PENGMARRJA E ITALIANËVE NË LIBI DHE ZGJERIMI I GREQISË ME 12 MILJE NË JON

Diel, 13 September 2020 13:45
Nga Ilir Nikolla

Pengmarrja e fundit e 18 peshkatarëve italianë në ujrat ndërkombëtare pranë Libisë na jep një leksion të rëndësishëm se sa e papërgjegjshme po tregohet elita politike në pushtet në Shqipëri, duke shpallur se zgjerimi i Greqisë në detin Jon në 12 milje nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me ne. Pas konflikteve greko-turke në Egje, të cilat si shkas kanë bash kontradiktat mbi ndarjen e shelfit dhe të zonave ekonomike, nga Libia, një akt thuajse terrorist, që justifikohet nga pengmarrësit e Bengazit me marrëveshjen më të fundit mes Turqisë dhe Libisë për ndarjen e hapësirës ujore dhe zonës ekonomike mes tyre, na kujton se sa pasoja sjellin të tilla marrëveshje apo edhe mosmarrëveshje.
Ankaraja dhe Libia, në një marrëveshje të paprecedentë dhe të panjohur deri më tani ndërkombëtarisht kanë firmosur një marrëveshje për ndarjen e zonave ekonomike mes tyre në detin Mesdhe. Edhe pse kjo marrëveshje është kontestuar ndërkombërisht dhe 6 fuqitë kryesore në Mesdhe, Franca, Italia, Spanja, Portugalia, Greqia e Qiproja kanë krijuar një aleancë detare që kërkon respektimin e konventave ndërkombëtare në Detin Mesdhe, kjo s’i ka penguar “autoritetet” e Bengazit që të rrëmbejnë si piratë në Mesdhe, 30 kilometra larg bregut libian, në ujrat ndërkombëtare, dy peshkarexha italiane, me alibinë se ato po peshkonin në “ujrat e zonës ekonomike libiane”, me fjalë të tjera jo në ujrat e pretenduara libiane, por në ujrat e zonës ekonomike të pretenduar nga marrëveshja e panjohur ndërkombëtarisht mes Turqisë dhe Libisë.
Merret vesh se Shqipëria s’duhet të marrë fjalë për fjalë shembullin, por nga ky precedent dhe nga konflikti thuajse i armatosur greo-turk në Egje, kuptojmë pa pikë mëdyshje se çështja e 12 miljeve, e më tej, edhe çështja e ndarjes së zonave ekonomike (dhe e triliona eurove gaz që ndodhen në Jon) është një çështje dypalëshe (e shumëpalëshe). Përballë kësaj garancie, kemi Edi Ramën dhe shpurën e tij që thonë “ç’më duhet mua se ç’bën Greqia me zgjerimin në 12 milje në Jon”. Ai garanton se s’ka folur e s’ka dhënë firmë për këtë zgjerim, por që s’ka ndërmend të luajë as gishtin për ta ndaluar këtë akt.
Rama shkon pas 2 ditësh në Athinë si kryetar i radhës i OSBE-së. Ashtu si paraardhësi i tij Berisha në 8 vitet e qeverimit të tij, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama s’ka mundur të shkojë zyrtarisht në Athinë si kryeministër gjatë 8 viteve të “mbretërimit” të tij, pikërisht prej kompleksitetit të vështirë të marrëdhënieve dhe listës së gjatë të çështjeve të pazgjidhura mes dy vendeve. Nuk ka nevojë të hyjmë tek retorika patriotike e Edi Ramës në 2009, nuk ka nevojë të zbardhim bisedat me dosje-toptan negociatash që u zhvilluan prej tij në vitet 2016-2018. E vërteta është se problemet mes Greqisë dhe Shqipërisë janë aty, ato kanë mbetur siç kanë qenë, prandaj deklarimi i Edi Ramës se s’ka ndërmend të luajë as gishtin, pas vendimit të Greqisë për zgjerimin në 12 milje në Jon, bie erë. Në Egje po shkaktohet luftë për të njëjtat mosmarrëveshje, në Mesdheun libian tentojnë ta zgjidhin punën e zonave ekonomike, siç kanë bërë shpesh tash 1 mijë vjet, me pirateri e pengmarrje. Në Tiranë secili e bën vetë llogaritjen se ç’do të thotë vendimi i Ramës për të mos lëvizur as gishtin.
Login to post comments