Në Tiranë dhe në Prishtinë nuk janë të paktë ata që kanë vënë kujën se Albini po na largon nga ShBA, se nuk po koordinohet me ta, se po krijon çarje me perandorinë që na çliroi dhe na bëri shtet.
Në vend që të shtrojmë pyetje racionale ne prodhojmë përjetime emocionale.
Po sërish, shembulli se si duhet të bëjmë të parën, se si duhet sillemi ndryshe, na ka ardhur ironikisht nga përtej Atlantikut. Një ish-kongresmen, shefi i komisionit të jashtëm i dhomës së përfaqësuesve, i njohur për lidhjet e tij me shqiptarët, Eliot Engel, ka ngritur një dilemë të kundërt me atë që zhurmon publikun tonë. Në vend që ti bashkohet korit që vajton krisjen e marrëdhënies Kosovë-SHBA, ai ka shtruar pyetjen: A mos vallë në këtë rast po gabon Uashingtoni?
Në një shkrim për referencialen “Foreing Policy” ai ka hedhur tezën se meraku për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, po e shtyn administratën Biden të favorizojë Vuçicin. Ndërkohë që në Tiranë dhe në Prishtinë fajësojë Albin Kurtin se nuk u koordinua me aleatët, se provokoi me çështjen e targave, se ka ndryrë “Oso Kukën” në Leposeviç, ish-kongresmeni tregon me gisht nga Vuçiçi. Ai përmend me fakte se vendi i tij nuk e ka ndëshkuar mjaftueshëm Serbinë, as se qëndroi pas bojkotit të zgjedhjeve në veri, as se ushtroi dhunë mbi KFOR-in, as se nxit bashkëkombësit e saj të mos pranojnë targat, as se keqtrajton deri në “spastrim etnik me mjete administrative” pakicën shqiptare në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc.
Me largpamësinë e një veterani të politikës së jashtme amerikane ai lëshon dhe një paralajmërim ogurkeq: themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk është një zgjidhje ideale për qetësimin e konfliktit. Pra sipas tij, ajo që SHBA dhe BE po e kërkojnë me ngulm, si mjet për të vendosur paqen, është thjeshtë një zgjidhje e përkohshme, sepse thotë Engel, “Asociacioni nuk do ta zgjidhë problemin themelor – kundërshtimin agresiv të Serbisë për një Kosovë të pavarur”.
Tani le ta marrim këtë qëndrim dhe ta krahasojmë pak me atë që mban kryeministri Rama.
Në ditën kur anuloi mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, për të goditur pas shpine Albin Kurtin, dhe kur shpalli se ka një draft të tijin për themelimin e asociacionit, Rama argumentoi se themelimi i shoqatës së komunave me shumicë Serbe do krijonte mundësinë e njohjes së Kosovës nga të gjithë vendet e BE-së, do siguronte ulësen në OKB dhe do përshpejtonte njohjen reciproke me Serbinë. Ndonëse të tria këto janë gënjeshtra që si ka premtuar askush tjetër veç kryeministrit tonë, të rëndësishme këtu janë konceptet. Ndërkohë që Engel thotë se krijimi i asociacionit nuk e do e pengojë Serbinë në betejën e saj kundër pavarësisë së Kosovës, Rama predikon, pa asnjë garanci, të kundërtën.
Natyrisht duke bërë këtë krahasim e di se ka nga ata që do të nxitojnë të thonë: “E ç’është Eliot Engel sot, thjesht një pensionist”. Ka të tjerë që do ironizojnë me faktin se ky ish-shef i politikës të jashtme të kongresit, ka qenë tejet i ndikuar nga marrëdhëniet që ka pasur me lobin shqiptar në SHBA.
Por fabula e tij vlen për tjetër gjë. Ai rreshtohet pro atyre zërave, si ish diplomatë apo njohës të rajonit, që si amerikanë të cilët i kanë shërbyer vendit të vet, e kritikojnë sot atë për një qasje të gabuar në marrëdhënien Kosovë- Serbi. A është e drejta në anën e tyre? Kjo i vlen të diskutohet. Por mesazhi që ata japin është se nuk është aspak herezi që mos biesh dakord me një politikë të caktuar, të një momenti të caktuar, që vendos të mbajë administrata amerikane. E duke bërë këtë, ata i japin fund pro amerikanizmit tonë folklorik. Sado i tërhequr nga pozicionet e dikurshme, i ndikuar nga lobi shqiptar, apo i sponsorizuar prej tij të jetë Eliot Engel, asnjëri prej nesh nuk ka të drejtën të predikojë për Kosovën një standard më të ulët sesa i tiji. Ne nuk mund të jemi flamurtarë të SHBA-në më shumë sesa ky veteran i shërbimit karshi saj, por mbi të gjitha nuk mund ta duam interesin tonë, më pak sesa ai. Prandaj shpesh, përpara se të shtrojmë pyetjen, ku po gabon Albini me Uashingtonin, na takon të kuptojmë se pse ky i fundit, këto kohë, po përkëdhel pak si shumë Vuçiçin?