"Sot ne nderojmë në 25-vjetorin e rënies, njërin prej figurave më të jashtëzakonshme të historisë tonë kombëtare, - tha Berisha në fjalën e tij. - Historia e kombeve, por edhe e individit, më shumë se nga çdo gjë tjetër, përcaktohet nga qëndrimi i tyre ndaj lirisë. Në këtë kontekst, Azem Hajdari, për ata të cilët kanë përjetuar diktaturën hoxhiste dhe Shqipërinë e viteve ’90, është simboli i Feniksit të shqiptarëve, që u ngrit nga hiri në zenitin e kohës.
Ishte një kryengritje e vërtetë paqësore. Ata mijëra e mijëra djem që lanë shtëpitë e tyre dhe u vërsulën mbi muret e ambasadave, bënë një akt heroizmi të vërtetë. Secili prej tyre mund të mbetej, siç mbetën disa, i ekzekutuar në muret e ambasadës.
Por ajo kryengritje që zgjoi shpresën e shqiptarëve, ajo kryengritje nuk solli përmbysjen e regjimit. Ramiz Alia do të ishte diktatori i vetëm që arriti të rivendosë Murin e Berlinit në Shqipëri.
Ata e përmbysën Murin e Berlinit më 2 Korrik. E bënë detyrën e tyre. Shoqëria shqiptare nuk bëri detyrën e vet. Nuk doli të mbushë rrugët dhe sheshet. I frikshëm ishte mjedisi i Tiranës.
Pra, dhjetori që pasoi 2 Korrikun, erdhi në një situatë të tillë politike, në të cilën regjimi kishte rivendosur plotfuqinë e tij.
Të ngrihesh në rrugë, në protestë në Tiranë, ishte jashtë imagjinate. Por Azem Hajdari u ngrit. U ngrit me bashkëpunëtorët e tij. U ngrit si i pamposhtur. U ngrit pa marrë parasysh asgjë."