Nga Dr. Vangjel Tavo –
“Korrupsioni paguhet nga të varfrit” ka thënë Papë Françesku. Kjo thënie, fatkeqësisht, ilustron Shqipërinë e zhvatur dhe të varfëruar në ekstremitet, dhe shqiptarët e thjeshtë të cilët për të paguar korrupsionin gallupant gjenden në kushtet e mbijetesës.
Sa më shumë rritet korrupsioni aq më shumë paguajnë të varfrit, pra shqiptarët, të cilët tashmë pa një shtresë të mesme, kjo e asimiluar tërësisht gjatë viteve të fundit, dhe e gjithë pasuria kombëtare dhe mundi i një populli paguan për grykësinë e të korruptuarve.
Ja rastet:
TENDERIMET GJATË PNDEMISË
Përmes koncensioneve dhe PPP-ve janë shkatuar mega-vjedhje ndaj vendit dhe buxhetit të shtetit. Ka angazhime në projekte të Partneritetit Publik-Privat (PPP), për periudhën 2015-2032, për të cilat shqiptarët do të duhet të paguajë në total gati 2 miliardë euro, që do të vijnë nga paratë e mbledhura nga taksapaguesit shqiptarë.
Por, teksa këto kontrata janë në vitet e para të zbatimit, shumë probleme po shfaqen që tani. Shpejtësia dhe intensiteti me të cilin u miratuan ato përgjatë katër viteve të fundit po rezulton se ka sjellë gabime në llogaritje e parashikime, që po detyrojnë derdhjen e parave shtesë nga taksapaguesit.
Vetëm për pesë koncesione: Ineceneratori i Tiranës, Sterilizimi, Laboratorët, rruga Milot-Balldre dhe Check up, buxheti do të duhet të paguajë rreth 240 milionë euro shtesë për punë të paparashikuara, apo shërbime të pakryera, duke e rritur në total vlerën e këtyre kontratave me 30%, nga rreth 790 milionë euro në 1 miliard euro.
Pas emergjencës së krijuar nga koronavirusi, qeveria njoftoi se do të rialokonte 17 mln euro nga disa kontrata koncesionare, por këto janë vetëm pezullime dhe shtyrje, që një ditë do paguhen, ndërkohë deri tani askush nuk është dënuar për dëmet afatgjata që i janë krijuar buxhetit nga gabimet në kontrata.
Gjatë pandemisë të gjithë shqiptarët kuptuan se koncensionet qindra-miliona eurosh, si projektet: Inceneratorët 92 milionë USD, Rruga Orikum-Dukat – 75 milionë USD, Trau tek Rruga e Kombit – 470 milionë USD, Tenderi i Unazës së Re – 20 milionë euro/km, janë investime tërësisht në kundërshtim me nevojat themeltare që ka vendi e për më të tepër do e bëjnë edhe më të rëndë realitetin ekonomik post-pandemi.
Për më tepër, qeveria shqiptare ishte e vetmja në botë, e cila financat e shtetit nuk i përshtati në funksion të luftës kundër koronavirusit. Por edhe në kohë pandemie qeveria vazhdoi të derdhë miliona euro për inceneratorë që nuk janë vënë ende në punë, për beton e pllaka sheshesh, në drejtim të disa kompanive të përzgjedhura e të privilegjuara.
Pushteti qendror, ai lokal dhe administrata në përgjithësi vazhduan që të tenderojnë, duke blerë e shpenzuar njësoj si në kohë normale.
LIGJI PËR DIVIDENTIN
Ligji për divendentin, është rasti më flagrant i korrupsionit, një shkelje e hapur e Kushtetutës për të favorizuar oligarkët, dhe çmimi i lartë që paguan familjet shqiptare për të majmur një grup të vogël të pasurish.
Kushtetuta në nenin 155 urdhëron se: “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”.
Asnjë tatim dhe lehtësim fiskal, thotë Kushtetuta, nuk mund të ketë efekt prapaveprues në kohë, por vetëm për të ardhmen.
Por çfarë ndodhi? Në dhjetor 2018, Kuvendi miratoi një ligj (nr. 94/2018) për ndryshimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, duke futur fshehurazi një nen sipas të cilit:
“Norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8 % do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kusht që tatimi mbi dividendin, që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019, ndërsa tatimi mbi dividendin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.”.
Kuvendi vendosi kështu që të gjithë oligarkët, për të gjitha fitimet që ata kishin realizuar nga viti 2018 e deri në vitin 1991 (pa asnjë kufizim kohor) të paguanin jo më një tatim prej 15 %, siç kishin paguar të gjithë qytetarët e ndershëm ndër këto vite, por ata do të lehtësoheshin për të paguar vetëm 8 %.
Pra ky ligj u bë me efekt prapaveprues, në kundërshtim me Kushtetutën, vetëm për Oligarkët të cilët vetë qeveria i kishte njoftuar më parë që të mos paguanin asnjë tatim për fitimet e tyre, deri sa qeveria të miratonte këtë ligj antikushtetues që i favorizonte ata.
Ky krim i rëndë kushtetues i bërë përmes ligjit, i padëgjuar në asnjë vend të kontinentit shkeli barazinë e qytetarëve para ligjit, shkeli nenin 155 të Kushtetutës, duke majmur më të pasurit dhe duke varfëruar akoma më shumë qytetarët e thjeshtë, bizneset familjare dhe të vogla dhe sipërmarrësit e ndershëm.
INDIKATORËT NDËRKOMBËTARË TË KORRUPSIONIT
Të gjithë indikatorët tregojnë për një nivel shumë të lartë të korrupsionit në Shqipëri.
Indekse dhe raporte të organizmave dhe institucioneve më prestigjioze të botës tregojnë të vërtetën e hidhur të një qeverie korruptive e cila përkeqësohet vit pas viti në paligjshmërinë e saj.
a) Transparency International –
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2019 – Shqipëria zë vendin 106 nga 180 – rezultat 35/100 pikë.
b) Raporti i Departamentit Amerikan të shtetit për Shqipërinë për vitin 2019 konstaton se:
– Korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes.
– Zyrtarët në Shqipëri merren me praktika korruptive me pandëshkueshmëri.
– Ndjekja penale e krimeve të nivelit më të lartë mbetet e rrallë për shkak të frikës së hetuesve nga ndëshkimi.
– Mosndëshkimi mbetet një problem serioz. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe personat me interes të fuqishëm biznesi shpesh ishin në gjendje të shmangnin ndjekjen penale.
– Korrupsioni në polici mbetet problem.
c) Sipas Indeksit të Lirisë së Njeriut të Institutit Cato: Shqipëria shënoi një vlerësim të dobët prej 5.1 nga 10 pikësh, ku 10 ishte “të qenit më i lirë” në Sistemin Ligjor dhe të Drejtat e Pronës dhe 5.3 nga 10 në Sundimin e Ligjit. Nuk është për t’u habitur që Shqipëria shënoi një vlerësim të turpshëm prej 2.5 nga 10 për Pavarësinë e Gjyqësorit.
d) Sipas Indeksit Botëror të Drejtësisë dhe të Projektit të Sundimit të Ligjit 2019, Shqipëria renditet në vendin e 103-të nga 126 për korrupsionin.
e) Që nga viti 2019, raporti i Institutit Fraser mbi Lirinë Ekonomike në Botë 2019, thotë se performanca më e dobët e Shqipërisë ishte në kategorinë e Sistemit Ligjor dhe të Drejtave të Pronës, me një rezultat prej 5.09 nga 10, dhe renditet në vendin e 83-të nga 162 vende.
f) Treguesin e Qeverisjes Botërore të Bankës Botërore, i cili shënon Shqipërinë në vendin e 39-të nga 100 për Sundimin e Ligjit. Ky rezultat është më i ulët se rezultati i Evropës dhe Azisë Qendrore për Sundimin e Ligjit e 63 pikëve nga 100.
Raste të korrupsionit në Shqipëri pasqyrohen tek Treguesit e Qeverisjes në të Gjithë Botën e Bankës Botërore. Në të gjashtë dimensionet e qeverisjes, renditja e Shqipërisë është relativisht e ulët. Ato që dallohen më shumë janë këto:
– Kontrolli i korrupsionit: Shqipëria është e 136-ta nga 209 vende
– Sundimi i ligjit: Shqipëria është 127-ta nga 209 vende
– Efektiviteti i qeverisë: Shqipëria është 138 nga 209 vende.
KORRUPSIONI SI PENGESË PËR EKONOMINË DHE INVESTIMET
Sipas raportit “Doing Business 2020” të Bankës Botërore Shqipëria renditet e 82-ta, Maqedonia e 17-ta dhe Kosova e 57-ta. Kjo e bën vendin tonë të fundit në Rajon e ndër të fundit në Kontinent për klimën e biznesit.
Ndaj edhe kompanitë serioze perëndimore nuk investojnë në Shqipëri. Vendi me një potencial të jashtëzakonshëm privohet nga një ekonomi e zhvilluar dhe investime të huaja vetëm për shkak të korrupsionit qeveritar.
Këtë e shprehu edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë e cila shprehet e shqetësuar që Shqipëria renditet në vendet e fundit në rajon sa i përket thithjes së investimeve amerikane.
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço, u shpreh se ndikim negativ ka niveli i korrupsionit, sistemi i taksave dhe krijimi i monopoleve.
“Shqipëria ka një bilanc tregtar prej 100 milion dollarësh me SHBA, i cili është shumë i ulët. Po ta krahasojmë bilancin tregtar të Maqedonisë së Veriut me SHBA është 2.3 herë më i lartë, pra 230 milion dollarë”, tha Jaço.
Taksat dhe korrupsioni mbeten shqetësimet kryesore për Shqipërinë në një kohë kur tregu rajonal po liberalizohet.
“Tregu i Ballkanit Perëndimor po liberalizohet dhe një nga investitorët e ndryshëm marrin është se në cilin vend të Ballkanit do të investojnë”.
“Madje në renditjen e Doing Business në rajon Shqipëria renditet e fundit. “Shqipëria rënditet e 82-ta në klasifikimin botëror, Mali i Zi e 50-ta, Kosova e 57-ta, Serbia e 44-ta, Maqedonia e Veriut e 17-ta”, deklaron kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Raporti Doing Business 2020 i Bankës Botërore konstaton se
– Biznesi i ryshfeteve është zgjeruar ndjeshëm në 6 vitet e fundit teksa kompanitë shqiptare janë detyruar të paguajnë më shumë nën dorë për zyrtarët e shtetit.
– Sipas Bankës Botërore për vitin 2019, mbi 36% të bizneseve shqiptare u është kërkuar të paktën një herë ryshfet nga zyrtarët e shtetit. Kjo shifër është tre herë më e lartë se mesatarja e rajonit dhe mbi dy herë më e madhe se sa mesatarja botërore.
– Por, përtej krahasimit me vendet e tjera, korrupsioni është përkeqësuar edhe në kohë. Sipas Bankës Botërore, krahasuar me vitin 2013, frekuenca e ryshfeteve është rritur me gati dy herë, nga 20.6% që ishte atëherë në 36.1%sot. Madje frekuenca aktuale e ryshfeteve, sipas Bankës Botërore është më e lartë edhe se sa në vitin 2005.
– Në vrojtimin për bizneset Banka mat një sërë treguesish që lidhen me korrupsionin. Përveç kërkesave për ryshfet, ajo mat edhe thellësinë e këtij treguesi, përqindjen e kompanive që japin para nën dorë për inspektorët e taksave si dhe atë të bizneseve që japin dhurata për të marrë kontrata nga qeveria. Të gjithë këta tregues janë përkeqësuar në rend dyfish.
“VARFËRIA ËSHTË NËNA E KRIMIT” MARCUS AURELIUS
Në një shoqëri që varfërohet dhe korrupsionin që prevalon krimi rritet. Ndaj edhe Shqipëria renditet në listën e vendeve gri për pastrimin e parave
Shqipëria tashmë është përfshirë zyrtarisht në listën e vendeve nën monitorim të shtuar, ose siç njihet ndryshe në “listën gri” nga Task Forca e Veprimit Financiar, një organizatë ndërqeveritare e themeluar me iniciativën e G7 për të zhvilluar politika për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe financimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.
Përfshirja në këtë listë do të thotë që vendi konsiderohet me rrezik të lartë, dhe kjo ka pasoja negative për ekonominë dhe imazhin e një shteti.
Në vitin 2011, Shqipëria u fut nga Moneyval, mekanizimi i Komisionit Europian, që bën vlerësimin e Shqipërisë për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në listën gri të vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave (raporti i klasifikon vendet me potencial të lartë të pastrimit të parave në listë të zezë dhe gri).
Më pas, në 2015-n, Shqipëria do të dilte nga lista gri, një vlerësim ky që në atë kohë ishte mjaft pozitiv.
Vendi kishte pesë vjet kohë që të adresonte problemet për të dalë përfundimisht nga zona e rrezikut.
Por, në raportin e 2018, Shqipëria hyri në listën e vendeve që do t’i nënshtroheshin një ndjekjeje apo monitorimi të zgjeruar nga ana e Moneyval për shkak të dobësive që u konstatuan në raportin e fundit të lidhur me masat ndaj parandalimit të pastrimit të parave dhe luftës kundër terrorizmit.
Sipas konkluzioneve të raportit:
“korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe seriozisht dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Autoritetet janë të vetëdijshëm për rreziqet nga korrupsioni, por zbatimi i ligjit deri më tani ka pasur një vëmendje të kufizuar për të shënjestruar korrupsionin e lidhura me pastrimin e parave. Një reformë e rëndësishme gjyqësore është duke u zbatuar për të adresuar më mirë rrezikun e korrupsionit që mbizotëron në vend”.
Raporti thekson se të ardhurat nga krimi po qarkullojnë dhe investohen në disa forma në Shqipëri, për shembull përmes investimeve në pasuritë e paluajtshme dhe kompanive tregtare.
Shqipëria është cilësuar edhe si trafikuesja më e madhe e kanabisit për në vendet e BE
Raporti “Tregu i drogave 2019”, një publikim, që bëhet një herë në tre vjet nga Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave (EMCDDA) e përmend Shqipërinë si prodhuesen më të madhe të kanabisit të trafikuar në Bashkimin Europian, paratë e të cilës transportohen cash me makina drejt Shqipërisë dhe investohen në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm.
Sipas raportit, “Shqipëria është prodhuesi më i madh i kanabisit bimor të trafikuar në BE. Gjatë vitit 2017 dhe 2018, trafikimi në shkallë të gjerë i kanabisit bimor nga Shqipëria në BE vazhdoi. Konfiskimet italiane të kanabisit bimor u rritën nga afro 42 ton në vitin 2016 në më shumë se 90 ton në 2017, duke reflektuar intensifikimin e aktivitetit të trafikimit në të gjithë Detin Adriatik.
Së fundmi, Kreu i Antimafias Italiane, Federico Calfiero De Raho, u shpreh se Shqipëria është vendi kryesor për menaxhimin e trafikimit të drogës.
Qeveria Rama tashmë është e njohur ndërkombëtarisht për përfshirjen e saj në trafikun e drogës dhe krimin e organizuar, e lidhur kjo tashmë me përfshirjen e dy ish ministrave të tij të brendshëm, ish kryetarë policie dhe drejtorë policie të cilët vazhdojnë të mbeten të deklaruar në kërkim por të mbrojtur nga qeveria.
VARFËRIA DHE KORRUPSIONI PO LARGOJNË SHQIPTARËT
Largimi i shqiptarëve në vitet e fundit ka arritur shifra alarmante.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në projeksionet e saj për popullsinë shqiptare ka parishikuar një ulje me 30-40% pritshmëritë se sa persona do të mbeten në një vend deri në vitin 2100. Zhvlerësimi i ndjeshëm ka ardhur brenda një viti (2019 kundrejt 2018) dhe është nxitur kryesisht nga trendi i lartë i emigracionit.
Shqipëria po përjeton një rritje të re të fenomenit të emigracionit.
Në pesë vitet e fundit largimet kanë arritur në rreth 200 mijë, sipas të dhënave zyrtare nga Eurostat, ndërsa ka dhe shumë të tjerë që ikin me kontrata pune, ose që thjesht largohen e nuk kthehen më.
Largimi i popullsisë po bëhet problem për sipërmarrjet, të cilat ankohen se nuk po gjejnë fuqi punëtore të specializuar. Në një sondazh të fundit, Instituti Shqiptar i SME-ve “SME Albania” gjeti se rreth 61% e ndërmarrjeve kanë pasur punonjës të larguar për arsye emigracioni gjatë vitit 2019.
Për vitin 2019, në raport me popullsinë, Shqipëria ka shënuar numrin më të lartë të azilkërkuesve, duke u renditur kështu në vendin e parë me 59 aplikime për çdo 10 mijë banorë, sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO), të përpunuara në raport me popullsinë.
Madje lë pas me një diferencë të konsiderueshme vende në konflikt lufte si Siria apo Afganistani.
Të dhënat e Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO) bënë të ditur se në vitin 2019, aplikimet për azil nga Shqipëria ishin 22.9 mijë, me një rritje të lehtë prej 2% në raport me vitin e mëparshëm, duke iu kthyer tendencës rritëse pas katër vitesh radhazi kur numri i azilantëve po vinte në rënie.
Në total, që nga viti 2013, janë rreth 200 mijë persona që kanë kërkuar azil në një nga vendet e BE-së.
Tendenca e azil kërkuesve nga Shqipëria ështe në rritje për periudhën 10 mujore të vitit 2019 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Vetëm për muajin Tetor 2019 numri i azilkërkuesve nga Shqipëria arriti në 1 964 persona. Për periudhën Janar – Tetor 2019 numri i azil kërkuesve nga Shqipëria arriti 17 433 persona.
LARGIMI I RINISË
Në raportin e 2-të Kombëtar ‘Rinia në Shqipëri 2019’ hartuar nga CRCA/ECPAT, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri me mbështetjen e Koalicionit për Arsimin në Shqipëri kreu një raport ku tregohet se të rinjtë shqiptarë në masën 73% e shohin problemin e punësimit si më shqetësuesin për ta.
Arsimi është një tjetër problem pasi 35% nuk janë të kënaqur me arsimin në Shqipëri dhe kërkojnë të largohen për studime jashtë vendit.
Sipas Anketës Kombëtare ‘Rinia në Shqipëri 2019’, 73% e të rinjve të intervistuar e kanë adresuar papunësinë si problemin e tyre më shqetësues.
‘Ikja e trurit të të rinjve’ e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Europë për dëshirën e të rinjve për të ikur dhe studiuar jashtë vendit.
35% e studentëve me një diplomë Bachelor dhe rreth 30% të studentëve në përgjithësi synojnë të studiojnë jashtë vendit, ndërsa niveli i gjendjes ekonomike të studentëve shqiptarë është sërish në përmasa alarmante, krahasuar me vendet e tjera.
Largimi i të rinjve nga vendi kap shifra deri në 79% sipas Gallup, duke e vendosur Shqipërinë në krye të listës së vendeve nga ku largohen të rinjtë.
Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë për vrasjet e vajzave dhe grave, ku situata e dhunës me bazë gjinore është më alarmante.
Kushtet social-ekonomike në të cilat jetojnë të rinjtë në Shqipëri, kanë sjellë rritje të kriminalitetit rinor.
Të dhënat e vitit 2018 tregojnë se 38% e dënimeve penale të formës së prerë janë dhënë ndaj të rinjve, situatë kjo që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Varfëria dhe papunësia tek të rinjtë shërbejnë si një terren që gjeneron ndër të tjera edhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin.
Raporti i Komisionit Europian i vitit 2018 thekson se nga 144 shtetas shqiptarë që shkuan në Siri dhe Irak për luftuar në konfliktet e armatosura. 73 vetë (përfshirë 18 luftëtarë dhe 55 anëtarë të familjeve), mes tyre fëmijë, të rinj e të reja që gjenden ende në zonat e luftës.
Ndërsa Raporti më i fundit i vitit 2019, sheh shqetësues rritjen në Shqipëri të radikalizmit fetar online.
Në nivel kombëtar, 62% e të rinjve nuk kanë besim te partitë politike shqiptare, ndërsa rreth 57% e tyre vlerësojnë me zero pikë punën e pushtetit vendor dhe sektorëve të rinisë.
Rritja e mosbesimit ndaj politikës dhe konfliktualitetit që ushtroi ngërçi parlamentar e politik, krijuan terrenin e mos-ushtrimit të së drejtës së votës për të rinjtë.
Në zgjedhjet e fundit vendore mbi 50% e të rinjve nuk kishin dëshirë të votonin.
SHQIPËRIA NJË VEND I BEKUAR POR I ZHVATUR
Shqipëria është e pasur me burime natyre, me bregdet, male, me moshë mesatare të re, me 300 ditë diell në vit, me burimet ujore më të shumta në rajon, me histori të lashtë dhe site arkeologjike tejet të çmuara. Kemi gjithçka që i nevojitet një populli për të jetuar mirë dhe për t’u zhvilluar, por ajo pasuri që kemi nën e në tokë është zhvatur nga ata në kokë.
Historia nuk ka për t’ua falur kurrë kusarëve të shqiptarëve. Shqipëria është gjeografikisht dhe me zemër europiane dhe meriton zhvillim e standarde jetese europiane. Rinia jonë meriton ta ndërtojë këtu jetën e saj dhe të jetë arkitekte e ideve të veta në këtë vend të mrekullueshëm, të pasur, por tragjikisht të vjedhur.