Përmes Belind Këlliçit, Partia Demokratike ngriti sot akuza në drejtim të kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj se është bërë garant i pastrimit të parave të pista.
Këlliçi referuar Raporti i Global Initiative Network thotë se 60% e investimeve në ndërtim në Tiranë burojnë nga paratë e pista.
“Ekspertët e huaj llogarisin se vetëm në Tiranë janë investuar në betonin e lejeve të ndërtimit 1.6 miliardë euro, gati sa 1/3-ta e buxhetit vjetor të Shqipërisë”,- thuhet në deklaratë.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, BELIND KËLLIÇI
Erion Veliaj erdhi në krye të Bashkisë së Tiranës me premtimin mashtrues se nuk do të jepte leje ndërtimi.
Sot, 5 vjet më pas, Erion Veliaj e ka shndërruar Tiranën në lavatriçen më të madhe të parave të pista, ku llogaritet se, gjatë mandatit të dytë dhe të fundit të kësaj qeverie, janë pastruar më shumë se 1.6 miliardë euro.
Erion Veliaj jo vetëm firmosi me mijëra leje ndërtimi, por ua dha ato kompanive që, sipas llogarive të ekspertëve ndërkombëtarë, kanë pastruar para të pista nga trafiku i drogës dhe nga korrupsioni.
Raporti i Global Initiative Netëork vlerëson se 60% e investimeve në ndërtim në Tiranën e drejtuar nga Erion Veliaj dhe, indirekt nga Edi Rama, burojnë nga paratë e pista.
Ekspertët e huaj llogarisin se vetëm në Tiranë janë investuar në betonin e lejeve të ndërtimit 1.6 miliardë euro, gati sa 1/3-ta e buxhetit vjetor të Shqipërisë.
Tirana është sot një qytet që vështirë se e njeh, edhe nëse ke jetuar në kryqytet për pak vite. Lulishtet janë zhdukur për t’u zëvendësuar nga përbindësha betoni që pastrojnë paratë e krimit të organizuar dhe të pushtetarëve të korruptuar.
Rrugët janë ngushtuar, sepse Erion Veliaj dhe Edi Rama kanë zgjedhur betonin që pastron paratë e pista përpara interesit qytetar.
Bashkia e Tiranës ka më pak prona sot, sepse Erion Veliaj i ka dhuruar ato tek kompani që investojnë në beton paratë e trafikantëve të drogës apo të politikanëve që kanë vjedhur shqiptarët.
Edhe shembja e Teatrit Kombëtar në mes të pandemisë i shërben qëllimit të pastrimit të parave me firmën e Edi Ramës dhe të Erion Veliajt.
Beteja ndaj pastrimit të parave dhe krimit të organizuar është një nga objektivat kryesorë të Partisë Demokratike në drejtimin e vendit.
Beteja për një Shqipëri të pastër është beteja e çdo shqiptari. Beteja për një vend të çliruar nga zinxhirët e krimit dhe të korrupsionit është ajo çfarë pret çdo shqiptar punëtor dhe i heshtur. Ne jemi gati ta bëjmë këtë betejë dhe ta fitojmë!