Bima e mendësisë së poshtër që mëmëdheun e mbron nga ‘malokët’

E Enjte, 07 Prill 2022 11:20

Nga Kim Mehmeti

 

Kush mund ta paramendonte se Shqipëria do bjerë në duart e ‘Rilindësve’, të cilët me objektet nga e shkuara shqiptare do veprojnë ashtu si qarqet antishqiptare në ish- Jugosllavi: do i rrethojë me pallate, me çka do i bëjë të padukshëm dhe do ua marrin frymën, e që pastaj të papenguar t’i rrënojë.

Pra kush mund ta paramendonte se jo vetëm Teatrin Kombëtar, por ky regjim do e rrethojë me beton dhe do e bëjë ‘më të vjetër e më të bukur’ seç është edhe Sheshin e Flamurit në Vlorë, edhe atë vend të shenjtë për gjithë shqiptarinë, atë ‘tempull’ të cilin e zbukuron dhe e bënë të lavdishëm ajo që ne ndjejmë ndaj flamurit Kuq e Zi, e jo zbukurimet që mund t’i pjellë fantazia e Piktorit?

Pastaj, kush ka mundur ta paramendojë se jo vetëm në disa vende sllave, ku prodhohet helmi i antishqiptarisë dhe ku armiku i natyrshëm i tyre ishte dhe mbeti raca e ‘prapambetur’ dhe e ‘poshtër’ e quajtur ‘shiptari’, por edhe në Shqipëri na qenka rritur bima e mendësisë së poshtër institucionale që mëmëdheun e mbron nga ‘malokët’ dhe ‘shpellarët’?!

 

 

Dhe ku ta dish, mbase pas zbrazjes dhe shpopullimit të Shqipërisë, pas rrënimit dhe kriminalizimit thuajse të plotë të shtetit, rrëgjimit të sotëm të ‘Rilindjes’ edhe nuk i ka mbetur gjë tjetër përpos ta copëtojë vendin në principata e bajraqe si dhe, mëmëdheut t’ia shlyej çdo shenjë njohëse nga e shkuarën, kështu që vetveten ai ta kujtojë vetëm nga dita kur ra në duart e Piktorit.

 

Në të vërtetë, ne këtej kufirit e dinim se në mëmëdhe është shtuar numri i politikanëve që nuk ndjehen mirë në lëkurën e shqiptarit, që vuajnë të jenë të pëlqyerit e Beogradit, por kurrë nuk mund ta besonim se kjo racë e re politike do mund ta sundojë mëmëdheun e papenguar nga askush.

Dhe le të mos mëkatojmë: racën e politikanëve shqiptarë, të cilëve nuk u pëlqen populli i tyre që i ushqen dhe i majmë si derra, as na e sollën as na e ‘prodhuan’ të huajt, por ata u rritën në djepin e pandjeshmërisë dhe papërgjegjësisë sonë ndaj shqiptarisë. Papërgjegjësi e pandjeshmëri që të bënë të kujdesesh vetëm me çka do e mbushësh stomakun dhe xhepin, por jo edhe me çka do e mbash drejtë dinjitetin dhe krenarin kolektive. Pra që të çon të mos ndjesh të vjella edhe kur hanë bukën e ngjeshur nga mielli i atij që ndërton rrugë mbi varrezat masive të mbushur me pafajësinë shqiptare - nga mielli i Vuçiqit!

Po pra, le të mos mëkatojmë, ne sot nuk kemi probleme me të huajt që nuk na duan, por me politikanët tanë që ndjehen keq si shqiptarë dhe të cilët janë aq modernë, aq mendjehapur, aq kozmopolitë, sa urrejnë dhe rrënojnë çdo gjë që ua rikujton shqiptarinë e 'malokëve' dhe 'shpellarëve''?!

Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...