Mina me sahat e energjisë elektrike në Shqipëri!

Hënë, 29 August 2022 12:00

 

MONITOR

Europa pritet të kalojë një dimër të vështirë, për shkak të shtrenjtimit të gazit dhe energjisë në rekorde të papara ndonjëherë. Në fund të muajit gusht, çmimet e energjisë arritën në 708.9 euro/MWh në bazë dhe në pik, 750 euro/MWh në Bursën e Hungarisë, nivele këto që ishte parashikuar të arriheshin në tetor.

 

Për Shqipërinë, që në varësi të rezervave hidrike dekadën e fundit ka importuar nga 20-50% të nevojave të saj energjetike, dimri pritet të jetë edhe më i ashpër, për shkak të varësisë së lartë që kanë kompanitë shtetërore të energjisë nga buxheti për garantimin e të ardhurave për blerjen e energjisë dhe faturës gati të papërballueshme, e cila pritet të arrijë deri në fund të vitit.

 

 

P.sh., për tremujorin e parë të vitit 2022, sipas INSTAT, nga importi (bruto) u sigurua 30% e energjisë në dispozicion, nga 4% që ishte kjo peshë në të njëjtën periudhë të vitit 2021!

 

Për periudhën janar – gusht, kompanitë energjetike kanë shpenzuar gati 300 milionë euro për të blerë energji nga importi, e ndikuar si nga sasia e lartë për shkak të nivelit të ulët të prodhimit vendas nga mungesa e reshjeve, ashtu dhe shtrenjtimi i çmimeve në bursa.

Për pothuajse të njëjtën periudhë të një viti më parë (janar-korrik) u shpenzuan 7 milionë euro, ndërsa për gjithë vitin 2021, fatura shkoi 285 milionë euro, për shkak të situatës së vështirë që u shkaktua nga mungesa e reshjeve dhe nisi kriza globale e energjisë.

Si Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), ashtu dhe OSHEE Group, nuk kanë aftësi financiare për të përballuar blerje të mëdha të energjisë. Qarkullimi vjetor total i të dyjave në vitin 2021, sipas bilanceve zyrtare, ishte 82 miliardë lekë, 670 milionë euro, ndërsa OSHEE raportoi humbje prej 100 milionë eurosh.

Është buxheti i shtetit ai që garanton pagesat e këtyre kompanive. Për vitin 2022 janë parashikuar në buxhet 28 miliardë lekë (230 milionë euro) për të garantuar furnizimin me energji, nga të cilat 20 miliardë lekë janë subvencione dhe 8 miliardë lekë, kredi.

Deri tani është shpenzuar gati 60% e kësaj shume. Me këto nivele importi dhe çmime të “çmendura” në bursa, parashikohet që qeverisë t’i mbarojnë shumë shpejt fondet që ka vënë në dispozicion për mbulimin e nevojave të energjisë.

Këtu do të fillonte kriza e vërtetë. Buxhetit do t’i duhej që të rishikonte prioritetet dhe të shkurtonte shpenzimet në sektorë të tjerë, në mënyrë që të mos e lërë vendin në errësirë. Vështirësia në sigurimin e energjisë është një tjetër problem, krahas çmimit të lartë.

Ndërsa në muajt e parë të vitit, financat iu “gëzuan” një rritje të lartë të të ardhurave, për shkak të shtrenjtimit të të gjithë produkteve, tashmë situata ka ndryshuar.

Ashtu siç pritej, çmimet e larta kanë frenuar konsumin në vend (e konfirmuar nga tkurrja e importeve në sasi), duke u reflektuar në të hyrat buxhetore.

Në korrik, të ardhurat nominale u rritën me vetëm 0.3% me bazë vjetore, nga 19% që kishte qenë zgjerimi për 6-mujorin. Duke e indeksuar për inflacionin, që në korrik arriti nivelin më të lartë në 20 vjet, në 7.5%, rritja reale e të ardhurave në korrik ishte negative. Nëse kjo tendencë vazhdon, presioni mbi buxhetin për të garantuar energjinë në muajt në vijim do të jetë mjaft i lartë.

Koston nuk do ta mbajë vetëm buxheti, por edhe individët e bizneset. Që nga fillimi i vitit, rreth 7500 kompani që ishin të lidhura në tensionin e mesëm dolën në tregun e lirë, që nënkupton se duhet ta siguronin vetë energjinë me çmime tregu.

Qeveria i favorizoi deri diku, duke u vendosur një çmim fiks që ishte më i ulët sesa i tregut, por dy herë më i lartë, sesa kur e blinin me tarifë të rregulluar. Këtë kosto, bizneset e kaluan në pjesën më të madhe te çmimet që ata u faturojnë konsumatorëve (p.sh., energjia është një nga arsyet e shtrenjtimit të bulmetrave).

Sinjalet janë që ky favorizim nuk do të zgjasë dhe shumë, duke i detyruar kompanitë të blejnë energji me çmime tregu, që aktualisht janë 4 herë më të larta se më parë. Edhe për konsumatorët është paralajmëruar shtrenjtimi për fashën mbi 800 kvh, që i korrespondon një fature më të lartë se 7,600 lekë në muaj (kufi që në muajt e dimrit kalohet lehtësisht nga shumë familje).

Mbi këtë fashë, familjet do të paguajnë me çmime tregu që mesatarisht është 30-36 lekë kvh nga 9.5 që është sot, por mund të shkojë shumë më tepër nëse energjia në bursa shtrenjtohet më tej në tetor.

Në afatin e gjatë, zgjidhja është te diversifikimi i burimeve të energjisë. Diversifikimi, që duhet të kishte ndodhur prej kohësh, teksa interesi i bizneseve, sidomos për atë diellore, është i lartë, por për shkak të burokracive dhe rregullimet ligjore për netimin e energjisë, po zvarriten dhe kërkesat e sipërmarrjes nuk po plotësohen.

Ndërsa në afatin e shkurtër, shpëtimi i vetëm, që energjia të mos kthehet në një mine me sahat për ekonominë, është të lutemi që të bjerë sa më shumë shi…

Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...