Opozita dërgon në Këshillin Politik draftin: Të hapen listat 100% dhe të ruhen koalicionet siç janë në ligjin aktual

Diel, 27 September 2020 21:32

 

Opozita e Bashkuar ka dërguar në Këshillin Politik draftin për hapjen e listave 100%. Në draft theksohet se duhet të ruhen koalicionet siç janë në ligjin aktual dhe për mosmarrëveshjet ti drejtohen OGIHR-it.

Drafti:

Z. Gjiknuri,

Me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë më 30 Korrik 2020, Kuvendi ka hequr nga neni 68 i Kushtetutës koalicionet zgjedhore të partive politike si subjekt me të drejtë propozimi të kandidatëve për zgjedhjet për Kuvendin. Në fakt, këtë të drejtë koalicionet parazgjedhore nuk e kanë patur në Kodin Zgjedhor që nga viti 2003, sepse sipas Kodit Zgjedhor kandidatët mund të propozoheshin vetëm nga zgjedhësit dhe partitë politike. Në këtë kuptim, ndryshimi i një anshëm kushtetues nuk ka bërë asgjë tjetër vetëm sa ka rregulluar një situatë faktike dhe që ka ekzistuar si e tillë që nga viti 2003!

Për këtë arsye dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi lidhur me rregullat e koalicioneve parazgjedhore dhe formulës së shpërndarjes së mandateve janë tërësisht në përputhje me Kushtetutën në fuqi.

Nga ana tjetër, ndryshimet e mësipërme kushtetuese nuk kanë hequr nga Kushtetuta koalicionin si një e drejtë dhe formë organizimi politik, përfshirë në konkurimin zgjedhor. Neni 96 i Kushtetutës parashikon që pas zgjedhjeve, koalicionet të propozojnë mandatarin për Kryeministër. Neni 68, i ndryshuar më 30 korrik 2020, apo ndonjë dispozitë tjetër kushtetuese, gjithashtu nuk përcaktojnë në mënyrë të shprehur ndonjë lloj të posaçëm koalicioni që duhet zbatuar në Kodin Zgjedhor. Kushtetuta nuk e ka përcaktuar kurrë diçka të tillë, sepse kjo ka qenë gjithmonë e rregulluar nga Kodi Zgjedhor.

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara me konsensus më 30 qershor 2020 nga Këshilli Politik mbi bazën e marrëveshjes së 5 qershorit 2020 dhe të miratuara nga Kuvendi më 23 korrik 2020 janë tashmë në fuqi. Këto ndryshime konfirmuan modelin e koalicionit zgjedhor siç ka qenë miratuar me konsensus në vitin 2003. Asnjë raport i OSBE/ODIHR-it apo vlerësim i përbashkët i Kodit Zgjedhor i kryer nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias pas adoptimit të modelit në fuqi të koalicioneve nuk e ka gjetur atë model dhe dispozitat përkatëse në kundërshtim me Angazhimet e OSBE-së dhe standartet e Këshillit të Evropës për zgjedhje demokratike. Për rrjedhojë reformat konsensuale të viteve 2004, 2008, 2012 dhe ajo e përmbyllur më 23 korrik kanë konfirmuar me konsensus modelin e koalicionit të vitit 2003. Ky model ka funksionuar pa asnjë ngërç me sistemin zgjedhor që ka qenë në fuqi nga viti 1998 dri në vitin 2008, si dhe me atë që ka qenë në fuqi nga 2008 e deri më sot.

Kodi Zgjedhor përcakton qartazi se koalicioni zgjedhor i partive politike është ai me ‘listë të përbërë’, i cili i jep të drejtën e propozimit të kandidatëvë secilës parti anëtare të koalicionit, dhe jo koalicionit. Për rrjedhojë, modeli në fuqi dhe dispozitat përkatëse për regjistrimin e koalicionit, shfaqjen në fletën e votimit, marrjen e votave, përllogaritjen e rezultatit dhe shpërndarjen e mandatit, të gjitha këto pjesë të sistemit zgjedhor në kuptimin e ngushtë të fjalës, janë në përputhje të plotë me Kushtetutën.

Në propozimet për ndryshime në Kodin Zgjedhor, me justifikimin se Kushtetuta ju detyron të ndryshoni dispozitat e koalicionit, ju propozoni një model krejt të ndryshëm të koalicionit. Me këtë propozim, ju kërkoni që modeli i koalicionit të jetë ai me ‘listë të përbashkët’. Theksojmë se ky model u shfuqizua me konsensus PS-PD në reformën e vitit 2003, dhe u zëvendësua me modelin në fuqi. Justifikimi juaj se këtë jua dikton ndryshimi i njëanshëm kushtetues është i pabazë. Ritheksojmë se neni 68, i ndryshuar më 30 korrik 2020, apo ndonjë dispozitë tjetër kushtetuese, nuk përcaktojnë ndonjë lloj të posaçëm koalicioni që duhet zbatuar në Kodin Zgjedhor, dhe as diktojnë ndryshimin apo modifikimin e mekanzimit ekzistues të funksionimit të koalicioneve dhe shpërndarjes së mandateve.

Me këtë propozim ndryshohen dhe dispozitat përkatëse për regjistrimin e koalicionit, shfaqjen në fletën e votimit, marrjen e votave, formulën dhe mënyrën e përllogaritjes së rezultatit dhe shpërndarjes së mandateve, të gjitha këto pjesë të sistemit zgjedhor në kuptimin e ngushtë të fjalës. Në mënyrë të posaçme, propozimi i juaj i jep koalicionit të drejtën e propozimit të kandidatëve, ndërkohë që ndryshimi i njëanshëm kushtetutes ia hoqi këtë të drejtë. Për këtë arsye, propozimi juaj është në kundërshtim të hapur me dispozitat kushtetutese në fuqi

Presidenti i Republikës ka dekretuar më 6 shtator 2020 që zgjedhjet për Kuvendin të mbahen më 25 prill 2021. Kodi Zgjedhor përcakton se regjistrimi i partive politike si subjekte zgjedhore të bëhet jo më vonë se 70 ditë para datës së zgjedhje, pra jo më vonë se data 17 shkurt 2021. Vetë dekreti i Presidentit shënon nisjen e procesit zgjedhor. Duke filluar nga data 7 shtator, partive politike u ka lindur e drejta për t’u regjistruar në KQZ, si dhe të regjistrojnë koalicione sipas ligjit në fuqi. Kjo është një e drejtë e fituar, mbi bazën e të cilës konkurentët zgjedhorë hartojnë strategjitë dhe taktikat zgjedhore të garimit, me qëllim mbledhjen e vota që më pas do të kthehen në mandate.

Çdo ndryshim në këtë fazë i rregullave për koalicionet do të ndikonte tek një e drejtë e fituar, gjë që cënon parimin kushtetues të sigurisë juridike e mbi të gjitha, parimin e OSBE-së dhe të Këshillit të Europës për ‘stabilitetin e legjislacionit zgjedhor’ e veçanërisht të elementëve themelorë të tij siç përcaktohen Kodin e Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore dhe parimin e ‘fushës së barabartë të lojës’. Pikërisht për të mbrojtur këto parime themelore që garantojnë ndershmërinë e zgjedhjeve kundër përpjekjeve për manipulim të sistemit në avantazh të mazhorancës qeverisëse, Kodi i Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore përcakton si afat të fundit për ndryshime të tilla një vit para datës së zgjedhjeve. Ky është një nga elementët kyç që OSBE-ODIHR të vlerësojë se zgjedhjet në një vend anëtar të OSBE janë demokratike.

Për sa më sipër, Opozita e përfaqësuar në Këshillin Politik sipas marrëveshjes së 14 janarit 2020 konsideron se propozimet e Partisë Socialiste të depozituara në Kuvend dhe përpara Këshillit Politik janë në kundërshtim me parimet europiane për zgjedhje demokratike dhe në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Për këto arsye, Opozita e kundërshton këtë ndryshim ligjor të modelit koalicioneve të propozuar nga Partia Socialiste dhe tekstin legjislativ që e zbaton atë.

Në këtë mënyrë, palët ndajnë qëndrime të ndryshime dhe kundërshtuese të njëra-tjetrës, për një nga elementët themelorë të procesit zgjedhor.

Ndryshimi i propozuar nga ju modifikon pa asnjë shkak të ligjshëm rregullat për mbledhjen e votave dhe kthimin e tyre në mandate, jo vetëm pasi ka kaluar afati një vjeçar i përcaktuar nga standarti i OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, por i ndryshon ato pasi ka nisur procesi zgjedhor duke cënuar të drejta të fituara të partive politike për garim të lirë e të ndershëm.

Ndodhur përpara kësaj mosmarrëveshje midis palëve në Këshillin Politik, Opozita ka kërkuar zyrtarisht zbatimin e mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të parashikuar nga Marrëveshja e 14 Janarit 2020, ku theksohet se ‘në rast mosdakordësie për çështje të caktuara, Këshilli Politik i drejtohet për asistencë të specializuar OSBE/ODIHR-it, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme’. Çdo përpjekje nga ana e juaj për të penguar këtë rrugë të gjetjes së një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët, në përputhje me parimet europiane për zgjedhje demokratike, cënon marrëveshjen e 14 Janarit 2020.

Për këtë qëllim, në mirëbesim dhe me vullnetin e mirë për të përfunduar sa më parë Reformën Zgjedhore, që është shumë e rëndësishme edhe për nisjen e bisedimeve të antarësimit me BE, opozita ju përcjell propozimin e mëposhtëm legjislativ për hapjen e vërtetë të listave duke ruajtur modelin e koalicionit siç është sot në fuqi.

Sa më sipër dhe referuar projekt-kërkesës drejtuar ODIHR, të cilën opozita e ka paraqitur zyrtarisht në mbledhjen e datës 22 shtator, ju ftojmë që së bashku t’i drejtohemi OSBE/ODIHR-it duke i parashtruar për vlerësim përputhshmërie me standartet e OSBE-së dhe standartet e tjera europiane për zgjedhje, dispozitat ligjore në fuqi për rregullat e koalicioneve parazgjedhore dhe formulën e shpërndarjes së mandateve, si dhe propozimin tuaj ligjor për ndryshimin e tyre.

Në pritje të përgjigjes tuaj,

Oerd Bylykbashi

Petrit Vasili

PROJEKTLIGJ

Nr. __/2020

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 019, DATË 29.12.2008, ‘KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË’, I NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SE SHQIPËRISË

VENDOSI

Në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 67, pikat 4 dhe 5 ndryshohen si më poshtë:

4. Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit alfabetik, duke filluar nga gërma ‘a’. Numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Për partitë pjesëtare të koalicionit, që garojnë me lista shumemërore të veçanta, numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Në çdo rast, numri i kandidatëve në listën shumemërore duhet të jetë i plotpjesëtueshëm me numrin tre.

5. Subjekti zgjedhor nuk mund të ndryshojë renditjen e kandidatëve të listës pas regjistrimit të saj. Kandidatët rirenditen vetëm në zbatim të procedurave të këtij ligji për përllogaritjen e mandateve fituese në bazë të votimit parapëlqyes dhe të plotësimit të kushtit ligjor për kuotën gjinore.’

Neni 2

Në nenin 98, pas pikës 4 shtohet pika 4/1 me këtë përmbajtje:

4/1. ‘Fleta e votimit duhet të përmbajë hapësirën e posaçme për ushtrimin e votimit parapëlqyes për kandidatët e subjekteve zgjedhore, numrat përkatës identifikues të së cilëve, sipas listave që kanë depozituar subjektet zgjedhore, duhet të figurojnë qartë në fletën e votimit .

Mënyra e votimit parapëlqyes përcaktohet nga KQZ-ja në varësi nga numri i subjekteve pjesmarrëse në zgjedhje, duke respektuar kushtin që informacioni i përcjellë nga fleta e votimit të mos jetë tejet i ngarkuar, konfigurimi i fletës të jetë i qartë e i kuptueshëm për zgjedhësin dhe zgjedhësi t’a ketë të lehtë orientimin për votimin e subjektit zgjedhor dhe të kandidatit të parapëlqyer.’

Neni 3

Pika 1 e nenit 106 ndryshohet si më poshtë:

‘Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon në krah të emrit të subjektit zgjedhor apo partisë pjesëtare të një koalicioni, dhe kandidatit të parapëlqyer të subjektit zgjedhor shenjën ‘x’ ose ‘+’ apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij.’

Neni 4

Në nenin 117 bëhen ndryshimet si më poshtë:

1. Pika 2 ndryshohet si më poshtë:

‘Vota të vlefshme janë vetëm fletët e votimit, në të cilat është votuar qartësisht vetëm për njërin nga subjektet zgjedhore apo partinë politike pjesëtare të koalicionit dhe vetëm për njërin nga kandidatët e tij.

Kur zgjedhësi ka votuar vetëm për një parti politike por jo për një kandidat të saj, apo kur ka votuar për më shumë se një kandidat të të njëjtës parti, vota i llogaritet vetëm partisë politike.’

2. gërma ‘e’ ndryshohet si më poshtë:

‘e) është votuar për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e një subjekti tjetër zgjedhor’

3. Pas gërmës ‘ë’ shtohet gërma ‘f’ me këtë përmbajtje:

‘f) nuk është e qartë se për kë është votuar ‘

Neni 5

Në nenin 118 bëhen ndryshimet si më poshtë:

Pas pikës 6 shtohet pika 6/1 me këtë përmbajtje:

‘6/1 Pas përfundimit të procedurave sipas pikës 6 të këtij neni bëhet numërimi, sipas parashikimeve në pikat 1 dh 2 të nenit 95, i votave parapëlqyese për çdo kandidat të subjektit zgjedhor.’

Neni 6

Pikat 5 e vijuese të nenit 163 ndryshohen si më poshtë:

5. Menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike, sipas këtij neni, KQZ-ja përcakton mandatet nominale për çdo parti politike, në bazë të renditjes së kandidatëve në listë.

Mandatet nominale përcaktohen pasi kandidatët të jenë renditur në bazë të votave parapëlqyese që ka marrë secili prej tyre. Renditet i pari kandidati që ka marrë numrin më të madh të votave parapëlqyese dhe pas tij në rend zbritës kandidatët e tjerë deri te kandidati i fundit i cili ka marrë numrin më të vogël të votave parapëlqyese.

Kur nga ndarja e mandateve nominale të subjektit zgjedhor, brenda zonës zgjedhore, nuk respektohet parimi i barazisë gjinore i cili garanton përfaqësimin në masën e të paktën 30 % të gjinisë së nën përfaqësuar KQZ ndan mandatet duke garantuar parimin e barazisë gjinore. Në këtë rast mandati i fundit takues për kandidatin e gjinisë më të përfaqësuar ndahet për kandidatin me numrin më të lartë të votave parapëlqyese të gjinisë së nënpërfaqësuar. Kjo procedurë përsëritet deri sa mandatet që ndahen të respektojnë detyrimin e përfaqësimit në masën 30 % të gjinisë së nën përfaqësuar për secilën zonë zgjedhore.

6. Në rastet kur numri i votave parapëlqyese të cilat përcaktojnë mandatin e fundit që ndahet është i barabartë, pa cënuar kuotën gjinore, mandati ndahet me short.

7. Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.’

Neni 7

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pa botimit në Fletoren Zyrtare

Modifikuar më Diel, 27 September 2020 21:34
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...