Afera e inceneratorëve/ Si u shurdhua Rama nga 6 vjet denoncime

Hënë, 17 July 2023 14:41
Disa orë pasi lëshoi Arben Ahmetajn në gojën e SPAK-ut, Edi Rama u shfaq para shqiptarëve me kostumin e një misionari që nuk bënte dot konsensus me paligjshmërinë, me korrupsionin dhe me çfarëdo forme tjetër të dobësisë njerëzore përballë karriges dhe parasë. Në fund të fundit, për këtë ai kishte shtyrë edhe reformën në drejtësi, i ndërgjegjshëm se një ditë si kjo, kur duhej të votonte për arrestimin e bashkëpuntorëve të ngushtë do të vinte patjetër.

“Të përbashkëta, tha Rama, janë arsyet e mirëkuptuara, qëllimet e shpalluara, përpjekjet e bashkërenduara”, duke shpjeguar në një farë mënyre edhe pozicionin në raport me Ahmetajn, Kokën, Bllakon dhe të tjerë.

“Të ndryshme janë virtytet e dobësitë njerëzore të secilit, raportet me veten, karrigen, paranë”, u shpreh kryeministri, duke u shfaqur imun nga ngasja dhe nga njerëzit, me të cilët deri dje kishte ndarë tavolinat.
 
 
 
Por sa i vërtetë është Rama në këto që thotë? A ka qenë ai përherë kaq distant nga korrupsioni dhe të korruptuarit e inceneratorëve?
 
Për të kuptuar këtë, Lapsi.al i është rikthyer qëndrimeve të Ramës përballë akuzave të vazhdueshme se e gjitha ishte një skemë korrupsioni. Kuptohet se Rama atëherë, nuk ishte kaq parimor sa sot, përkundrazi ai është kundërpërgjigjur ashpër kujtdo që i kërkoi të ndalë një aferë të pastër korrupsioni.


Prill 2017, Grupi i PS tek inceneratorët

Kryesocialisti çoi gjithë grupin parlamentar të PS, në oborrin e impiantit të trajtimit të mbetjeve në Elbasan. Sapo kishin nisur akuzat e para për Lefter Kokën dhe inceneratorët. Barrikadë ndaj denoncuesve të korrupsionit, në rreshtin e parë, krah Ramës ishin ministrat Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Lefter Koka, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, kryebashkiaku Qazim Sejdini, madje në foto duket edhe Stela Gugallja, një prej përfituesve të koncensionit.

“Shëmbëlltyrë kuptimplotë e teknologjisë së fundit”, e quante Rama inceneratorin. “Një investim për të cilën nuk kemi si të mos jemi krenarë”, u tha të pranishmëve. “U jam shumë mirënjohës ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Financave. Ky i fundit, megjithëse është gjirokastrit, në këtë rast e zgjidhi deri në fund qesen, gjë që ju siguroj, nuk është e lehtë”, e falenderoi Rama ateherë Arben Ahmetajn.

“Nuk keni parë gjë akoma, sepse ky është vetëm fillimi” betohej kryeministri duke paralajmëruar ngritjen e inceneratorit tjetër në Fier dhe tjetrit në Tiranë.

Kur kanë kaluar 6 vjet, këto fjalë të Ramës kuptohet se ishin shtysa më e mirë për Lefter Kokën që të ecte përpara dhe t’i jepte drejtim me fondet e inceneratorëve. Në vitin 2016 dhe në 2017, në pak media kishin dalë shkrimet e para që i konsideronin inceneratorët një skemë të vjedhjes së parave të buxhetit.

Maj 2018, Rama akuza Zërit të Amerikës për propagandë armiqësore

Në vitin 2018 ishte e provuar me fakte se pas tre inceneratorëve ishte vetëm një njeri, Klodian Zoto. Në Elbasan, në Fier dhe në Tiranë ky person kishte arritur të gllabëronte gati 170 milion euro taksa. Shteti i ishte ulur në gjunjë, por me gjithë faktet që dilnin në media, nga i pari i qeverisë nuk pati asnjë reflektim.

Në një shkrim të Zërit të Amerikës, ku servirej skema dhe emrat pas inceneratorëve ngrihej shqetësim për kostot e fryra të projekteve. Opozita dhe mediat shtuan presionin duke zbuluar lidhjet e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit në qeveri.

Si reagoi Rama atëherë? Ai sulmoi Zërin e Amerikës, që sipas tij përhapte “propagandë armiqësore”. Rama i vuri gjoksin aferës së inceneratorëve, pas të cilëve qëndronte Klodian Zoto. Shkoi në Sharrë i shoqëruar nga ministrat e tij dhe u shpreh:

“Nxitja e njerëzve për shkak të… edhe mungesës së dijes mbi këtë proces, por për shkak edhe të dyshimeve që krijohen nga propaganda është armiqësore, është krijim paniku me qëllim. Është skandal”, shprehej Rama.

Kuptohet se kryeministri kishte mbyllur sy dhe veshë ndaj të gjithë atyre që i tregonin paligjshmërinë dhe procedurat korruptive me të cilat po vidheshin miliona euro të taksapaguesve.

Tetor 2020, në Opinion “Nuk dua t’ia di fare”

Deklaratat e Ramës në tetor të vitit 2020 mund të konsiderohen edhe si një tërheqje nga avokatia që i kishte bërë deri atëherë bosëve të inceneratorëve. BIRN sapo kishte publikuar se në makinën ku u aksidentua Arben Ahmetaj ishte edhe Mirel Mërtiri, një prej përfituesve direktë të PPP. Opozita ndërkohë kishte dërguar dosjet në SPAK për të nisur hetimet.

Sapo u hap kjo temë në Opinion, kur i vunë përballë fotot e Mirel Mërtirit, Rama ngriti duart lart dhe u shpreh: “Të bëjmë një marrëveshje fjale. Do flasim për vizionin, projektin e mbetjeve dhe realizimin apo do fillojmë të merremi “është një person, është një kshu”. Po filluat me persona, mblidhuni bashkë. Unë s’merrem me persona. Nuk më duhet fare kjo. (investigimi) Kjo është e shkruar nga dikush. E ça më duhet mua kjo? Nuk më intereson fare. Nuk më intereson fare. Nuk më intereson fare. A ka mundësi? Nuk është kjo. Fare. Nuk më intereson fare. Nuk më intereson fare gratë dhe burrat e botës.”

Disa vite më vonë, Rama foli për mollë dhe dardha që haheshin pas shpinës së tij. Në shkrimet që tha se nuk donte t’i lexonte, nuk donte t’ia dinte, nuk donte të komentonte, flitej pikërisht për këto mollë dhe dardha.

Shkurt 2022, në Komisionin Hetimor, Rama: Firma ime pam pam pam…

Me futjen e Lefter Kokës në burg, gjërat u bënë serioze. Po bëhej gati qelia për Alqi Bllakon, ndërkohë SPAK ka në dispozicion dokumentat e procedurave antiligjore me të cilat kishte kaluar në qeveri inceneratori i Elbasanit. Ishte presioni i ambasadës amerikane, që detyroi Ramën dhe vartësit e tij të paraqiten në Komisionin Hetimor të opozitës për inceneratorët.

Kryeministri mohoi gjithçka. Kur u pyet për një firmë në mesin e procedurave për inceneratorët dha një përgjigje, që përmbledh të gjithë qëndrimin e tij si dëshmitar.

Dhjetor 2022, paralajmërimi për burgosjen e Ahmetajt

Me futjen në burg të deputetëve, me daljen e fakteve të reja për inceneratorët, qëndrimi i Ramës ndryshoi. Krenarinë u pasua nga heshtja dhe më pas nisi distancimi nga ministrat që dikur i kishte falenderuar.

“Nëse dikush apo disa këpusin edhe dardha dhe mollë për t’i futur në trasta mbas shpinës time, kjo është një çështje që nuk e kanë me mua, e kanë me drejtësinë” u shpreh Rama kur u pyet për Arben Ahmetajn.

Këtë e tha pasi e kishte larguar si zv.kryeministër, pastaj si drejtues politik të Vlorës dhe tani po i tregonte drejtësinë.

Korrik 2023, mesazhi i fundit për Ahmetajn

Në fjalimin e fundit, kryeministri e quan Arben Ahmetajn një “ndër bashkëpunëtorët me të cilët jam takuar më shumë, kam komunikuar më shumë në telefon, kam diskutuar më shumë për shumë nga vendimmarrjet tona gjatë këtyre viteve”.

Siç tregoi vetë Ahmetaj, zërat brenda partisë e kishin paralajmëruar duke ia thënë troç “të duan në burg vëlla” apo që “do ta çojmë në të s’ëmës”.

Duke përdorur një shprehje të avokatëve të mbretit të Francës në procesin gjyqës ku duhej medoemos ta ekzekutonin, përndryshe revolucioni do të dështonte, Ahmetaj shprehej se ai nuk ishte mbreti. “Unë nuk jam me gjak blu, jam një njeri i thjeshtë” shprehej, duke ia lënë autorësinë e inceneratorëve ish-shefit të tij.

Në fakt, është tashmë e provuar që pa Ramën, inceneratorët ishin një mision i pamundur. Edhe nëse ai ka qenë aq i kujdesshëm sa të mos implikohet penalisht, dhurdhëria dhe memecëria ndaj denoncimeve kundër korrupsionit për 6 vite rresht, është një tjetër gur që e rëndon pozicionin e tij.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...