Berisha paralajmëron protesta: Rama e Veliaj nuk e mbulojnë vjedhjen e shekullit me farsën e Rrogozhinës

Hënë, 24 July 2023 17:10
Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi në konferencën e sotme se qytetarët do ngrihen në protesta pas farsës zgjedhore në Rrogozhinë.

 

“Natyrisht, të mendosh se shtohen votat kur pas skandaleve të tmerrshme si ajo e klanit Rraja, pas skandaleve seksuale të zyrtarëve, të mendosh se shtohen votat pas arratisjes së shekullit, të mendosh se shtohen votat pas shpërthimit të ri të gjirizeve të rinj të aferës më të tmerrshme korruptive, asaj të djegësve, do të thotë të jesh me një koeficient intelektual afër zeros.

Dhe Veliaj nuk bie në këtë pozitë, e thotë haptas me porosi të Ramës, se fituam jo se na duan, por se nuk duan Sali Berishën. Pra, përsëri i ka tmerrin Berishës.
 
 
 
Dhe në fakt, këtu kanë të drejtë sepse PD opozitë e vërtetë, po u bën autopsinë kësaj kalbësire, po i bën autopsinë këtij regjimi të kalbur dhe po u tregon shqiptarëve se vota në Shqipëri ka vdekur dhe se rruga e vetme për të rikthyer lirinë, votën e lirë, është përballja me protesta të fuqishme me këtë bandë që drejton sot me metodat më mafioze, Shqipërinë dhe shqiptarët,” tha Berisha.
 

“Me vjedhjen e Bashkisë së Rrogozhinës, Edi Rama dhe Erion Veliaj jo vetëm nuk mbulojnë dot vjedhjen e shekullit, të djegësave, vjedhjen e tmerrshme me Pyllin Orbital, vjedhjet e tyre të tmerrshme që arrijnë në 138 miliardë lekë sipas KLSH, me vjedhje të tmerrshme që vetëm në dogana e tatime arrijnë në 104 miliardë lekë, por përkundrazi ftoj shqiptarët, në emër të shpresës, në emër të besimit të tyre te liria, të ngrihen kundër këtij regjimi, i cili është një armik i egër i qenies së shqiptarëve.

 

Opozita mbyll sot një etapë, në të cilën ajo nuk gjeti asnjë befasi. Ajo paralajmëroi shqiptarët tre muaj më parë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Por paralajmërimi ishte paralajmërim. Faktet, dokumentet, ishte detyrimi i saj t’i paraqiste para shqiptarëve dhe ketë ne e bëmë me vendosmëri gjer ditën e sotme.

Ndaj dhe ftoj çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar dhe qytetare, që e do këtë vend, që beson se ai dhe fëmijët e tyre meritojnë një të ardhme jo si shtet mafioz, jo si narkoshtet, jo si shtet ku klanet e mafies bëjnë ligjin, asgjë nuk mund të mposhtë vullnetin e atyre që vendosin të luftojnë, të qëndrojnë për liri dhe dinjitet të vetin dhe vendit të tyre,” shtoi kreu demokrat.

Login to post comments