Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagon lidhur me dëshminë e Manjola Cakonit, të publikuar sot nga Partia Demokratike, ku ajo shprehej se pas intervistës së dhënë në televizion dikush e kishte marrë nga kryeministria, telefonatës i ishte përgjigjur nëna e saj, ndërsa i ishte thënë”: Turp të ketë Manjola!” “Turp të ketë Manjola!”.
Basha shkruan në “Facebook” se teatri mizor me jetën dhe hallet e qytetarëve duhet të marrë fund, pasi sipas tij, historia e Manjolës dhe djalit të saj, Alesios, tronditi mbarë opininin publik.
“Kjo që dëgjuam, kërcënimi i një zonje të mbytur nga dhimbja dhe pamundësia për të përmbushur nevojat jetike, është një akt i ulët i një kryeministri që shkel mbi çdo premtim, i dikujt që nuk e ndjen dhimbjen dhe vuajtjen e bashkëqytetarëve. Është akti i një burracaku që i kërcënon t’u mbyllë gojën viktimave të pushtetit të tij të korruptuar”, shkruan Basha mes të tjerash.
Mesazhi i Bashës:
Teatri mizor me jetën dhe hallet e qytetarëve duhet të marrë fund.
Historia e Manjolës dhe Alesios tronditi mbarë opinionin publik. Një tragjedi e madhe, dhimbje e pashërueshne që do të mbetet gjithmonë e pranishme në jetën e tyre.
Detyra e një qeverie normale është të lehtësojë pasojat materiale për Manjolën, Alesion por dhe për mijëra persona të tjerë, që u goditën rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Por kjo që dëgjuam, kërcënimi i një zonje të mbytur nga dhimbja dhe pamundësia për të përmbushur nevojat jetike, është një akt i ulët i një kryeministri që shkel mbi çdo premtim, i dikujt që nuk e ndjen dhimbjen dhe vuajtjen e bashkëqytetarëve. Është akti i një burracaku që i kërcënon t’u mbyllë gojën viktimave të pushtetit të tij të korruptuar.
Është kriminale që fatkeqësia e bashkëqytetarëve tanë, në fillim u përdor për propagandë e më pas u harrua. Është kriminale që një kryeministër të kërcënojë një qytetare, vetëm pse ajo denoncoi shkeljen e premtimit dhe braktisjen e saj.
Fatkeqësisht, Manjola është vetëm një ndër mijëra gra të tjera që sot nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre dhe që jetojnë në çadra e kushte tejet të vështira.
Historia e saj është dëshmi ngjethëse e humbjes së çdo ndjeshmërie njerëzore dhe çdo përgjegjësie ndaj njerëzve nga ai që i përdor qytetaret për propagandë e më pas i braktis në mjerimin e tyre.