, ishte i ftuar në A2 ku foli për këtë problem.

Mes shumë arsyesh, Këlliçi u shpreh se kryesorja që ka ndikuar në largimin e të rinjve në 7 vitet e fundit është mungesa e promovimit.

“Shifrat janë tronditëse sipas të dhënave të OKB, por edhe sipas analizave të Gallup. Për fat të keq, ne renditemi me vende që janë në katastrofa natyrore apo në konflikte të tjera. Raporti na rendit në vendin e dytë për humbjen e të rinjve që janë ekselent. Kjo është një shifër alarmante. Kjo vjen për shkak të shumë rrethanave, por kryeson papunësia, mungesa e sigurisë, e shtetit të së drejtës. Arsyeja kryesore është se të rinjtë nuk kanë pasur mundësi të promovohen, të paktën në 7 vitet e fundit. Gjatë këtyre viteve janë promovuar persona me rekorde kriminale, që nuk kanë të bëjnë aspak me meritokracinë që janë vendosur në pozicione kyçe të shtetit”, u shpreh kreu i të rinjve demokratë.

Por kush është zgjidhja në këtë situatë, sipas kryetarit të FRPD? “Për të frenuar këtë fenomen dhe për t’i dhënë një zgjidhje, PD ka një alternativë, duke nisur nga ligji i arsimit të lartë. Ky ligj do të shfuqizohet. Kemi premtuar dyfishim të buxhetit të arsimit, kemi premtuar heqjen e tarifave, krijimin e 10 mijë stazheve të paguara, kemi premtuar 5 mijë bursa sociale për ata të rinj që edhe po t’ia zerosh tarifën, do ta kishin sërish të vështirë pagesën për libra. I gjithë fokusi duhet të jetë te zgjidhja e problemeve që kanë të rinjtë sot. Kjo fashë ka qenë në fundin e listës së problematikave gjatë këtyre viteve”, u shpreh Këlliçi.

Login to post comments