Grupi Parlamentar i PD është mbledhur sot në mesditë nën drejtimin e kryetarit Sali Berisha. Në fjalën e tij në këtë mbledhje që zhvillohet vetëm një ditë para mocionit me debat , interpelancës së Kryeministrit Edi Rama në Kuvend për aferën me Charles McGonigal dhe dy ditë para protestës së madhe kombëtare të thirrur nga opozita, z. Berisha tha:
"Sot ne mblidhemi në prag të mocionit për Edvin Gonigalin, i cili bëri gjithçka që të sabotojë këtë mocion, bëri gjithçka që të fshihet nga super-skandali i shekullit, nga “Watergate” i shek. XXI, por një gjë i garantoj shqiptarët se dosja e tij po bëhet gjithnjë e më e zezë nga hetimi shumë serioz që bën FBI dhe Kongresi i SHBA. Edi Rama në këtë dosje rreshtohet me Deripaskën dhe me MCGonigalin, rreshtohet si një person që i lejoi vetes një akt që mund ta ndërmerrte vetëm biri shpirtëror i Enver Hoxhës apo i Kim Jong Un, rreshtohet pra me ato persona që nga urrejtja nga shkaqe të tjera nuk njohin asnjë kufi në akte ndaj SHBA.
Dhe unë kam bindjen nesër në parlament, atij do t’i numërohen në sy një për një, e gjithë veprimtaria supermafioze me akte të veçanta që ka kryer me një tradhtar të kombit amerikan, të cilit i ishin besuar detyrat më të larta në fushën sensitive të sigurisë së SHBA dhe shqiptarët duhet të njihen me të gjitha aspektet, duhet të njihen me qindra e qindra denoncime të medieve amerikane, evropiane e botërore në të cilat dilnin tre personazhe të zeza, Oleg Deripaska në njërën anë, McGonigal- tradhtar i SHBA në anën tjetër dhe Edi Rama, supermafioz, që e kontrakton atë si vrasës me pagesë të opozitës shqiptare dhe që shndërron Tiranën në epiqendër të gjobave që McGonigal dhe klani i Ramës, Duçka dhe Neza, prisnin ndaj biznesmenëve shqiptarë.”