Veliaj me paratë e iranianëve bleu inceneratorin që në Rumani nuk punonte

Saturday, 01 Prill 2023 10:10

Prej dy vitesh, mediat e kanë çmontuar deri në detaje skemën e mega mashtrimit me djegësit e mbeturinave.

Duke montuar copë për copë të gjithë pazëllin e kësaj historie plot me dritëhije.

Por ne sonte, do të kërkojmë të hedhim dritë mbi një tjetër raport të dyshuar korruptiv, mes politikanëve shqiptarë dhe biznesmenëve italianë, të përfshirë në këtë aferë.

Një prej tyre edhe Gabriele Tarroni Longinotti, një biznesmen ish-ortak i Alberto Presezzit, person kyç në sjelljen në Shqipëri e të paktën njërit nga inceneratorët. 

Personi përtej telefonit, është arrestuar në Tiranë për llogari të drejtësisë italiane, i akuzuar për mashtrim.

Të kujt tjetër, përveçse ish-ortakut Alberto Presezzi, me të cilin kohë më parë kishin kryer shumë punë së bashku.

Dhe pasi bëri pak më shumë se një vit burg, i zemëruar për nxjerrjen jashtë loje nga ish-ortaku, vendos ta fundosë atë, duke dëshmuar për herë të parë, mbi aferën korruptive të inceneratoreve, gjithmonë duke qenë i kujdesshëm që ta shpallë veten si jo pjesë e ngushtë e pazareve.

Në një histori e treguar në vetën e parë, që zbulon një tjetër copë të rëndësishme nga të fshehtat e këtij mega skandali.

Piranjat: Cila është lidhja juaj me biznesin e inceneratorëve?

Gabriele Tarroni Longinotti: Jo, jo. Nuk kam asnjë biznes me inceneratorët, por fatkeqësisht personi që më ka përfshirë në probleme, ka të bëjë. Absolutisht ka bërë biznes me inceneratorët. Ishte ai, ish-ortaku im italian nga Monza, ai kam zbuluar më vonë se kishte shumë të bënte. Unë në ndërmarrjen ku punoja, nuk jam marrë asnjëherë me biznesin e energjisë, por vetëm të ushqimit. Blej mish dhe shes mish, blej fruta dhe shes fruta. Ndërsa inceneratorët janë pjesa e energjisë. Të cilën unë asnjëherë s’e kam ndjekur. Por ama ishim në të njëjtën ndërmarrje, një sektor energjie dhe një sektor ushqimi. Dhe unë shikoja atje të gjithë personat që vinin.

Pikërisht. Gabriele ka parë të gjithë personat që hynin në kompaninë Bruno Presezzi. Mes tyre edhe shqiptarë.

Gabriele Tarroni Longinotti:: Kam parë shumë të tillë, vetëm me njërin kam folur, kryetarin e bashkisë së Tiranës.

Piranjat: Pra, e keni takuar personalisht? Jeni i sigurtë?

Gabriele Tarroni Longinotti: E kam takuar dy herë në “Ciocolati Italiani” dhe restorantin “Tribe”

Piranjat: Po çfarë lidhje kishte zoti Veliaj me kompaninë Bruno Presezzi?

Gabriele Tarroni Longinotti: Prit se duhet të bëjmë disa hapa mbrapa. Kompania italiane, ka blerë një incenerator gjysëm automatik, në qytetin e Kostancës në Rumani. Në dorë të dytë. U kontaktuan nga bashkia e Konstancës për të shkrirë një incenerator të përdorur gjysmëautomatik. Të cilin qyteti rumun e kishte instaluar, por ishin më shumë shpenzime se sa fitime. Prandaj u çmontua, dhe kompania italiane u pagua nga bashkia e Konstancës me 75 mijë euro… pra, i kanë paguar për të çmontuar.

Pra, rumunët kërkojnë të heqin qafe një incenerator që nuk është aspak rentabël. Për këtë madje janë gati të paguajnë shifrën prej 75 mijë eurosh. Dhe kërkesës së tyre i përgjigjet kompania italiane Bruno Presezzi, me titullar Antonio Presezzi, ortakun e Gabrielës.

Ky incenerator u çmontua, dhe u transportua me kamiona në Borato di Morgora, u bë si i ri, dhe pati një tentativë për ta shitur në Zimbabve.

“Të zinjtë, këta zezakët, këta zotërinj u trajtuan si zezakë me litar në qafë, por nuk janë. Erdhën në Itali, pasi kompania italiane kishte bërë një tjetër kompani në Zimbabve”.

Një kompani në Zimbabve në emër të një shqiptari, i cili sipas Gabrieles, është ish-shoferi i tij.

“Ishte një shqiptar që ka jetuar gjithmonë në Itali, Miliad Lopa, ishte shofer, jo shumë shofer, por lavazhier. Pa më thënë asgjë, Alberto Presezzi, ortaku im, hapi në emrin e shoferit tim, këtë shoqëri në Zimbabve”.

Ishte Erjon Veliaj, kryetari i Tiranës, dhe kishte marrë pjesë në blerjen e këtij inceneratori mbeturinë, që nuk dinim kujt t’ia jepnim, dhe të gjithë në kompani ishin të kënaqur, që erdhën këta të gjithë së bashku, ia hodhëm dhe iu shitëm diçka që ishte e pashitshme. Nëse një vidë kushton një cent, dhe unë e shes gjashtë euro, askush në botë nuk mund ta konstestojë. Pse? Nëse unë të gjej ty që je gjysëmbudalla dhe të shes një gjë që kushton një cent dhe ta shes dhjetë, në një shtet si Shqipëria ku gjithçka është e mundur, sepse jetoni në një vend me korrupsion absolut. Në çdo vend të botës, Itali, Zvicër, etj, madje edhe në Zimbabve do të ishte i pamundur. Por në Shqipëri mund të bëhet”.

Nëse këto që ky zotëri thotë, janë të vërteta, pyetja është, a u mashtruan shqiptarët nga injoranca apo pranuan të jenë pjesë e kësaj skeme?

Por ka edhe një detaj tjetër interesant, që nëse rezulton i vërtetë, nuk mund të konsiderohet thjesht skandal, por tradhti e lartë ndaj atdheut.

“Skandali i vërtetë është ai mes Iranit dhe Shqipërisë. Sepse skandali i vertetë është se Shqipëria thotë se është nën sulm të hakerave iranianë. Por nga ajo që di unë, Shqipëria ishte shumë e lumtur që është financuar për këtë çështjen e inceneratorëve nga iranianët. Unë mund të të jap emrin, mbiemrin dhe kompanite e kreut të Pasdaran, që quhet Ali Aliabadi. Ai është personi që ka dhënë lekët për të blerë inceneratorin. Blerjen për këta qindra milionë, në favor të kompanisë “Bruno Presezzi””, thotë Gabriele Tarroni Longinotti.

Ne publikuam një dëshmi, e një personi i cili sot ndodhet në Dubai, larg duarve të atyre që mund ta hetojnë. Edhe pse në fakt e kishim këtu deri para katër muajsh, kur Apeli vendosi ta lironte.

A ishte gjithçka e mirëmenduar, për të kompensuar një dëshmitar, i cili më pasi u doli nga skema?

Apo ishte thjesht një rastësi e cila çoi në hapjen përgjysëm e një “kutie pandore”, me shumë enigma të tjera, për të gjithë ne.

Dëshmia e Gabriele Tarroni Longinotti është dhënë për emisionin “Piranjat” në Syri TV.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...