Ambasadori britanik nga Shkodra:Marrëveshja e 5 qershorit nuk duhet të ndryshojë. Nëse ka ndryshime duhet konsensus.Porosia ime për shqiptarët

Tuesday, 22 September 2020 16:20

 

Ambasadori britanik Duncan Norman ka folur nga Shkodra për reformën zgjedhore dhe ndryshimet Kushtetuese. Norman deklaroi se marrëveshja e 5 qershorit nuk duhet të ndryshojë dhe nëse do të kishte vazhdimësi të reformës duhet të bëhen në mënyrë sa më transparente dhe të jenë në përputhshmëri edhe me konsensusin e duhur.

Jemi në kulmin e reformës zgjedhore, sa besoni se tryeza do jetë frytdhënëse dhe me lista të hapura, janë të mundshme këto në Shqipëri?

Reforma elektorale është një çështje e nxehtë dhe diçka që ne e shohim me rëndësi dhe do donim që të implementohet në mënyrën e duhur. Nuk kam një ide të saktë se cila do të ishte mënyra e duhur, çdo vend ka sistemet e veta politike dhe çdo sistem bëhet mirë funksional nëse ka vullnet politik. Ne ishim mbështetës të fuqishëm të reformës dhe ndryshimeve që u bënë në 5 qershor, një marrëveshje që u firmos nga të gjitha palët dhe vazhdon të qëndrojë dhe nuk duhet të ndryshojë ajo marrëveshje që u bë në 5 qershor. Nëse do të kishte vazhdimësi të reformës duhet të bëhen në mënyrë sa më transparente dhe të jenë në përputhshmëri edhe me konsensusin e duhur. Është detyrë e Këshillit politik për të gjetur një mënyrë funksionale dhe të gjejë një konsensus të përbashkët. Mendoj se kjo është e mundur.

Inkurajoj palët që të gjejnë një konsensus dhe ajo çfarë rekomandoj është që të gjendet një sistem që do funksiononte për Shqipërinë dhe që do i bënte zgjedhjet e 25 prillit të lira dhe të ndershme, kjo është me rëndësi për ne.

Sa shanse ka të ketë zgjedhje të lira dhe ekonomike kur ka tensione ndërsa edhe krimi i organizuar mund të diktojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve?

Besoj realisht që nëse ekziston vullneti politik Shqipëria do mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qeveria britanike punon ngushtësisht me Shqipërinë për të luftuar krimin e organizuar dhe do punojmë edhe me fuqishëm në muajt që vijnë duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme. Gjithashtu do vijojmë edhe bashkëpunimet me palët ndërkombëtare në mënyrë që të kemi një monitorim më të mirë të zgjedhjeve të ardhshme.

Ka një tensionim të gjuhës së ashpër të Presidentit ndaj qeverisë, mund të ndikojë kjo në zgjedhjet e 25 prillit dhe a është në gjuhën dhe vendin e duhur institucioni i Presidentit?

Presidenti ka një rol të rëndësishëm dhe të qartë kushtetues dhe ai vepron mbi atë që mendon se është gjëja më e drejtë në raport me Kushtetutën dhe nuk mendoj se është vendi i duhur që unë të komentoj.

Si i shihni përplasjet e fundit në Këshillin politik dhe kërkesat e reja?

Këshilli politik të vijojë punën e vet dhe nëse kjo gjë nuk është e mundur na duhet të shohim mënyra arbitrimi për ta zgjidhur por nuk jemi ende në atë stad.

Shumë të rinj nga veriu emigrojnë drejt Anglisë dhe përfshihen në krimin e organizuar atje, keni menduar si mund të ndalet kjo?

Lufta ndaj krimin të organizuar një nga prioritetet e mia më të mëdha dhe patjetër që do jetë në fokus të punës time edhe gjatë këtij viti që jam këtu në Shqipëri. Vitin e fundit ambasada jonë është rritur në numër dhe janë të fokusuar të gjithë se janë të fokusuar për të parandaluar krimin e organizuar dhe një pjesë e rëndësishme e asaj që shohim është që të merremi me procesin e krimit të organizuar. Një nga arsyet që njerëzit bëhen pjesë e krimit të organizuar është për të bërë para dhe nëse do kishim mundësi ta ndalonim këtë rrjedhje të burimit të të ardhurave atëherë edhe largimi i të rinjve do ndalohet.

Jeni i kënaqur me reformën në drejtësi deri më tani sepse shumë janë skeptikë dhe kemi parë disa anëtarë bandash që po lirohen nga burgu?

Britania e Madhe është mbështetës i madh i reformës në drejtësi dhe dje pata mundësi të takoj kreun e FBI shqiptare Aida Hajnaj dhe krijimi i BKH është i rëndësishëm dhe patjetër që ne do donim që kjo të ndodhte me shpesh por e vërteta është se nuk kemi alternativa të tjera dhe duhet të shohim reformën në drejtësi që të realizohet.

Integrimi ne BE, Shqipëria po bën hapa pas, keni një koment për këtë?

Britania nuk është me pjesë e BE por ne mbështesim fuqimisht dëshirën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE dhe gjitha reformat që Shqipëria të bëhet pjesë e BE dhe do donim që gjërat të bëhen më shpejt, Shqipëria ka shumë për të bërë dhe asgjë nga çfarë kërkohet nuk është se nuk mund të realizohen. Shqipëria do mundet t’i plotësojë kriteret e kërkuara nëse do të bëhet anëtar në BE.

Cila është porosia që keni për shqiptarët për zgjedhjet e 25 prillit?

Mbase nuk kam një këndvështrim se cilën parti shqiptarët duhet të votojnë por jam i bindur se shqiptarët duhet të votojnë. Është një detyrë dhe përgjegjësi që shqiptarët kanë ndaj vendit të tyre dhe vetes së tyre dhe ata janë që vendosin për të ardhmen e tyre.

Login to post comments