Ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi, ka denoncuar mungesën prej 3 ditësh të ujit në Tiranë si edhe ka përshëndetur protestën qytetare para Ujësjellësit, si një model kundër sjelljes së Veliaj dhe Ramës, të cilët premtuan ujë 24 orë, ndërkohë që Tirana vuan për ujë të pijshëm.
‘Banorët e kryeqytetit e paguajnë ujin më shtrenjtë nga të gjithë, por nuk kanë ujë në çezma.
Gjendja është rënduar shumë prej 3 ditësh, por Erion Veliaj bën sikur nuk i dëgjon ankesat e qytetarëve.
Gjatë 5 viteve në krye të Bashkisë së Tiranës ai nuk bëri asnjë investim domethenës për zgjidhjen e furnizimit me ujë të kryeqytetit, megjithëse e rriti disa herë çmimin e ujit.
Bashkë me Edi Ramën, gënjyen për furnizimin me 24 orë ujë. Në mes të Tiranës, njerëzit po blejnë ujë edhe për të shkuar në tualet, sepse Erion Veliaj harxhon miliona euro për propagandën dhe imazhin e tij të rremë.
Në kushtet e pandemisë, mungesa e ujit është kriminale, veçanërisht, kur për 3 ditë nisin #shkollat.
Protesta sot për të kërkuar ujë në Zyrat e Ujësjellësit Tiranë meriton një duartrokitje.
Banorët e Tiranës po e refuzojnë modelin e drejtimit nga Erion Veliaj dhe Edi Rama’- shkruan Vokshi.