Edi Rama në ikje nga pushteti po zbaton politikën e “tokës së djegur”

E mërkurë, 26 August 2020 08:19

 

Parimi i “tokës së djegur” është një taktikë e njohur politiko-ushtarake, ku ushtritë që tërhiqeshin nga një territor i pushtuar digjnin çdo gjë për të mos i dhënë asnjë mundësi mbijetese atyre që do të vinin në zonat e çliruara. Krahasimi me pushtues dhe ushtri mund të duket i tepruar për Shqipërinë, por në shumë drejtime, opozita që pret të marrë pushtetin në prill 2021 do të ketë para saj një vend që ngjan si “tokë e djegur”. Nga ana financiare, opozita do të përballet me zhvillime ekonomike edhe më të këqija se ato të skenarit grek. Qeveria e kryeministrit Edi Rama arriti që në pak vite ta zhysë vendin në borxhe. Borxhi publik, sipas llogarive të organizatave ndërkombëtare ka arritur në 71 përqind të prodhimit të brendshëm bruto. Për çdo ekonomisë që kupton zhvillimet në vend, kjo shifër është alarmante. Niveli i këtij borxhi do të thotë se çdo qytetar i këtij vendi, duke llogaritur fëmijë dhe pensionistë, duhet të paguajë rreth 4 500 euro. Janë para që në një mënyrë apo tjetër do kthehen pas dhe nuk i paguajnë qeveritë, por qytetarët me taksat e tyre.

Sikur kjo barrë e rëndë financiare të mos mjaftonte, qeveria thellon edhe me tej kolapsin ekonomik. Dje Ministria e Financave njoftoi aplikimin për një tjetër borxh të Banka Botërore. Bëhet fjalë për 80 milionë euro të tjera që i shtohen gropës së madhe të buxhetit. Ironia në këtë rast është se borxhi nuk po merret për investime, por për të monitoruar mënyrën sesi po zbatohen koncesionet që ka dhënë qeveria “Rama”. Historia e koncesioneve të qeverisë “Rama” është një tjetër skemë që përfaqëson parimin e “tokës së djegur”. Në gati 8 vite qeverisje, të vetmet lincesa që u dhanë me shumica janë ato të koncesioneve. Janë kontrata të denoncuara nga institucionet ndërkombëtare si të dëmshme për ekonominë dhe korruptive nga opozita dhe ekspertët. Qeveria vendos që lekët e buxhetit ‘ti marrë një kompani private, për të kryer një shërbim që mund ta kryenin edhe institucionet shtetërore. Faturat janë të fryra dhe në shumë raste nuk justifikojnë shërbimin që biznesmenët dhe kompanitë u ofrojnë qytetarëve. Kontratat kushtojnë miliarda euro dhe në shumë raste qeveria ka marrë borxh në institucionet e huaja për të paguar bizneset që i kanë fituar. Tashmë qeveria vendos dhe të marrë borxh për të vlerësuar sesi janë përdorur paratë tjera broxh dhe ky është një tjetër skandal.

 

Por koncesionet janë dhe një grackë financiare që rrezikon buxhetin e shtetit për vite me radhë. Një pjesë e kontratave PPP janë firmosur nga qeveria “Rama” për afate 20 apo 30 vjet. Sado që opozita deklaron se nuk do të njohë pjesën më të madhe të tyre dhe do t’i anulojë, ligjërisht ky proces ka jo pak pengesa. Qeveria që do të vijë do të gjendet para faktit të kryer ku pjesa më e madhe e buxhetit të shtetit në çdo fillim viti do të shkojë te oligarkët e PPP-ve dhe qindarkat që mbeten nuk do të mjaftojnë për investime. Në këtë mënyrë qeveria “Rama” nuk ka shkatërruar vetëm buxhetin e këtyre 7 viteve, por ka falimentuar edhe buxhetet e qeverive që do të vijnë për shumë vite më pas. Që sot buxhetet e 20-30 viteve të ardhme u janë bërë dhuratë oligarkëve. Ky skenar negativ i ekonomisë është dhe më alarmant nëse sheh se prej vitesh në Shqipëri nuk ka asnjë investim të huaj. Paratë kryesore të buxhetit vijnë nga taksat e qytetarëve dhe rritja ekonomike thuajse nuk ekziston si koncept. I vetmi burim i ekonomisë së modelit të rilindjes janë taksat dhe detyrimet e qytetarëve dhe me këto lekë financohen oligarkët, por do paguhet edhe borxhi. Skema ekonomike është e dështuar që në fillim dhe opozitës në pushtet do t’i duhet të rimodelojë çdo gjë te financat e shtetit.

Veç krizës ekonomike, Rilindja ka kthyer në “tokë të djegur” gjithë institucionet e tjera, duke nisur nga gjykatat kryesore, parlamentin dhe çdo organ vendimmarrës që mund të normalizonte situatën. Me një buxhet të rrënuar, ekonominë në duart e oligarkëve dhe institucionet e shkatërruara, shqiptarët nuk mund të votojnë Edi Ramën për një mandat të tretë, nëse zgjedhjet janë të ndershme

Login to post comments