Si e shitën socialistët Alqi Bllakon pa dëgjuar ende provat e SPAK

E mërkurë, 30 Mars 2022 10:30

 

Këto çaste të fundit që Alqi Bllako ka mundësi t’i shijojë jashtë qelisë së burgut, i dedikohen komplikimit të procedurave ligjore në rastin kur duhet arrestuar një deputet. Sepse, po të ishte për kolegët socialistë të partisë, pritja do të kishte qenë fare e shkurtër, duke marrë parasysh implikimin e tij në aferën e inceneratorëve.

Ende pa u caktuar mbledhja e Komisionit të Mandateve në parlament, ku pritej që prokurorët të paraqisnin provat dhe faktet për arrestimin e Alqi Bllakos për ryshfetin në aferën e inceneratorëve, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla dha sinjale se deputeti ishte tashmë “i paketuar”, gati për t’u dërguar tek prokurorët e SPAK.

 

“PS ka vendosur një vijë të kuqe me këdo, sapo ndaj një përfaqësuesi të PS drejtësia kërkon ose vendos një masë sigurie, ose sjell në Kuvend një kërkesë për hetime apo për çështje të tjera, natyrshëm është që vija e kuqe është që PS nuk është mburojë për askënd”, tha Balla.

 

 

Nëse Bllako kishte pasur një shpresë se shokët e tij në parti do ta mbronin njësoj siç bënë dikur me Saimir Tahirin, ajo u shua përfundimisht në momentin që foli Balla. Në fakt, reagimi i Taulant Ballës ishte i parakohshëm, nëse sillet në vëmëndje mburoja që i bënë socialistët Saimir Tahirit.

 

Në atë kohë edhe ligji u ndryshua, duke detyruar prokurorët që të paraqesin prova në Komisionin e Mandateve, me anë të të cilave duhet të bindin deputetët se kanë mjaftueshëm prova për arrestimin e një kolegu të tyre, në këtë rast Alqi Bllakos. Por socialistët refuzuan ta ushtrojnë këtë të drejtë, që vetë e kanë sanksionuar me ligj, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë arrestimit ende pa u njohur me provat e SPAK.

Qëndrimi është në kontrast të thellë me rastin e Tahirit.

Megjithatë pohimi i Taulant Ballës ishte vetem një konfirmim i mesazhit, që Alqi Bllako e kishte marrë prej kohësh nga grupi parlamentar i socialistëve. Pak orë më pas, Bllako lajmëroi dorëzimin e mandatit të deputetit, duke premtuar të dilte i zhveshur, pa imunitet në duart e prokurorëve.

“Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik. Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj”, shkruajti Bllako.

Arrestimi i Bllakos është vetëm çështje kohe. Në këto orë të fundit, deputeti i PS ka mundësi të kuptojë se si u përmbys situata për të dhe Lefter Kokën pas 25 Prillit.

Fillimisht Bllakon e pritën si një ndër më të vlefshmit e familjes socialiste. I dhanë menjëherë një vend të sigurtë në listën e kandidatëve në kryeqytet, duke spostuar poshtë emra të njohur të politikës, si Pandeli Majko apo Fatmir Xhafaj. Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës u mundua ta sponsorizojë përmes daljeve të përbashkëta në media gjatë ditëve të fushatës.

Mburoja i vinte nga Lefter Koka, me të cilin kishte një bashkëpunim të gjatë në LSI, në Ministrinë e Mjedisit dhe më vonë në PS. Vetë Koka ishte ndër bashkëpuntorët më të ngushtë të Edi Ramës, me të cilën ndau jo vetëm tryezën e darkave të përbashkëta, por edhe elektoratin e LSI në Durrës.

Por historia e një karriere premtuese në Partinë Socialiste u shpërbë, sa më shumë që avanconin hetimet e SPAK. Në fillim ishte dorëheqja e Leftër Kokës, pastaj përbetimet e Ramës se nuk do ta shndërronte flamurin e PS në mburojë për askënd, pastaj arrestimi i Lefter Kokës, marrja në pyetje në SPAK e deputetit të ri, mediatizimi i çështjes, përfolja për arrestimin e mundshëm dhe në fund, njoftimi që paralajmëron prangat dhe qelinë e burgut.

Për momentin, Bllako akuzohet për përfitimin e rreth 150 milion lekëve ryshfet për favorizimin e kompanive të Klodian Zotos, Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalles. Shtëpia e babait të tij është sekuestruar. Nga nesër, me gjasë do të nisë një jetë e re.

Premtimet për një karrierë të ndritur politike janë shkërmoqur, ndërsa qeveria e PS më shumë se vuan humbjen e një deputeti, po përfiton nga zhurma e arrestimit para një date tjetër për hapjen e negociatave me BE./LAPSI

 

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...