Kosova mbas Washingtonit e Brukselit: harroni Beogradin! Shihni Taivanin, por edhe Spanjën+4

Saturday, 12 September 2020 16:53

 


Nga Genc Pollo, ish-ministër e deputet

(pjesa e dytë)

Kritikët e marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë mes Kosovës e Serbisë më së shumti qortojnë mungesën në tekst të zotimit serb për njohjen zyrtare të Kosovës. Njohja diplomatike e ndërsjelltë mes Prishtinës e Beogradit do të ishte gjëja reale e cila do të mundësonte në vijim normalizimin politik, ekonomik e shoqëror. Siç kemi vënë në dukje, presidenti serb mund t’a hidhte këtë hap vetëm me çmimin e copëtimit të Kosovës, gjë që javën e shkuar në Washington fatmirësisht u varros një herë e mirë. Vucic gjithashtu është pozicionuar se nuk e pranon antarësimin në BE me kushtin e njohjes së Kosovës së pavarur. Duke qenë se anëtarsimi do të marrë vite shumë të gjata, edhe në rastin me jo shumë gjasë që një udhëheqës serb nesër të ketë atë plotfuqi si Vucic sot dhe të ndërrojë mendje e zemër për Kosovën, prapë njohja do të presë pikërisht vite shumë të gjata.

Amerika nuk ka për të nisur një luftë tjetër për të detyruar njohjen e Kosovës: vizionin dhe cakun e angazhimit të saj i bëri të njohura në Shtëpinë e Bardhë. Ndryshimi i mundshëm i administratës pas presidencialeve të këtij nëntori nuk ka pse të ndryshojë rrënjësisht këtë politikë. Nga takimi i parë i dialogut të rinisur këtë javë mes kryeministrit kosovar e presidentit serb në Bruksel temat e bisedës ishin çështje të diskutuara edhe më herët në këtë dialog që ka filluar në vitin 2011. Në rastin fatlum do të bihet dakord sërish e do të zbatohen realisht çështje të ndryshme të imponuara nga historia e fqinjësia. Por njohja nuk duket në horizont. Përjashto këtu ndonjë mrekulli hyjnore apo force madhore të cilat nuk kam aftësi t’i parashikoj.

Politikanët vendimmarës lenë gjurmë jo kur insistojnë në pretendime moralizuese të cilat mbeten të papërmbushura, por kur njohin realitetin dhe veprojnë me ambicie për të arritur kulmin e të mundshmes.

Taivani që nga mesi i shekullit 20 nuk ka iluzione se do të njihet zyrtarisht nga Republika Popullore e Kinës dhe as se Pekini do t’i lejojë anëtarsimin në OKB. Por kjo nuk i ka penguar taivanezët të ndërtojnë nje shtet demoratik, me qeveri llogaridhëse si dhe një ekonomi të avancuar; duke e ngritur një provincë dikur rurale në vendin e 17 më të pasur në botë.

Mbase modeli i Taivanit mund të shërbente për Kosovën duke e bërë të mos harxhojë kapital politik për njohjen nga Beogradi por të fokusohet në zhvillimin e vendit. Dhe Kosova krahasuar me Taivanin është e favorizuar. Ndërsa Taivani njihet zyrtarisht nga një gjysëm duzine shtetesh minore, Kosova njihet nga të tëra vendet e G7, demokracitë udhëheqëse të planetit dhe mbi njëqind shtete, anëtare të OKB-së.
Taivani e ka Kinën gjigande e lakmitare vetëm një ngushticë larg, kurse Amerika mbrojtëse ështe matanë oqeanit. Ndërsa Kosova është një enklavë e NATO-s, kufizohet me tre shtete të kësaj aleance si dhe ndodhet brenda Bashkimit Europian.

Po ashtu sipas marrëveshjes të Shtëpisë së Bardhë, Kosova do të ndërpresë për një vit përpjekjet për antarësim në organizata ndërkombëtare. Në fakt pas dështimit me Interpolin e UNESCOn, kështu do të lipsej të bënte pasi shanset nuk janë të mira. Edhe avantazhet e anëtarësimit, hiq mënjanë simbolikën e sovranitetit, nuk janë domethënëse. Urdhërarrestet për Interpolin proçesohen përmes UNMIK-ut kurse në UNESCO përfitimi mbetej abstrakt (Shqipëria prej 60 vjetësh anëtare arriti të kishte disa site të trashëgimisë botërore por nuk mundi të mbrojë Teatrin Kombëtar nga barbaria e qeverisë së vet). Marrëveshja amerikane nuk e pengon Kosovën të synojë njohje dypalëshe të tjera. Por edhe sikur Prishtina të arrijë dhjetë apo njëzetë njohje nga shtete si Burundi a Kiribati nuk më duket se do të kishte përfitim të madh. Udha për në OKB kalon nga Këshilli i Sigurimit me Kinën e Rusinë brenda; të tjerat nuk duken relevante. Madje na kursejnë anekdotat me dy ministrat e jashtëm që, me çantë të zezë në dorë, bredhin njëri pas tjetrit në Afrikë e Oqeani.

Por ndoshta njohja së fundmi nga Izraeli mund të sugjerojë një objektiv tjetër. Arsyeja pse Jeruzalemi kishte hezituar deri tashti të njihte Kosovën ishte druajtja nga preçedenti i provincës secesioniste dhe të efektit të saj në Bregun Perëndimor. Me kuptimin e unicitetit të rastit të Kosovës dhe me këshillën me peshë të presidentit amerikan Izraeli e ktheu faqen. Me shumë rëndësi për Kosovën do të ishte po t’a kthenin faqen edhe pesë shtetet anëtare të Bashkimit Europian të cilët ende nuk e njohin atë (Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia e Qipro). Edhe për ta shqetësimi real është ai i precedentit të provincës secesioniste pasi secili prej tyre e ka një hall si Izraeli. Shumë më pak rol luan miqësia historike me Serbinë e disave syresh pavarësisht nga çfarë thonë narativat gjysëm folklorike.

Nëse Kosova do të arrinte të mobilizonte Quintin, pra ShBA, Gjermaninë, Francën, Britaninë e Italinë për të dhënë shpjegimet e garancitë e duhura kësaj pesçeje europiane e të përftonte njohjen e tyre atëhere avantazhi do të ishte madhor për të. Më së pakti do të eliminohej një pengesë formale për anëtarësim në BE.

Login to post comments