Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi dje në bashkëbisedimin me qytetarët në median sociale, se Bledi Çuçi është ministri i familjes. Ai tha se qëllimi i tij është që të garantojë flukset e drogës.
“Kriminaliteti nuk është në situatë kritike, por krimi sot e kontrollon plotësisht rendin. Pra rendi dhe siguria janë në duart e krimit të lidhur me qeverinë. Në një seri procesesh gjyqësore false, qeveria ka bërë të gjithë favoret, nderet ndaj bandave të saj. Ka shpërndarë para, ka dërguar çanta dhe valixhe me para tek bandat për t’i shpërndarë. Ka lejuar të vrasin dhe ekzekutojnë pa u hyrë ferra në këmbë.
Çuçi nuk është ministër i rendit dhe policisë, është ministri i familjes. Çuçi ka një qëllim, të garantojë flukset e drogës në Shqipëri.
Nëse ju, e mbani mend një serë në Berat, në të cilën punonin 100 gra mëditëse.
E kujt ishte sera, thoni ju? Lidhjet e serës të çonin te vetë ministri, pasi një Aranit Arapi, një bajloz droge i përjashtuar nga policia për këto qëllime, dhe i marrë këshilltar kryesor nga ministri i familjes, qëndronte pas serës. Ministri Çuçi është thjeshtë ministri i familjes Rama,” tha Berisha.