“Edi Rama anuloi me urdhër nga Beogradi, pjesëmarrjen në mbledhjen me qeverinë e Kosovës në Gjakovë, në kuadër të 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Si shkak për anulimin e këtij takimi të lajmëruar prej kohësh, Rama paraqiti refuzimin e Kosovës për të diskutuar veçmas në një format të prezantuar prej tij, për draftin e Ramës për Asociacionin, të marrë nga sirtarët e Beogradit.
Lidhur me këto zhvillime, PD dënon me forcën më të madhe ndërhyrjen brutale të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës dhe aktin e tij hakmarrës dhe sherrndjellës mes dy vendeve fqinjë të një kombi, në një klimë të acaruar.
Së dyti, PD përgëzon refuzimin nga autoritetet e Kosovës për të diskutuar me Edi Ramën projektin e Vuçiçit, njësoj siç bëri me hartat e ndarjes së Kosovës. PD përgëzon refuzimin e diskutimit të projektit dhe rolin ndërmjetës të shpallur nga Edi Rama.
Rama është dëshmuar haptas një argat i zellshëm i Aleksandër Vuçiç. Ai ka promovuar si të vetat të gjitha projektet e Vuçiçit, duke filluar me projektin e ndarjes së Kosovës, duke vazhduar me projektin e Ballkanit të Hapur dhe duke vazhduar së fundmi me projektin e Asociacionit, me të cilin Vuçiç dhe Rama kërkojnë shpërbërjen dhe ndarjen e Kosovës.
PD shton gjithashtu se Rama, që nga fillimi i agresionit barbar rus ndaj Ukrainës, në kundërshtim flagrant me interesin e kombit shqiptar dhe mbarë komunitetit euroatlantik, ka mbrojtur haptas qëndrimin e Vuçiçit kundër sanksioneve të NATO dhe BE ndaj Rusisë. Ai madje në dhjetëra raste ka kritikuar haptas kërkesën e NATO dhe BE ndaj Beogradit për respektimin e sanksioneve.
PD e Shqipërisë iu bën thirrje autoriteteve të Kosovës të bashkërendojnë përpjekjet e tyre me BE dhe SHBA për shtensionimin e situatës dhe rikthimin në tryezën e dialogut. Kjo është rruga më e mirë për dështimin e projektit Vuçiç-Rama për ndarjen e Kosovës. Ne kemi mbështetur dhe mbështesim krijimin e Asociacionit në kuadrin e Kushtetutës së këtij vendi si një e drejtë e pamohueshme. PD është kundër çdo forme Asociacioni superkushtetues pasi e konsideron atë rrezik madhor në Ballkan.
Së fundmi, PD i konsideron sanksionet ndaj Kosovës, një demokraci e re dhe e suksesshme, popullit të të cilit nuk i janë mbyllur plagët akoma, si një akt të pajustifikuar me ligjin ndërkombëtar dhe moralin e vendeve të lira. Kosova është një bastion i euroatlantizmit në rajon. Ato sanksione do ishin një shpërblim i pamerituar për autokratët Rama-Vuçiç, që janë të lidhur kokë e këmbë.
Askush nuk duhet të harrojë se në 100 vitet e fundit, kombi shqiptar ka përjetuar ndëshkimet më të mëdha në Europë. Shqiptarët nuk meritojnë ndëshkime të tjera. Nuk janë ata shkaku i krizës, por është nacionalizmi i verbër serb që lufton për hegjemoninë serbe në Ballkan,” tha Berisha.