Kryedemokrati Lulzim Basha i ka bërë thirrje qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama të adaptojë planin e prezantuar sot për rimëkëmbjen ekonomike me 5 pika.
Basha tha se të paktën këta 6 muaj qeveria duhet të bëjë detyrën e saj për të parandaluar përkeqësimin e situatës ekonomike dhe shëndetësore, adapto planin tonë.
Sipas tij, këta 5 hapa për përballimin e krizës, nuk janë monopol i PD-së, nuk janë as sfidë, as karshillëk por janë një kujtesë për qeverinë.
“Ky takim nuk ka të bëjë me planin tonë elektoral por me paketën në 6 muajt e fundit të kësaj qeverie sepse ne e konsiderojmë të papërgjegjshme atë që po ndodh dhe e konsiderojmë detyrën tonë karshi shqiptarëve që të paraqesim këtë plan masash, këto 5 hapa kundër krizës në mënyrë që në këto 6 muaj të fundit qeveria të mos vazhdojë të bëjë më shumë dëm por të bëjë të paktën këto 6 muaj detyrën e saj në raport me shëndetin e njerëzve, në raport me ekonominë.
Sa i përket taksës së sheshtë 9%, kur taksa 10% u prezantua në vitin 2006-2007 të ardhurat u rritën me 1.6 mld euro. Ulja e taksës ul informalitetin dhe rrit të ardhurat buxhetore, rrit aktivitetin ekonomik. Sa më shumë aktivitet ekonomik të ketë aq më shumë të ardhura ka buxheti i shtetit. Taksa 9% do rrisë të ardhurat buxhetore të paktën me të njëjtën masë siç i rriti taksa e sheshtë në 2006-2007. Ndërkohë që afro 450 mln euro, të cilat përbëhen nga 300 mln euro të prokurimeve sipas KLSH-së dhe 150 mln euro të tjera të shpenzuara nga qeveria përbëjnë një rezervë të mjaftueshme jo vetëm për të ndjekur politikat tona ekonomike dhe sociale por për të thelluar edhe më tej investimet publike që ndihmojnë ekonominë por dhe daljen nga kriza të bizneseve dhe shqiptarëve.
Uji në shkolla, çështje prioritetesh, nëse paratë që ia jep pushtetit vendor për dyfishimin e stafit para zgjedhjeve natyrisht nuk do shkojnë për ujin në shkolla apo s’do të shkojnë për ndihmë ekonomike. Sot çdo shpenzim duhet bërë duke pasur parasysh krizën që po kalon vendi dhe pjesë e kësaj krize është mungesa e ujit të rrjedhshëm në shkolla.
Unë nuk do të kisha lejuar kurrë këto 6 muaj, duke e ditur që do vinte shtatori për të hapur shkollat që gjëja elementare për t’u përballur me pandeminë, uji i rrjedhshëm të mungonte në asnjë shkollë dhe për këtë ajo që duhet është vullneti politik.
Ky është plani i rimëkëmbjes së PD, këto janë 5 hapat për përballimin e krizës, nuk janë monopol i PD-së, nuk janë as sfidë, as karshillëk. Janë një kujtesë për qeverinë që këto 6 muaj që i kanë mbetur të bëjë detyrën e saj, janë një kujtesë për kryeministrin që të sillet këto 6 muaj me përgjegjësitë që i takojnë. Nuk kemi absolutisht asnjë xhelozi, përkundrazi mirëpresim adoptimin e këtyre 5 pikave. Në momentin që e bëjnë këtë, nuk do dal të marr kredi personale as unë as PD, s’po e bëjmë as për fushatë, as për interesa politike por për gjendjen. Janë masa që duhet të merren, i bëj thirrje qeverisë dhe kryeministrit të paktën këto 6 muaj që i kanë mbetur të bëjë gjithçka për të parandaluar përkeqësimin e situatës ekonomike dhe shëndetësore. Kjo është kërkesa që i bëj autoriteteve duke filluar nga kryeministri dhe institucionet përkatëse. Do të vazhdojmë detajimin e kësaj pakete”, deklaroi Basha.