Kreu i qeverisë Edi Rama ka zhvilluar një intervistë mëngjesin e sotëm për televizionin Mega në Greqi, ku është ndalur sërish te çështja e kufirit detar. Rama shprehet se në rastin kur zgjerimi nuk është i mundur për shkak të distancës së afërt mes dy shteteve, atëherë është e domosdoshme arritja e një marrëveshje mes qeverive.
Kreu i qeverisë është shprehur më tej se së shpejti do të presë në Tiranë ministrin e jashrtëm grek, pse jo më pas dhe kryeministrin, për të diskutuar më nga afër çështjen e detit.
Ndërkohë që lidhur me konfliktin që prej kohësh vijon që të jetë i ndezur mes Greqisë dhe Turqisë, Rama është shprehur pa rezerva për miqësinë e tij me Erdogan.
“Jam krenar që e kam mik," tha Rama.
Por një revistë franceze shkruan se Rama po e përdor Erdoganin si shantazh ndaj BE.
“Njeriu i fortë i Shqipërisë Edi Rama, ndonëse bërtet me të madhe se kërkon pranimin e vendit në Bashkimin Europian, ruan një tis shantazhi në ajër: nëse ju më mbyllni portat unë do të jem i detyruar të kthehem nga Ankaraja”.
Kështu shkruan në numrin e fundit të saj, e përjavshmja franceze “Marianne” e cila i kushton një analizë të gjatë marredhënieve shqiptaro turke me titullin : “Nën sqetullën e vëllait të madh turk”.
Revista, që përmend rastin e Saimir Tahirit dhe të kryebashkiakëve të kriminalizuar, mbështet tezën e pallateve që qëndrojnë bosh sepse janë ngritur për të pastruar paratë e drogës. Por me një ton ironik ajo e mbyll artikullin me historinë e tërmetit për të cilin u premtuan shumë ndihma nga jashtë, por vetëm ato turke kanë mbërritur.