Presidenti i Republikës Ilir Meta vjen me një mesazh të fortë në Ditën e Trashëgimisë Kulturore teksa deklaron se krimet e rënda kushtetuese ligjore dhe morale, veçanërisht në Tiranë e Durrës kundër trashëgimisë kulturore do të jenë të paamnistueshme.
Kreu i Shtetit thekson se akti taleban i shembjes së Teatrit Kombëtar dhe shkatërrimi i shumë vlerave unikale arkeologjike në Drrës janë dëshmitë ulëritëse se si arroganca, korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e një pushteti mund të sjellë dëme të pariparueshme për trashëgiminë tonë kombëtare e kulturore. Meta garanton shqiptarët se gjithçka është mbajtur shënim dhe askush nuk ka për t’i shpëtuar Drejtësisë!
MESAZHI I PLOTË
Akti taleban i shembjes së Teatrit Kombëtar, shkatërrimi i shumë vlerave unikale arkeologjike në Durrës dhe dëmtimi i disa monumenteve në mbarë vendin janë dëshmitë ulëritëse më të freskëta se si arroganca, korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e një pushteti mund të sjellë dëme të pariparueshme për trashëgiminë tonë kombëtare e kulturore, pjesë e trashëgimisë europiane.
Të gjitha këto krime të rënda kushtetuese, ligjore dhe morale, të konsumuara veçanërisht në Tiranë dhe Durrës ku dëmet kanë qenë të jashtëzakonshme, do të jenë të paamnistueshme!
Sepse këto akte barbarie, për më tepër të kryera nga institucionet shtetërore, janë sulme të drejtpërdrejta ndaj identitetit tonë kombëtar.
Ndaj sot në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore i garantoj të gjithë shqiptarët se gjithçka është mbajtur shënim dhe askush nuk ka për t’i shpëtuar Drejtësisë!
Duke kujtuar Profesor Paolo Vittin i cili me të drejtë thotë se: “Europa nuk është vetëm euro, por edhe kulturë, solidaritet, humanizëm dhe identitet”, risjell edhe njëherë në vëmendje qëndrimin e “Europa Nostra” në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar: “Le të jetë kjo ngjarje e mjerueshme ajo që do të shënojë fillimin e një zgjimi të vërtetë të shoqërisë civile në Shqipëri të udhëhequr nga artistë dhe intelektualë”.
Barbaria dhe talebanizmi nuk kanë vend në shoqërinë tonë! KOHA PËR DREJTËSI! 🇦🇱