“Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm në Uashington për çështjen McGonigal. Së pari, Kongresi ka ushtruar autoritetin e tij juridik dhe i ka kërkuar FBI-së përgjigjen për çështjen McGonigal. Po ky komision, i kryesuar nga kongresmeni Jim Jordan, i ka bërë kërkesë FBI-së në shkurt të këtij viti dhe nuk ka marrë përgjigje.
Gazetari i njohur amerikan, John Schindler, që e ka ndjekur nga afër aferën McGonigal me shkrimet e tij në gazetën ‘Washington Examiner’, tha për gazetaren Armela Ferko në SYRI TV se ky skandal ka hyrë në fazën më të rëndë.
“Tani skandali McGonigal ka hyrë në një fazë më të rëndë dhe më serioze se ç’ka qenë më parë. Në aspektin juridik, FBI dhe Departamenti i Drejtësisë nuk mund të mos i binden Kongresit. Por ato mund të japin informacion të cunguar për shkak të sekretit shtetëror apo qeveritar. Këtë mendoj se do bëjë FBI, do japë copëza informacioni, nuk do japë informacion të plotë. Deri tani nuk është arritur akoma marrëveshja e fajësisë për dosjen shqiptare.
Qeveria e SHBA dhe Departamenti i Drejtësisë kërkojnë që informacioni të mos bëhet publik. Ka pasur shumë akuza në të cilat janë të përfshirë politikanët shqiptarë, kryeministri Rama, anëtarë të PS dhe të cilët e kanë përdorur McGonigal për të frikësuar politikanët e tjerë apo biznesmenët shqiptarë.
Nëse një pjesë e këtyre janë të vërteta, kemi të bëjmë me një skandal të vërtetë, megjithëse Shqipëria është një aleat i ngushtë në NATO i SHBA. Disa prej bisedave të McGonigal në Shqipëri tregojnë se ai ka takuar politikanë të rëndësishëm dhe duket se këto i ka kryer në kuadër të veprimtarisë brenda FBI-së. Nëse dikush në FBI e di se çfarë ka bërë në Shqipëri, duhet të japë llogari,” tha Schindler.
“Mendoj se nëse FBI nuk kthen përgjigje letrës së kongresmenit deri më 3 tetor, Kongresi do të lëshojë një ultimatum duke kërkuar që FBI të japë informacion të plotë. Patjetër që do bëhet një ngjarje skandaloze në SHBA. Skandali McGonigal i administratës Biden është diskutuar gjerësisht për të parë se deri ku është e përfshirë FBI në korrupsion serioz. Patjetër kjo histori do bëhet me përmasa të mëdha. Kjo gjë është në qendër të medias amerikane pasi është i përfshirë edhe një oligark rus që ka pasur lidhje të ngushta me qeverinë e Moskës. Mendoj se gjërat do ndryshojnë edhe në lidhje me Shqipërinë, duke qenë se kongresmeni Jordan i është referuar konkretisht pjesës shqiptare,” theksoi gazetari amerikan.
“Nëse del se McGonigal po merrte ryshfet për të hequr shqiptarët apo rusë nga lista e zezë, kjo krijon shumë pikëpyetje: si është e mundur një zyrtar i lartë i FBI-së kishte mundësinë të ndërhynte në një listë të tillë dhe t’i hiqte nga lista e sanksioneve? Patjetër nuk ishte brenda kompetencave të tij, atëherë me kë ka bashkëpunuar brenda qeverisë amerikane për t’i hequr njerëzit nga kjo listë e zezë apo po gënjente për të mbledhur fonde për vete? FBI nuk do që kjo të shpërfaqet sepse do i prishet vërtetë reputacioni. Deri tani e dimë se McGonigal mund të ketë pasur bashkëpunëtorë brenda Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së për të hequr persona nga lista e zezë, por nuk e dimë se kë.
Së shpejti do të dalë edhe një datë e gjyqit për çështjen shqiptare të skandalit. Letra e Jordan për drejtorin e FBI nuk është një koincidencë sepse kongresmeni kërkon që të bëhet një monitorim i marrëveshjes për pranimin e fajësisë. Pra McGonigal dhe FBI duhet t’i tregojnë konkretisht Kongresit përpara se të pranohet marrëveshja e fajësisë apo pafajësisë. Marrëveshjet e pranimit të fajësisë duhet të shqyrtohen nga një gjykatës i caktuar dhe tani kongresmeni është përpjekur të nxjerrë në vëmendjen e të gjithë publikut dhe të FBI-së se Kongresi është duke monitoruar nga afër këtë marrëveshje.
Varet se deri ku do të shkojë hetimi i Kongresit, por është e turpshme për SHBA nëse qeveria Rama ka qenë e përfshirë në këtë korrupsion ashtu siç mendohet të jetë. Sepse Shqipëria është aleat i SHBA dhe do të ishte skandal për të gjitha palët. Realiteti tregon se nëse Kongresi fillon të bëjë pyetje se ku janë paratë shqiptarë, ç’para merrte McGonigal, si u përfshi McGonigal me qeverinë Rama, si ndodhi kjo, të gjitha këto pyetje duhet t’i bëjë Kongresi që të marrë përgjigje,” deklaroi gazetari amerikan.