Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta vlerësoi raportin e DASH për Shqipërinë si koherent sa i përket gjyqësorit dhe asaj që Shqipëria po kthehet në qendër të trafikut të kokainës.
Meta tha në emisionin “Open” në Neës 24 se kryeministri Edi Rama duhet ndëshkuar.
Referuar vizitës së tij në Britani gjatë ditës së sotme, Meta tha se në “mënyrë më të paturp shkon dhe në vend të kërkojë falje të rinjve shqiptare se janë të parët në botë që kalojnë La Manshin me gomone, i kërkon llogari autoriteteve të Britanisë së Madhe”.
“Së pari qëndrimi im për shpalljen non grata te zotit Berisha është shumë i qartë dhe në cilësinë time si President dihet, por raporti i fundit i DASH është në koherencë të plotë me të gjitha qëndrimet mia sa i takon kapjes së gjyqësorit nga Edi Rama që ai po e kapte gjyqësorin, ai raport aty është. Raport i DASH e ka bërë të qartë që Shqipëria po kthehet në qendër të rrezikshme sa i takon trafikut të kokainës përtej Evropës, tani një dallim midis dikujt dhe dikujt tjetër në opozitë është normale por raportet e DASH kanë qenë tepër serioze. Qëndrimet e mia janë koherentë kur u shpall zoti Dvorani si shkelës i Kushtetutës unë kam shprehur qëndrimin tim kritik Edi Rama që atëherë e mbani mend se ç'ka thënë ai është hero dhe si mund të çohet ai në SPAK por ai nuk është koherent se para pak muajsh këtë që e bënte si hero e la me 12 vota kur e votoi si anëtar të GJK. Duhet ndëshkuar sepse Edi Rama është shkatërrues i rendit Kushtetues, është një njeri i cili në mënyrë më të paturp shkon në Britani dhe në vend të kërkojnë falje të rinjve shqiptare se janë të parët në botë që kalojnë La Manshin me gomone i kërkon llogari autoriteteve të Britanisë së Madhe”, tha Meta.