Ish-ministrja e Jashtme është nën hetim nga prokuroria e Antikorrupsionit në lidhje me disa tendera kur ajo ishte ministre e Mbrojtjes, ndërkohë që edhe mandati i saj si deputete është drejt heqjes, për shkak të shpalljes si investitor strategjik të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi.
Xhaçka është nën hetim pas një kallëzimi të bërë më herët nga Artur Mecollari, i cili ka kallëzuar një sërë zyrtarësh të Ministrisë së Mbrojtjes, përfshi edhe ministren e Mbrojtjes të asaj kohe Olta Xhaçka me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Xhaçka akuzohet gjithashtu se kur ishte pjesë e qeverisë ‘Rama’ ka përfituar drejtpërdrejt të mira publike nëpërmjet vendimeve të Komitetit të Investimeve Strategjike në favor të kompanive në zotërim të bashkëshortit të saj, ish-deputetit socialist, Artan Gaçi dhe familjarëve të tjerë të ministres.
Kompania në pronësi të Artan Gaçit mori statusin ‘investitor strategjik' për ndërtimin e një hoteli me 5 yje dhe me kapacitet prej 106 suitash në Dhërmi, të quajtur ‘Dreamades Luxury Suites’ në 29 mars 2021.
Ndërsa më 2 mars 2022 vendimi i Këshillit të Ministrave i hapi rrugën e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit dhe plazhit përballë hotelit të tij kompanisë ‘AGTCC Hotel Management' që kishte lidhur marrëveshje me kompaninë e Gaçit.
Gaçi i tha BIRN më 3 mars se për të shmangur konfliktin e interesit, ‘kishte gjetur një kompani amerikane me përvojë për të menaxhuar investimin dhe plazhin'.
Kompania e re është në pronësi të Taëni Lin Grzych-Sutton, e cila është partnerja e Andi Xhaçkës, vëllait të ministres.