Rajoni i Ballkanit Perëndimor do të jetë në axhendën e zgjerimit të Bashkimit Europian. Në një artikull të “Euractiv”, thuhet se Komisioni Europian pas metodologjisë së re, pritet të botojë në vjeshtë paketën e re të zgjerimit, e vonuar për një kohë të gjatë, e cila do të analizojë të gjithë procesin dhe do të përmbajë raporte të detajuara specifike për vendet kandidate për në BE.
Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, për Shqipërinë, sipas sajtit të afërt me Brukselin, kushtet rëndojnë më shumë, ndërsa vendi ynë mori dritën e gjelbër në pranverë.
“Pasi vlerësoi Shqipërinë për kalimin e reformave zgjedhore, një nga parakushtet, BE-ja ishte më pak se entuziaste për ndryshimet kushtetuese të shtyra nga socialistët në pushtet, të cilat opozita tha se ishin të motivuara politikisht”, thekson artikulli.
Ndërkohë, sa i përket Maqedonisë Veriore, zgjedhjet e fundit, për të cilat shumë thanë se do të vendosnin ritmin e pranimit në BE, i dhanë një mandat tjetër si Kryeministër liderit Social Demokrat Zoran Zaev, i cili zgjidhi mosmarrëveshjen për emrin me Greqinë dhe hapi dyert për anëtarësimin në BE.
Pakti i koalicionit të kohëve të fundit me një parti që përfaqëson pakicën etnike shqiptare të vendit, ku përfshihet edhe një kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit të mandatit, sugjeron sipas “Euractiv” se Maqedonia e Veriut duhet do të fillojë zyrtarisht bisedimet e pranimit nën Presidencën gjermane të Këshillit të BE-së në fund të vitit.
Rreziqet lidhen me ato që Bullgaria i sheh si përpjekje të vazhdueshme nga disa qarqe në Shkup për të “falsifikuar” historinë e përbashkët të vendeve fqinje.
Ekzekutivi i BE-së gjithashtu pritet të prezantojë programin e tij të investimeve për Ballkanin Perëndimor, fillimisht i parashikuar për muajin maj. Ky program përqendrohet në axhendat e energjisë, transportit, mjedisit dhe teknologjisë, me qëllim që të ndalë “rrjedhjen” e trurit dhe të sjellë rajonin më afër BE-së.
Komisioni do të ketë më pak hapësirë buxhetore për të manovruar pasi Këshilli të zvogëlojë shumën e propozuar prej 10.5 miliardë eurosh për Instrumentin e Fqinjësisë, Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar (NDICI), që do të kanalizojë pjesën më të madhe të fondeve.
Ai gjithashtu ruajti një shtesë prej 4,7 miliardë eurosh nga propozimi i ekzekutivit për të zvogëluar fondin e përgjithshëm për këtë instrument në 70.8 miliardë €.
Ata që e shohin gotën si gjysmë plot, sidoqoftë, tregojnë se liderët europianë ranë dakord për një zarf prej 12,6 miliardë eurosh të ndihmës parapranuese për periudhën e ardhshme buxhetore shtatëvjeçare, ende subjekt i miratimit të Parlamentit Europian.