Nëna e autorit të krimit, një zyrtare shumë e lartë e “Drejtësisë së Re”, jo vetëm që nuk dha dorëheqjen, por nuk gjeti aspak kohën që të kërkonte një ndjesë publike familjes së viktimës dhe opinionit publik.
Përkundrazi, me një cinizëm të pashoq, ajo u shfaq e patrazuar në mbledhjen e parë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë pas ngjarjes së rëndë, e cila u zhvillua të martën e kësaj jave (19 Shtator 2023).
Madje, Nurihan Seiti ishte tërësisht aktive, a thua se nuk kishte ndodhur asgjë, duke diskutuar plot zjarr për një Rregullore të KLP për raportet me median.
Anëtarja Seiti është kryetare e Komisionit tre-anëtarësh që ka hartuar projekt-rregulloren dhe e prezantoi atë para kolegëve të saj.
Në përfundim të diskutimeve, Seiti u bashkua me opinionin e disa anëtarëve të tjerë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që miratimi i kësaj Rregulloreje të shtyhet për një moment të dytë, pasi më parë ajo duhet diskutuar me grupet mediatike dhe gazetarëve.
Pra, Nurihan Seiti, e cila nuk dha asnjë koment para mediave mbi krimin e kryer nga djali i saj, kërkon takim me gazetarët për të diskutuar për…Rregulloren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Seiti, ashtu si anëtarët e tjerë të “qeverisë së prokurorëve”, u rikthye nga pushimet verore dhe nisën aktivitetin institucional aty ku e kishin lënë.
Në tavolinën e punës së 11 anëtarëve ishte, ndër të tjera, edhe Rregullorja për Marrëdhëniet me Median e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Projekt-akti është përgatitur nga një grup pune, e kryesuar nga Nurihan Seiti. Pasi e prezantoi këtë draft, ishte po ajo që deklaroi se ai duhet hequr nga rendi i ditës për votim, pasi e kishin lënë që ta diskutonin paraprakisht me median.
“E lëmë për një ditë tjetër”, tha ajo. Propozimi i anëtares Seiti u mbështet nga kryetari i KLP-së, Alfred Balla, i cili kërkoi organizimin e një takimi me median për diskutimin e projekt-Rregullores në një kohë sa më të shpejtë.
Në fakt, diskutimi për një projekt-rregullore ishte çështja e fundit që duhej të diskutohej nga Nurihan Seiti, e cila u shfaq për herë të parë publikisht pas ngjarjes tragjike, ku u përfshi i biri i saj.
Mesditën e 7 gushtit në Vlorë, Rei Meta, doganieri i pushtetit të Rilindur, biri i dy prindërve me punë të rëndësishme, babai drejtues në Kadastër dhe nëna në majë të sistemit të drejtësisë së re, grushton për vdekje 55-vjeçarin Armando Meshau, inxhinier në profesion dhe prej disa vitesh ndërtues. Nurihani rri e pret, Azizi po ashtu, i biri vrasës shfajësohet se “vetëm dy grushta i futa, nuk doja ta vrisja”.
Familja e të ndjerit kërkon drejtësi. Po në dorën e kujt është drejtësia? Nëna e Rei Metës, autorit të krimit, është Nurihan Seiti (Meta), anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Është personi që me votën e saj emëron prokurorë, zgjedh kreun e SPAK, apo i jep mundësi që të katër anëtarëve juridiksa të “Familjes Felaj” të punojnë në një prokurori.
Nurihani e kapi atë “vend pëllumbash” në mënyrë mjaft të dyshimtë, pasi para viteve 90’ ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë, madje kur sistemi komunist ishte në degradim dhe në prag të humnerës, ajo dënon një të ri nga Fieri për “agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit Popullor”, pasi sipas saj: “ai mendonte keq për udhëheqësin e kohës Ramiz Alia”.
Me këtë CV kaq të pasur mban ende detyrën e lartë. E mban edhe pasi i biri, doganier zyrtarisht dhe sekser praktikisht, vrau një inxhinier pasi kërkonte t’i falte një apartament për sekserllëqet e tij.