Nga Silva Caka, ish-deputete e LSI
Illyrian Guard, policia private e Edi Ramës.
Illyrian Guard u konceptua gabim që prej fillimit, për shkak të mbivendosjes, dyzimit dhe denatyralizimit të kompetencave që duhet të ketë një strukturë policore. Shërbimet e kësaj strukture u refuzuan nga ambasadat e huaja në Shqipëri, pikërisht për mungesën e besimit që kjo strukturë ofron.
Skandalet me të vazhduan kur u hapën procedurat e tenderëve për uniformat apo për pajisje sigurie, të cilat do të merreshin me qera 4 vjeçare, do të paguheshin 1.6 milionë euro dhe do të ktheheshin përsëri? Një tjetër skandal ishte ofrimi i pakërkuar i shërbimit të sigurisë për ambientet e televizionit Ora News, të cilin po tentojnë t’a kontrollojnë me çdo kusht.
E mesa duket skandalet nuk do të pushojnë. Dje, emisioni investigativ ”STOP”, ka denoncuar nëpërmjet një video regjistrimi, se rekrutimet në këtë strukturë, bëhen vetëm në mënyrë korruptive, duke paguar shefat e mëdhenj. Duke paguar 500 mijë lekë të vjetra, në radhët e Illyrian Guard mund të punësohet kushdo dhe efektivët e Illyrian Guard mund të depërtojnë deri në zyrat më të larta të institucioneve të rëndësisë së veçantë.
Sa korrekt do jetë me ligjin një punonjës i Illyrian Guard, kur vendin e punës e ka fituar nëpërmjet korrupsionit Çfarë garancie i jep Edi Rama dhe Sandër Lleshaj qytetarëve për sigurinë e institucioneve, që shqiptarët i paguajnë nga xhepi i tyre?
Çfarë garancie i jepet punonjësve të këtyre institucioneve, që do të jenë të sigurtë në kryerjen e detyrave të tyre? Illyrian Guard është pa dyshim policia private e Edi Ramës (jo se Policia e Shtetit nuk është), por Illyrian Guard do të sigurohet që asetet publike, institucionet dhe punonjësit e administratës, do t’i shërbejnë zellshëm Rilindjes në zgjedhjet e ardhshme.