Këshilli Shqiptar i Medias ka kërkuar nisjen e hetimit ndaj gazetarit të Karlo Bolinos, Adriatik Doçi. Kërkesa ka ardhur pas publikimit të disa përgjimeve, ku gazetari Doçi tregon se si i vendos gjobat ndaj bizneseve, por edhe ndaj eksponentë të politikës dhe krimit.
‘Këshilli i Medias e sheh me alarm audio-përgjimin dhe informacionet që dalin prej aty, dhe e dënon këtë akt, siç dënon çdo rast kur gazetarët nuk ndjekin dhe nuk respektojnë misionin e tyre, të të qenit rojtarë të shkeljeve të pushtetit dhe njerëzve të fuqishëm’, thuhet në reagim.
‘Ne u kërkojmë organeve të ligjit që ta hetojnë këtë rast, i cili jo vetëm shkel ligjin, por tregon shenja të një shoqërie pasive ndaj instrumenteve të demokracisë dhe përdorimit dashakeq dhe antiligjor të tyre’, theksohet në këtë reagim të Këshillit Shqiptar të Medias.
Deklarata e plotë mbi audio-përgjimin nga portali Publik Live:
Këshilli i Medias ka ndjekur me shqetësim raportimet mediatike të një audio-përgjimi ku presupozohet të jetë protagonist një pjesëtar i komunitetit të gazetarëve, z. Adriatik Doçi.
Siç biseda audio lë të kuptohet, gazetari i përgjuar, artikulon verbalisht disa shkelje të rënda të Kodit të Etikës së gazetarit.
Reklama në shkëmbim të heshtjes apo mossulmit, tarifa mujore të marra nga biznese në shkëmbim të mos- raportimit të problemeve të produkteve tregtare të cilat dëmtojnë jetën e konsumatorëve, janë vetëm një pjesë në arsenalin që personi në audio-përgjim pranon se disponon dhe përdor, në mënyrë jo etike, por edhe të paligjshme.
I një shkeljeje sipërore jo vetëm jo-etike, por dhe e turpshme, është edhe rasti kur personazhi i përgjuar flet për marrëveshje me narkotrafikantët.
Këshilli i Medias ka qenë dëshmitar i raportimeve, asnjëherë të provuara, se ka gazetarë, sidomos të kronikës së zezë që marrin shuma monetare për të shtrembëruar informacione, apo shpërndarë lajme të rreme, të cilat favorizojnë një kriminel apo grup dhe dëmtojnë një tjetër.
Ajo që gazetari pranon në këtë audio-përgjim është treguesi i parë publik i shantazhit mediatik ku përfshihen gazetarë.
Këshilli i Medias e sheh me alarm audio-përgjimin dhe informacionet që dalin prej aty, dhe e dënon këtë akt, siç dënon çdo rast kur gazetarët nuk ndjekin dhe nuk respektojnë misionin e tyre, të të qenit rojtarë të shkeljeve të pushtetit dhe njerëzve të fuqishëm.
Problemi i gazetarëve gjobëvënës është problem i medias, por gjithashtu problem i pushtetit dhe faktit se si ky pushtet përdor gazetarët të caktuar dhe media të caktuara për të instrumentalizuar lirinë e shprehjes dhe goditur kundërshtarin politik.
Këshilli i Media do t’i kërkojë Bordit të Etikës që të mblidhet në një mbledhje urgjente dhe të formulojë një qëndrim që nuk merret vetëm me rastin, por edhe kontekstin.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje organizatave lokale dhe ndërkombëtare të medias, të senibilizohen në lidhje me raste të tilla, që përbëjnë një front të ri lufte në betejën e medias dhe operatorëve të saj për mbrojtjen e të vërtetës dhe integritetit profesional.
Mediat, gazetarët, bizneset, qytetarët duhet të denoncojnë publikisht rastet e gjobëvënies, që nuk është më gazetari por krim penal. Gjobëvënësit duhen treguar publikisht mer gisht, duhen ndjekur penalisht dhe duhet të përjashtohen nga komuniteti i gazetarëve.
Ne u kërkojmë organeve të ligjit që ta hetojnë këtë rast, i cili jo vetëm shkel ligjin, por tregon shenja të një shoqërie pasive ndaj instrumenteve të demokracisë dhe përdorimit dashakeq dhe antiligjor të tyre.
Në fund i bëjmë me dije publikut se, ky rast nuk mund dhe nuk duhet të merret si një shfajësim për ligjin ‘anti-shpifje’ të qeverisë. Ai ligj nuk ishte dizenjuar për të kapur këta ‘gazetarë’. Republika e Shqipërisë ka kuadrin ligjor përkatës për të trajtuar rreptë të gjitha llojet e shantazhit.