Personazhe të ndryshëm të cilët në pamje të parë duket se nuk i lidh asgjë me njëri tjetrin, por që sipas hetimeve të Prokurorisë së posaçme, i bashkojnë fijet e krimit të organizuar, ishin objektiv i operacionit të nisur gjatë natës së bashku me policinë. Një pjesë e mirë e ngjarjeve e kanë zanafillën në Shkodër, qytet ku ashtu si dhe në Tiranë e Kukës, u ushtruan kontrolle në banesa të shumta të personave të dyshuar si të përfshirë në vrasje, tentative për vrasje apo atentate.
Në arrest, nën dyshimet se i ka ofruar informacione elementëve kriminalë, ka përfunduar dhe Oltion Bistri, deri para pak ditësh drejtues i Forcës operacionale, një prej njësive më të rëndësishme të policisë. Po ashtu, është arrestuar dhe ish shefi i zyrës kundër krimit të organizuar në policinë e Shkodrës, Ardit Hasanbega, i cili u shkarkua nga policia një vit më parë, ndërsa ishte me detyrë në Berat.
Emra të tjerë të lidhur me Martinajn apo fisin e Bajrave në Shkodër, janë pjesë e listës së urdhër arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme, e për të cilët vijojnë kërkimet e policisë për kapjen e tyre.