Një video e publikuar më herët nga “Boldnews.al”, në të cilën shfaqen nën shoqërinë e verës së shtrenjtë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka edhe disa detaje, të cilat shkojnë përtej “miqësisë” mes dy personave publikë, duke ngritur dyshimet për një “grup” që mund të shkatërrojë hetimin e SPAK-ut për kontratat koncensionare.
Në tavolinën e lokalit luksoz, mes personave të tjerë, gjenden edhe çifti i bashkëshortëve, Raimond dhe Edlira Cimbi.
Zonja Cimbi është krahu i djathtë i Gent Ibrahimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe mban pozicionin e Drejtores së Shërbimit Ligjor.
Ajo është personi përgjegjës për përgatitjen e akteve për kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe, siç rezulton nga video e publikuar nga “Boldnews.al”, është edhe pjesë e rrjetit miqësor të shefit të saj.
Edlira Cimbi është juriste prej vitit 1996 dhe ka punuar në ente publike e private, përfshirë 4 vjet në kompaninë “Armo” të drejtuar nga Rezart Taçi në vitet 2009-2013, si edhe për 3 vjet (2015-2018) një ndër zyrtaret e larta të Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), një institucion në varësi të Këshillit të Ministrave.
Ndërsa bashkëshorti i saj, Raimondi, është zotëria me syve, ngjitur me Gent Ibrahimin. Zoti Cimbi, sot një producent në televizionin Top Channel, është një ndër ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ilir Beqjas, në kohën që drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
Raimond Cimbi ka qenë Drejtori i Drejtorisë së Prokurimeve Publike, struktura përgjegjëse për tenderat dhe sidomos për koncensionet në Shëndetësi, të miratuara gjatë kohës që institucioni drejtohej nga Beqja.
Gjithashtu, një dokument i siguruar nga “Boldnews.al” tregon se Raimond Cimbi shfaqet edhe si personi përgjegjës për koncensionin e Laboratorëve, procedurë që u shpall sapo drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë e mori Ogerta Manastirliu.
Për shkak të pozicionit kyç në Drejtorinë e Tenderave, Raimond Cimbi mund të jetë një prej hetuarve kryesorë në procedimin penal që ka regjistruar tashmë prokuroria speciale, SPAK.
LEXO EDHE Kadri Veseli i zhgënjyer nga marrëveshja e Washingtonit: Është një dështim, kishim shpresë se…
Prokuroria SPAK ka informuar publikisht se nisi disa javë më parë hetimin për koncensionet e dhëna në sistemin e Shëndetësisë gjatë periudhës 2014-2018.
Në të gjitha procedurat e këtyre koncensioneve gjendet emri i Ilir Beqjas dhe, natyrisht, duhet të jetë edhe emri i Raimond Cimbit.
Tashmë, këta dy persona, Beqja dhe Cimbi, subjektet më të mundshme për hetim nga SPAK-u, gjenden në tavolinë miqësore me kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.
Për më tepër, një prej personave që mund të jetë nën hetim, Raimond Cimbi, ka bashkëshorten në krahun e djathtë të Gent Ibrahimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Në këto rrethana, duket e vështirë, në mos e pamundur që prokurorët e SPAK-ut të zhvillojnë një hetim të pavarur, të paanshëm e mbi të gjitha, të pandikuar, për kontratat multi-milionë euroshe të koncensioneve në Shëndetësi.
Legjislacioni i ri parashikon pavarësinë e prokurorëve të SPAK-ut në hetime, si edhe garanci të shumta për të shmangur ndërhyrjen në punën e tyre.
Megjithatë, edhe prokurorët e SPAK-ut, si të gjithë kolegët e tyre të juridiksionit të përgjithshëm, janë subjekt i kontrollit periodik nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Vlerësimet negative që mund të japë KLP ndaj tyre, mund të penalizojë prokurorët e SPAK-ut dhe, pse jo, mund të arrijë deri në largimin e tyre nga strukturave e specializuar hetimore.
Një pyetje thelbësore është e pashmangshme në këtë situatë: Cili prokuror i SPAK-ut do të guxonte të hetojë dhe të marrë nën përgjegjësi ligjore miqtë e kreut të KLP-së, Gent Ibrahimi, si edhe Raimond Cimbin, bashkëshortin e Shefes së tij të Kabinetit, Edlira Cimbi?
Secili nga prokurorët e SPAK-ut, i ngarkuar me hetimin e kontratave koncensionare në Shëndetësi, mund të përballet me dilemën e vijimit të procedimit penal i pandikuar ose “transferimit” të mundshëm në ndonjë cep periferik të Shqipërisë.