Faktet tregojnë se Ilir Beqja është i zhytur kokë e këmbë në aferën e koncensionit të sterilizimit, sipas një skeme korrupsioni që nuk e mohon dot më askush. Ishte Ilir Beqja që firmosi hapjen e procedurës për koncensionin 10-vjeçar të serilizimit. Ishte Ilir Beqja që firmosi systemin e pikëzimit, ku shpallet fituese kompania e Ilir Rrapajt, e krijuar dy muaj para se të hynte në garë dhe pa asnjë eksperiencë. Pasi kopsiti letrat, ishte Ilir Beqja që firmosi kontratën, që i jep miqve të tij mbi 100 milion euro.
SPAK e ka të vërtetuar se para dhe pasi firmosi kontratën, Ilir Beqja udhëtoi disa herë jashtë vendit me Ilir Rrjepajn dhe administratorin e “Sani service”, Admir Daca, të cilët ishin përfitues direkt nga koncensioni.
“Admir Daca, administrator i shoqërisë koncesionare “Sani Service” që prej datës 01.12.2015 që fitoi koncesionin objekt hetimi dhe shtetasi Ilir Beqaj me detyrë Ministër i Shëndetësisë në atë kohë kanë dalje nga pika kufitare e Rinasit në datën 25.09.2016 në orën 14:15 dhe 14:06. Po ashtu kontaktet dhe udhëtimet jashtë shtetit mes Umbro Staccini dhe Ilir Rrapaj me Ilir Beqaj dhe Klodian Rrjepaj kanë vazhduar edhe pas shpalljes fituese në procedurën e koncesionit, konkretisht kanë hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas në datën 23.05.2017, përkatësisht në orën 23:32 dhe 23:35 si dhe hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018 në orën 18:09 dhe 18:10”, ka zbuluar SPAK.
Po ashtu prokurorët kanë konstatuar se “shtetasi Ilir Rrapaj dilte jashtë vendit me makinën në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar nga shoferi i zëvendës ministrit të Shëndetësisë. Ky shtetas ka udhëtuar gjithashtu me Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja”.
Praktikisht, Beqja me grupin e biznesmenëve që fitoi sterilizimin e instrumentave mjekësorë kishin krijuar një marrëdhënie të ngushtë. Ndërsa shteti disbursonte milionat e eurove, këta bënin udhëtime të gjithë bashkë jashtë vendit.
E çuditshme është që pasi ka zbuluar këto lidhje të pamohueshme mes ministrit dhe biznesmenëve, prokurori i SPAK, Edvin Kondili ka preferuar të mos e ngacmojë Ilir Beqën. Ndërsa ka firmosur urdhër-arrestet për ish-zv.ministrin Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, prokurori nuk ka guxuar të bëjë të njëjtën gjë për shefin e tyre, Ilir Beqen.
Dokumentat tregojnë se u desh ndërhyrja e gjyqtarit Erion Bani që për Ilir Beqën të nisin hetimet, përndryshe prokurori as nuk do ta merrte në hetim, por do të pushonte çështjen për të. Por, kur pa se në dosje kishte prova të mjaftueshme që implikonin dy ish-ministrat Beqja dhe Cani, gjyqtari e ka kthyer dosjen mbrapsht duke i detyruar prokurorët të nisin hetimet edhe për ta.
Pra dryshe nga rastet e tjera, kur SPAK ka guxuar, duke bërë disa goditje të forta pranë njerëzve me pushtet, kësaj radhe, prokurori Edvin Kondili ka bërë një hap pas.
Rezistenca e Ramës për të mos e lëshuar Beqen
Kur flitet për Ilir Beqen duhet thënë se ky ndryshon nga të gjithë rrethi i ngushtë i bashkëpuntorëve të Ramës. Nëse për të tjerët, Rama mburret se i lëshon menjëherë në gojën e drejtësisë, për Beqen aktet dhe deklaratat e tij tregojnë të kundërtën.
Kur ka kuptuar se ambasadorët kërkonin ndëshkimin e ish ministrit të shëndetësisë, që ka firmosur disa koncensione korruptive, Rama e emëroi Ilir Beqen kryetar të Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik të Koordinimit të Ndihmës. Struktura u krijua enksa për menaxhimin e fondeve të huaja.
Dhe për t’i treguar ambasadorëve se Beqja ishte i paprekshëm, Rama e futi atë në një takim të përbashkët, pa e shënuar në axhendë praninë e tij. Por kur Ilir Beqja nisi të flasë, ambasadorja amerikane u çua në mënyrë demonstrative dhe u largua nga salla.
Nervozizmin se po i rrezikohej miku i tij i vjetër, kryeministri Rama e shfaqi edhe kur Ilir Beqja u thirr në SPAK dhe qëndroi për më shumë se 8 orë në një seancë marrjeje në pyetje.
Thirrjes së tij në prokurori i parapriu një sulm kundër prokurorëve të SPAK nga Edi Rama. Në Kongresin e Partisë Socialiste, kryeministri u ankua se “sharra e SPAK po ha vetëm nga ne” dhe se si “durimi i socialistëve po soset”. Përgjigjen e mori nga Yuri Kim, sipas së cilës “duhet që drejtuesit politikë në pushtet ose jo, të mos thonë drejtësia futi anën time në burg”.
Të nesërmen Rama u tha gazetarëve “mua nuk më jep leksione askush për ndërhyrje, as shqip, as anglisht, as frengjisht”.
Dihet tani se një konflikt i heshtur, por i ethshëm u konsumua mes kryeministrit Rama dhe ambasadores amerikane Yuri Kim, për emërimin e kreut të SPAK. I preferuari i ambasadës amerikane ishte Altin Dumani dhe Kim u detyrua të shkojë vetë në mbledhjen e KLP për t’u siguruar se ai do të zgjidhej.
Por kandidatura e eleminuar është ajo e Edvin Kondilit, që ishte prokurori i preferuar nga Edi Rama. është pikërisht prokurori që la jashtë hetimit Ilir Beqën dhe që u detyrua t’i bindet sugjerimit të gjyqtarit Erion Bani për nisjen e hetimit të Beqes.
Siç u pa, Rama nuk kishte asnjë ankesë për mosarrestimin e Ilir Beqajt. Përkundrazi, kryeministri e përgëzoi prokurorin e SPAK për punën e mirë që ka bërë. “Puna e pandërprerë e SPAK-ut dhe GjKKO edhe në gusht meriton respekt e falenderime” u shpreh kryeministri duke kujtuar edhe një herë se SPAK nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e tij.Miqësia mes Edi Ramës dhe Ilir Beqjas është e hershme. Në rini, të dy kanë luajtur për skuadrën e basketbollit të Dinamos. Beqja ishte prurje ekskluzive e Ramës në Partinë Socialiste, që vazhdoi më pas me zgjedhjen si deputet dhe katapultimin si ministër. Me pak fjalë, të dy njihen prej një jete.
Prokurori Kondili, i preferuari i Ramës për drejtimin e SPAK