Në intervistë, kreu i qeverisë së Kosovës foli edhe për posedimin e provave që “disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet ishin të lidhur me grupin Wagner, madje disa prej tyre ishin anëtarë të grupit”.
Kurti tha se pak para intervistës për këtë medium, kishte pranuar një “letër me përmbajtje kërcënuese nga grupet terroriste” në lidhje me sekuestrimin e një sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni në veri të vendit nga Policia e Kosovës.Shefi i qeverisë më tej citohet të ketë thënë se anëtarët e grupit Wagner dhe Ujqërit e Natës, një klub rus i motoçiklistëve i njohur për lidhjen e tij të ngushtë me Kremlinin, kishin hyrë në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar.
Sipas Kurtit, këta persona kishin krijuar lidhje të ngushta me organizatat terroriste që veprojnë në rajon.
“Kemi dëshmi se disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet ishin të lidhur me grupin Wagner, madje disa prej tyre ishin anëtarë të grupit. Disa anëtarë të Wagner dhe Ujqërve të Natës (një klub rus i tërbuar motoçikletash i mbështetur nga Kremlini – red.) erdhën në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar dhe kanë lidhje të ngushta me dy organizatat terroriste. Dhe një organizatë terroriste po dërgon kërcënime me vdekje për mua dhe ministrin tim të brendshëm.” – deklaroi ai.
Më tej, Kurti foli edhe për stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes Rusisë dhe Serbisë dhe Gazpromit rus si dy faktorë që tregojnë lidhjet e ngushta ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.
Ai përmendi edhe votat ruse dhe serbe “kundër sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës” si dëshmi të afërsisë mes këtyre vendeve.
“Bashkëpunimi ushtarak midis Rusisë dhe Serbisë është rritur vitet e fundit. Vëllazëria Sllave dhe Mburoja Sllave (stërvitje të përbashkëta ushtarake midis Rusisë dhe Serbisë – red.) vlen të përmenden veçanërisht, si dhe lidhjet e ngushta të Beogradit me Gazpromin rus. Në seancat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Ukrainën, Serbia së bashku me Rusinë kanë votuar kundër sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës. Përveç kësaj, Serbia përgjon opozitarët rusë anti-Putin, për shembull ata ekstraduan Vladimir Kara-Murza (politikan i opozitës ruse – red.) në Moskë.” – tha Kurti.