Basha: Investitorët e mëdhenj u zëvëndësuan me kompani offshore, PPP dhe koncesione korruptive

Diel, 13 September 2020 11:27

Nga Lulzim Basha.

Është alarmante situata e investimeve të huaja në Shqipëri. Vetëm gjatë këtij viti, shifra e rënies së investimeve është 100 milionë euro. Çuarja e ekonomisë shqiptare buzë greminës së falimentit, është një nga shqetësimet kryesore të pasqyruara në raportin e përvitshëm të DASH, që rendit si arsye korrupsionin e qeverisë shqiptare, shkatërrimin e tregut dhe konkurrueshmërisë nga PPP-të, ligjet abuzive në lidhje me pronat dhe gjithashtu koncesionet korruptive.

 
 
 
 

Asgjë nuk e fsheh dot më rritjen e varfërisë dhe papunësisë, ekonominë e rrënuar dhe largimin masiv të shqiptarëve. Çdo raport ndërkombëtar flet qartas për mungesën e klimës pozitive për biznesin dhe investimet e huaja.

 
 
 

Dy investitorët e vetëm strategjikë, TAP dhe Devolli, po e përfundojnë punën e tyre të nisur që në kohën e qeverisjes së PD. Në 7 vite, në Shqipëri ka mbizotëruar klima e largimit të investitorëve strategjikë dhe seriozë. Në vend të tyre lulëzuan kompanitë offshore, PPP-të dhe koncensionet, që veç korrupsionit në çdo hallkë, nuk ofruan asnjë shërbim cilësor apo përmirësim të jetës së qytetarëve.

 
 

Në këto kushte, një nga angazhimet e mia parësore, është që t'i kthej shqiptarëve mundësinë e tregut të lirë dhe frymëmarrjen konkurrencës së ndershme në çdo sektor të ekonomisë. Lufta kundër korrupsionit, anullimi i PPP-ve korruptive, ulja e taksave dhe taksa e sheshtë 9% do ta bëjnë Shqipërinë vendin e investimeve të mëdha dhe serioze, që bashkë me zhvillimin ekonomik do të sjellë dhe rritjen e numrit të vendeve të reja të punës me paga dinjitoze.

Image

Login to post comments