Analisti Kim Mehmeti, në programin e tij në SYRI TV, komentoi nismën e mazhorancës për të mos hapur listat zgjedhore. Ai tha se kjo është një ‘tjetër tallje e Piktorit’.
“Ato lista janë më të mbyllura se cilatdo lista. Sido që të votojë populli, në parlament do shkojnë të preferuarit e kryetarit.
Fillimisht duhet të hapen partitë. Partitë politike në Shqipëri, posaçërisht Rilindja e Piktorit, janë si kompanitë e Hollivudit, ku dihet se kush e luan filmin, por nuk dihet kush e financon filmin, dhe shpesh paratë vijnë nga mafia.
E dyta në zgjedhjet e 25 prillit duhet të jetë qëllim parësor departizimi i Shqipërisë. Kudo në botë sundojnë partitë, por askund në botë partia nuk është pronar i shtetit. Në ato vende ku partia është pronar i shtetit, nuk janë vende demokratike.
Aty ku partia vendos drejtorin e spitalit, drejtorin e teatrit, nuk mund të flitet për demokraci,” tha ai.
“Shqipëria nuk ka qenë kurrë më keq se sot. Është një shtet partiak. Në zgjedhjet e 25 prillit duhet të kontribuojmë të gjithë që Shqipëria të kalojë nga pronë e partive në pronë e shqiptarisë,” theksoi Mehmeti.