“Sot, secili prej jush është në një mision të madh për veten, fëmijët, kombin e tij. Një mision që do u japë shqiptarëve, Shqipërinë e shekullit të 21-të.
Këtë mision e përmbushin të rinjtë, demokratë, por edhe socialistë të penduar, të cilët nga koha e tyre, dalin shtëpi më shtëpi për të shpërndarë thirrjet dhe fletëpalosjet e këtij revolucioni. Këtë mision e përmbushin nëna dhe baballarë, gjyshër dhe gjyshe, që kanë përcjellë me lot fëmijët e tyre jashtë, por janë sot këtu me ne, deri në fund, në emër të tyre, në emër të Shqipërisë.
Cili është qëllimi i këtij revolucioni? Është përmbysja e monizmit të bazuar në krimin, drogën, në vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve. Kurrë në histori, një njeri nuk ka vjedhë këtë komb siç e ka vjedhur Edi Rama me organizatën e tij kriminale.
Në një kohë që ju përcillni fëmijët jashtë për kafshatën e gojës, kryeministri shpirtlig, vendos prapa kësaj ndërtese, vazon 4 milionë euro, e mjaftueshme për të blerë ilaçet një muaj të gjithë pensionistët shqiptarë.
Në një kohë kur ju, gëzimet familjare, dasmat, ditëlindjet, festat e tjera, mezi i gëzoni se nuk keni para, ky krim-ministër shëtit me avionin e tij në dispozicion me dhomë gjumi, dreko dhe darkon me 10 mijë euro, shpenzon 22 milionë euro me fluturime.
Nuk është vjedhja e parave problemi më i madh i këtij hajduti të papërmbajtur. Vjedhja e të ardhmes tonë është akti i tij më makabër. Në 8 vite, 35 përqind e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria. Në 8 vite, secili prej nesh kemi humbur një të tretën e të dashurve tanë në dhera të tjera. Me këto ritme, Shqipëria shkon drejt shuarjes dhe zhdukjes. Dhe ky mendon se do jetojë diku në Karaibe apo në ishujt e nxehtë të Oqeanit Indian.
Ne jemi këtu për t’i thënë: Edi Rama, sot ke para, ke banka, ke çdo gjë. Por me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtyre qytetarëve. Me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtij revolucioni.
Sot, pasi asgjësoi PS-në, i hoqi të drejtat, votën dhe çdo gjë. E uzurpoi me sektin antishqiptar të Rilindjes, ai kërkon të asgjësojë PD-në. Mendon dhe beson se do na përjashtojë nga zgjedhjet. Edi Rama, ne do të përjashtojmë nga Shqipëria! Ne jemi këtu sa është toka. Revolucioni ka misionin e madh të demokracisë, lirisë dhe shpëtimit të shqiptarëve,” shtoi Berisha