SPAK zbardh skemën/ Beqja-Rrjepaj rritën me 56 mln euro faturën e Sterlizimit

E mërkurë, 23 August 2023 12:47

Deri më tani janë arrestuar ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj dhe biznesmeni kryesor i kompanisë koncesionare, Ilir Rrapaj. Ndërsa 6 zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë janë nën masa më të lehta sigurie.

Deri më tani, listës së personave të penalizuar i mungon “koka kryesore”, ish-ministri Ilir Beqja. Gjyqtari i masave të sigurimit, megjithëse tej parashikimeve proceduriale, i ka orientuar prokurorët e çështjes që të verifikojnë rolin e Beqjas. Prokurorët, nga ana e tyre, deklarojnë se kanë veçuar hetimin dhe po kryejnë veprime ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë.

Në foto: Ish-Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, duke dalë nga ambientet e SPAK

E gjithë historia nisi me një “gabim” në llogaritje. Komisioni i tenderit ka fryrë me 56 përqind koston koncesionare, duke e çuar në mënyrë abuzive në rreth 100 milionë euro.

 
 
 

Po, si ka funksionuar kjo skemë “e gabuar”? Në dosjen hetimore të SPAK-ut për 8 personat e penalizuar deri më tani, jepen detaje mbi këtë moment, mbi të cilin u ngrit një kontratë dhe koncesion abuziv e me kosto gjigande për financat e Shëndetësisë shqiptare.

“Lapsusi” 56 mln euro

Në mesin e vitit 2014, zyrtarët e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë artikuluan mes tyre për herë të parë idenë e dhënies me koncesion të shërbimit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT), si edhe për spitalet e tjerë rajonale të vendit.

Si çdo projekt i ngjashëm, fillimisht shqyrtohet raporti kosto-përfitim. Pra, më thjeshtë, sa kushton shërbimi dhe a është i përballueshëm financiarisht për të paguar një ose disa operatorë privatë.

Për të krijuar një ide mbi kostot e koncesionit të pritshëm, grupi i punës analizoi të dhënat e siguruara nga QSUT-ja, e cila do të përfitonte 50 përqind të të gjithë shërbimit të sterilizimit.

Logjika e shifrave u mbështet në matematikën e thjeshtë. Kalkulohej kostoja vjetore për sterlizimin e seteve kirurgjikale për QSUT-në dhe më tej shumëzohej me dy, meqenëse sasia e nevojshme e mjeteve ndahej 50 përqind për spitalin qendror të Tiranës dhe 50 përqind për të gjitha strukturat e tjera spitalore në rrethe.

Shifra e kostos vjetore shumëzohej për 10 vite, aq sa ishte parashikuar kohëzgjatja e koncesionit dhe dilte kostoja e plotë e kontratës së Sterilizimit.

Por, llogaria çaloi që në gjenezë. Në vendimin e gjykatës thuhet: “Pa kryerjen e analizës teknike dhe ekonomike financiare të saktë me elementët realë përbërës të tyre, është bërë arsyetimi i vendimit koncesionit/PPP, duke llogaritur në koston e shërbimeve të QSUT-së (si gjysma e kostos së këtij shërbimi për të gjithë Shqipërinë), vlerën 502, 233, 399 lekë, ku në këtë vlerë 283, 287, 369.55 lekë ose 56.4% e saj janë barna dhe materiale mjekësore që nuk janë pjesë e shërbimit. Të dhënat e pasqyrave financiare nuk janë përshkruar dhe analizuar në studimin e fizibilitetit. Pra në krahasuesin e sektorit publik është fryrë në mënyrë fikive kostoja e sterilizimit, në masën 56.4%.

Komisioni i Koncesionit iu referua kostove të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale që kishte përballuar QSUT-ja në vitin 2013, një vit para nisjes së procedurave koncesionare.

Sipas Komisionit, kostoja e QSUT-së për vitin 2013 ishte në vlerën 502.233.299 lekë të reja ose rreth 5 milionë euro.

Por, siç konstatohet nga SPAK-u, më shumë se gjysma e kësaj vlerë, e më konkretisht 56.4 përqind e çmimit, që i korrespondon shifrës 283.287.369 lekë të reja, janë barna dhe materiale mjekësore, të cilat nuk ishin pjesë e shërbimit të sterilizimit.

Mbi këtë premisë financiare “të gabuar”, është ngritur e gjithë procedura koncesionare, e cila arriti në shifrën 100 milionë euro për 10 vjet.

Për prokurorët e SPAK-ut, fatura financiare e koncesionit “është fryrë në mënyrë fiktive me 56.4 përqind”.

Kjo është një goditje shumë e fortë për buxhetin e alokuar për Shëndetësisë, pasi rreth 56 milionë euro shkojnë “dëm” dhe në xhepat e koncesionarit, për një shërbim që as nuk ofrohet dhe as nuk kryhet.

“Lapsuset” e tjera të kostos koncesionare

SPAK thotë se ka gjetur një seri shkeljesh të tjera në mënyrën e hartimit të dokumentave të tenderit dhe, sidomos ato që lidhen me përgatitjen e kostos koncesionare.

Sipas dosjes hetimore, në studimin e fizibilitetit, pra aktit bazë ku mbështetet kontrata koncesionare, ka mangësi të shumta.

Në kontratën koncesionare, të nënshkruar në Dhjetor 2015 nga ministri i Shëndetësisë së kohës, Ilir Beqja dhe administratori i kompanisë koncesionare “SaniService”, Admir Daca, janë parashikuar vlerat e seteve kirurgjikale, sipas nivelit të kompleksitetit.

Referuar kontratës, seti i pajisjeve për kompleksitet të lartë do të ofrohej nga koncesionari për një vlerë prej 37.700 lekë të reja; seti për kompleksitet të mesëm ndërhyrjesh kirurgjikale do të ofrohej për 22.300 lekë të reja dhe seti për kompleksitet të ulët do të ofrohej në vlerën 13.900 lekë të reja.

Në foto: Çmimet e seteve kirurgjikale, sipas kont\ratës koncesionare të Sterilizimit

Prokurorët thonë se, në studimin e fizibilitetit dhe planin financiar që i parapriu kontratës koncesionare “nuk ka analizë të hollësishme të kostos për secilin shërbim të këtij projekti”.

Sipas dosjes hetimore, “nuk është bërë inventarizimi dhe vlerësimi i instrumentave kirurgjikalë dhe pajisjeve të sterilizimit, për të nxjerrë më pas nevojat reale për plotësimin e nevojave ose zëvendësimin total të tyre”.

Mbi të gjitha, nuk rezulton të jetë bërë “analizimi teknik dhe financiar për vendosjen në punë të Repartit Qendror të Sterilizimit në QSUT, i cili ishte ndërtuar dhe i investuar totalisht me pajisje të reja”.

Sipas një Memo-je të datës 25 qershor 2014, që citohet në dosjen e SPAK-ut, ish-zv.ministri Klodjan Rrjepaj informon ministrin Ilir Beqja se “ky repart kishte kapacitet për ripërshtatjen e seteve kirurgjikale për 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale”.

Siç rezultoi më vonë, ky Repart special sterilizimi iu dha pa pagesë kompanisë koncesionare “SaniService”.

Të gjitha këto “harresa” e “lapsuse” të evidentuara në procedurat paraprake tenderuese, kanë fryrë me dyfishin e çmimit koston koncesionare, e cila llogaritet në 100 milionë euro, por që mund të shkojë edhe më shumë.

Login to post comments