'New York Times': Rama korruptoi McGonigal me fusha nafte për miqtë e tij

Tuesday, 15 August 2023 11:40
Nga Michael Rothfeld, Adam Goldman, William K. Rashbaum, NEW YORK TIMES

 

Kur arriti moshën e mesme, Charles McGonigal bënte një jetë të qetë në periferi. Ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë, në një lagje të qetë në Maryland, pranë Capital Beltway. Ishte trajner i ekipit të punës në softball dhe të dielave ndiqte meshën në kishë. Në dhomën e tij mbante postera të skuadrave nga shteti i tij, Ohio; mbi derën e zyrës në shtëpi mbante varur një shenjë që tregonte përkushtimin për punën që bënte: “Falënderoj Zotin që më bëri agjent të FBI”.

Por Charles Franklin McGonigal nuk ishte një agjent i zakonshëm. Si shef i kundërzbulimit për zyrën e FBI-së në Nju Jork, ai kishte për detyrë eliminimin e përpjekjeve nga shërbimet e huaja për vjedhjen e sekreteve jetike të sigurisë kombëtare dhe ekonomike në një nga qytetet kryesore të botës në spiunazh.
 
 
 
Përveç pamjes së jashtme si zyrtar qeverie i shëndetshëm dhe i përgjegjshëm, kishte edhe një anë tjetër, më pak të dukshme, sipas prokurorëve dhe ish-kolegëve. Ai kryente takime të paregjistruara me politikanë dhe biznesmenë të huaj dhe pranoi pagesa të paligjshme ndërsa bënte favore për bashkëpunëtorët, sipas padive federale të ngritura kundër tij në dy shtete në fillim të këtij viti.
 
 


Arrestimi i McGonigal, pjesërisht i bazuar në akuzat se ai kishte punuar për një oligark rus, erdhi në një kohë kur marrëdhëniet SHBA-Rusi kishin arritur pikën e tyre më të ulët që nga Lufta e Ftohtë, duke ngritur pyetje nëse një nga gjahtarët e spiunëve më të besuar ishte bërë vetë spiun. Por një vështrim nga afër në jetën dhe karrierën e McGonigal zbulon një hark që duket se ka pak ose aspak të bëjë me spiunazhin dhe intrigat ndërkombëtare. Në vend të kësaj, duket se është një histori amerikane për lakminë.

I qetë dhe i përmbajtur ndërsa përshkonte trajektoren në rritje përmes burokracisë së FBI-së, ai ishte një njeri ndryshe me vartësit, me temperament të nxehtë edhe për gjërat më të vogla, thonë ish-bashkëpunëtorët. Ekspert i kundërzbulimit për çështjet ruse, ai fliste publikisht për kërcënimet ndërkombëtare të sigurisë. Në të njëjtën kohë, thonë prokurorët, ai kontaktonte privatisht oligarkun Oleg Deripaska, i cili luajti një rol të rëndësishëm në hetimin e Prokurorit Special Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale 2016 në SHBA.

Tani McGonigal, 55 vjeç, duket se do të bëhet një nga agjentët e rangut më të lartë në FBI që është dënuar ndonjëherë. Të martën do të dalë para gjykatës federale në Nju Jork ku mund të pranojë akuzën për padinë që përfshin Deripaskën, ndërkohë që është në bisedime për të zgjidhur një aktakuzë të ngritur nga prokurorët federalë në Uashington. Për sa kohë që marrëveshja nuk është finalizuar, ajo edhe mund të tërhiqet dhe çështja mund të shkojë në gjyq.

Çështja ka ngritur pyetje shqetësuese në lidhje me aftësinë e FBI-së për të zbuluar korrupsionin brenda radhëve të saj. Prokurorët pretendojnë që McGonigal ka udhëtuar shumë gjatë kohës që ishte në detyrë, në takime me zyrtarë të huaj dhe biznesmenë, të cilët, në pamje të parë, nuk kishin asnjë lidhje me punën e tij. Agjentëve u kërkohet të raportojnë kontakte të tilla dhe transaksione të caktuara financiare dhe të bëjnë teste të zbulimit të gënjeshtrës, por byroja mbështetet shumë në integritetin e njerëzve që ka vendosur në pozicione besimi.

Për më shumë se tre vjet, hetimi nuk ka prodhuar deri më tani asnjë provë se McGonigal u ka dhënë sekrete të sigurisë kombëtare rusëve ose dikujt tjetër, sipas zyrtarëve amerikanë që kërkuan anonimitetin për të diskutuar çështjet në vazhdim. Edhe pse zyrtarët thanë se  McGonigal duket se ishte i përfshirë në korrupsion të thjeshtë, veprimet e tij habitën shumë njerëz në FBI, ku një parim thelbësor është ngulitur te çdo agjent: “Asnjëherë mos e turpëroni byronë”.

Drejtori i FBI-së, Christopher A. Wray, tha se akuzat demonstruan “gatishmërinë e FBI-së si një organizatë për të hedhur dritë mbi sjelljen që është krejtësisht e papranueshme, përfshirë edhe kur ndodh nga një prej njerëzve tanë, dhe për t'i mbajtur ata njerëz përgjegjës”.

Peter Lapp, një ish-agjent i FBI-së, i cili dikur ka punuar me McGonigal, tha se kalimi i limiteve aq hapur – “në sy të të gjithëve” – kërkonte guxim. Por akuzat nuk shpjegonin atë që ai e quajti “misteri i madh”.

“Pse i duheshin kaq shumë pará”?

Ndërsa hetuesit kanë përshkruar përpjekje të pacipë për të përfituar nga karriera e tij në FBI, krimet aktuale për të cilat akuzohet McGonigal janë teknike. Midis dy aktakuzave, ai akuzohet për fshehje të detajeve financiare dhe aktiviteteve të tij jashtë shtetit, shkelje të sanksioneve të SHBA dhe pastrim parash. Disa akuza mbartin dënime të mundshme me burg deri në 20 vjet, por gjykatësi mund të vendosë për shumë më pak.

“Sa herë që dëgjoj qeverinë ta përshkruajë këtë si një çështje të vogël nëpunësi, ndihem pak më i ngushëlluar”, tha ai.

Dhe prokuroria e Uashingtonit, thotë DuCharme, në thelb është “për disa lëshime në formularët e qeverisë”.

Ajo që i tronditi më shumë ish-kolegët ishte guximi i McGonigal. Nga sjellja e tij dukej sikur e dinte se do ta kapnin. Në 2020, dy vjet pas daljes në pension, ai foli në një panel për korrupsionin e Shërbimit Federal të Sigurisë, FSB., homologia ruse e FBI-së, duke përfshirë pjesëmarrjen e agjentëve të saj në pastrimin e parave dhe veprimin si “kontraktorë privatë” për biznesmenët dhe kriminelët.

“Është bërë me të vërtetë një organizatë jashtë kontrolli, për mendimin tim, dhe është në shërbim të atyre që mund të paguajnë për shërbimet që ofrojnë”, thoshte.

Deri në atë kohë, sipas prokurorëve, McGonigal kishte pranuar tashmë para nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare — dhe kishte filluar të punonte me Deripaskën.

Nga fillimi i vitit 2016, McGonigal drejtonte Seksionin e Koordinimit të Kundërzbulimit Kibernetik të FBI në Uashington, ku agjentët analizuan hakerimet ruse dhe kineze dhe aktivitete të tjera të inteligjencës së huaj.

Në atë pozicion të lartë, McGonigal u bë i vetëdijshëm për referimin fillestar penal që çoi në hetimin e njohur si Uragani Crossfire - një hetim nëse fushata presidenciale dhe bashkëpunëtorët e Donald Trump po koordinoheshin me Rusinë. Atë tetor, drejtori i atëhershëm James Comey emëroi McGonigal agjent special përgjegjës për kundërzbulimin në Nju Jork, ku mbikëqyrte qindra agjentë dhe staf mbështetës. Ishte një rikthim atje ku McGonigal kishte filluar, por në një rol shumë më të rëndësishëm.

Puna do të ishte kulmi i karrierës së McGonigal në zbatimin e ligjit.

“Nëse doni të mësoni dhe të punoni kundërzbulim, Nju Jorku është zyra kryesore në terren”, tha McGonigal në një mbledhje në Shoqatën e Politikës së Jashtme shtatë muaj pas emërimit të tij, duke shtuar se të pranishmit që udhëtonin jashtë shtetit duhej ta prisnin që të ishin nën vëzhgim nga agjencitë e huaja të inteligjencës.

Pavarësisht se predikonte kujdes, duket se McGonigal e kishte lënë atë pas dore në jetën e tij.

Ai kishte lënë familjen e tij në Maryland dhe, menjëherë pasi u transferua në Nju Jork, filloi një lidhje me një grua që shoqërohej në qarqet e zbatimit të ligjit.

McGonigal u njoh me Allison Guerriero, 49 vjeç, nga Florham Park, N.J., përmes punës së saj vullnetare në një organizatë jofitimprurëse të quajtur Federal Enforcement Homeland Security Foundation, e cila thotë se mbledh para për familjet e agjentëve federalë të plagosur ose të vrarë në detyrë - pjesërisht duke organizuar galá dhe lojëra golfi me njerëz të famshëm, si krijuesi i "Law & Order" Dick Wolf apo aktori Stephen Baldwin.

Zonja Guerriero, e cila ka qenë publikisht kritike ndaj McGonigal që nga arrestimi i tij, ka thënë se ai e bëri atë të besonte se martesa e tij ishte e vdekur, vetëm për t'i dhënë fund lidhjes së tyre pasi ai doli në pension nga FBI më 2018. Pas kësaj, Pamela McGonigal, duke përmendur ngacmimet, mori një urdhër ndalimi kundër zonjës Guerriero, e cila ka pranuar se ka bërë tejkalim gjatë periudhave të abuzimit me alkoolin.

Guerriero ka thënë se, në zemërim e sipër dhe e dehur, ajo i dërgoi një email kreut të zyrës së FBI-së në Nju Jork, duke i sugjeruar që të hetonte McGonigal, gjë që ka bërë që disa të dyshojnë se mosmarrëveshja e tij martesore ishte ajo që çoi përfundimisht në hetimin federal që rezultoi me arrestimin e tij.

Gjatë marrëdhënies së tyre 18-mujore, tha Guerriero, ajo dhe McGonigal ndonjëherë qëndronin në një apartament në Bruklin dhe shijonin jetën e qytetit. Atij i pëlqente Sparks Steak House dhe restorante të tjera të pasura dhe ishte i kujdesshëm për pamjen e tij.

“Kostume, këpucë, kravata të shtrenjta”, thotë Guerriero. “Kur dilte, pispillohej jashtë mase”.

Gjatë një darke në Manhattan më 2017, McGonigal u njoh me një burrë që do të luante rol të madh në rënien e tij: Agron Neza, një biznesmen me origjinë shqiptare që jeton në Leonia, N.J., i cili është etiketuar "Personi A" në aktakuzën e Uashingtonit. Në rini, Neza kishte punuar në Shërbimin Informativ Shtetëror Shqiptar përpara se të transferohej në Shtetet e Bashkuara. Tani, tullac dhe me mjekër, Neza bënte marrëveshje jashtë shtetit.

Në gusht 2017, sipas prokurorëve, McGonigal propozoi të bënin marrëveshjen e tyre, në të cilën Neza do t'i jepte hua 225,000 dollarë në para.

Prokurorët nuk kanë thënë pse McGonigal i duheshin ato pará ose çfarë mund të ketë rënë dakord të bënte në këmbim. Por gjatë disa muajve të ardhshëm, thanë ata, ai u injektua në çështjet e jashtme politike dhe të biznesit, me sa duket ndërsa tregtonte pozicionin e tij në FBI, në marrëveshje që do të kulmonin me arrestimin e tij.

Ai u miqësua me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe përdori pozicionin e tij për të siguruar përfitime për bashkëpunëtorët e tij, sipas aktakuzës së ngritur kundër tij në Uashington.

Në një rast, McGonigal hapi një hetim në FBI ndaj një lobuesi të rivalit kryesor politik të kryeministrit shqiptar, thanë prokurorët. Nga ana tjetër, prokurorët thanë se ai ndihmoi në sigurimin e një licence për shpime nafte për të përfituar Neza dhe të tjerë.

Gjatë gjithë kësaj kohe, kishte disa tregues se FBI ishte në dijeni të marrëdhënieve të tij me shqiptarët. Sipas dy personave që folën me të, McGonigal tha se FBI e kishte autorizuar që t'u drejtohej kontraktorëve amerikanë për të punuar me zotin Rama për të ndihmuar në reformimin e qeverisë shqiptare, e cila ishte rrënuar prej kohësh nga korrupsioni dhe joefikasiteti.

Ndoshta asnjë nga shoqëritë e McGonigal nuk ishte aq alarmuese sa ajo me oligarkun rus Deripaska. Manjat miliarder i metaleve, i parë si mendjemprehtë dhe i pamëshirshëm, Deripaska e ndërtoi pasurinë e tij pas rënies së Bashkimit Sovjetik, pasi burimet shtetërore u morën nga biznesmenë me lidhje të ngushta me Kremlinin. Ai gjithashtu kultivoi lidhje me Perëndimin, duke organizuar festa në Evropë, duke u shoqëruar me politikanë dhe duke punësuar avokatë dhe lobues për t'u kujdesur për interesat e tij.

Ai bëri biznes me Paul Manafort, lobues e këshilltar politik, i cili më vonë shërbeu si kryetar i fushatës së Trump në vitin 2016. Agjentët e FBI-së u përpoqën ta rekrutonin Deripaskën si informator, pjesërisht për të zbuluar nëse Manafort kishte qenë në lidhje me Kremlinin, gjë që Deripaska e mohoi.

Në prill 2018, Departamenti i Thesarit e futi Deripaskën në listën e sanksioneve, duke përmendur ndër të tjera lidhjet e tij me Kremlinin dhe akuzat se ai pastronte pará dhe kërcënonte rivalët. Përpara se sanksionet të bëheshin publike, McGonigal shqyrtoi një listë me emrin e Deripaskës në të, thuhej në aktakuzën e Nju Jorkut.

Nga fundi i vitit 2018, prokurorët sugjeruan se ai po krijonte bazat për një marrëdhënie të ardhshme biznesi me Deripaskën.

McGonigal akuzohet se ka krijuar një stazh në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut për vajzën e një ndihmësi të oligarku të paidentifikuar – një referencë për biznesmenin rus Evgeny Fokin, sipas njerëzve të njohur me rastin. McGonigal ishte prezantuar me Fokin nga një ish-diplomat rus i cili ishte bërë përkthyes për gjykatat amerikane.

Pasi u tërhoq nga byroja në fund të vitit 2018 dhe nisi punë si zëvendëspresident për sigurinë në firmën e pasurive të paluajtshme Brookfield Properties, McGonigal filloi të punonte për Deripaska. Ai dhe ish-diplomati e lidhën oligarkun me një firmë ligjore amerikane, Kobre & Kim, në vitin 2019 për të ndihmuar në heqjen e sanksioneve.

Ata i referoheshin Deripaskës si “individi” ose “klienti i Vjenës” në komunikimet elektronike dhe McGonigal u takua me Deripaska e të tjerë në Londër dhe në Vjenë, thanë prokurorët.

McGonigal paguhej 25,000 dollarë në muaj nga firma ligjore për punën e lidhur me sanksionet, duke përdorur paratë e Deripaskës.

Në gusht 2021, Fokin thirri McGonigal dhe ish-diplomatin rus për një çështje të re: hetimin e një oligarku rival me të cilin Deripaska ishte përfshirë në një mosmarrëveshje biznesi. Dy burrat u paguan 218,000 dollarë, derisa agjentët e FBI-së konfiskuan pajisjet e tyre atë nëntor, thanë prokurorët.

Vitin e kaluar, prokurorët federalë në Nju Jork e akuzuan zotin Deripaska dhe të tjerë për mashtrime për t'iu shmangur sanksioneve duke u përfshirë në marrëveshje të pasurive të paluajtshme.

Në janar, agjentët e FBI-së takuan McGonigal në aeroportin Kennedy dhe e arrestuan atë teksa kthehej nga një udhëtim pune në Sri Lanka. Ai kishte humbur punën në firmën e pasurive të paluajtshme, por në muajt në vijim ai u bë një personazh i famshëm në Shqipëri, ku kundërshtarët e zotit Rama dhe mediat i referohen shkurt skandalit të tij në një mënyrë të veçantë.

Ata e quajnë “Çështja McGonigal”.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...