Synimet e Emri Vatës për t'i dhënë Kukësit, rentën minerale, rentën hidro dhe rininë

Premte, 22 September 2023 15:51
 
 

"Kuksianet kërkojnë një shpagim, një rivendosje të dinjiteti të tyre."

"Do të ushtrojmë të gjitha kompetencat ligjore që kemi për të marrë rentën minerare siç i takon pushtetit vendor. 

"Do të propozojmë një ligj për rentën hidro se është i vetmi vend në botë ku kemi një qytet të mbytur, një projekt ku merr energji e gjithë Shqipëria, ku të dëmtuarit nuk marrin asnjë qera, pra rentën."
 
"Do të kërkojmë zbutjen apo heqjen fare të taksës së Rrugës së Kombit."
 
"E nëse kthejmë vëmendjen nga rinia, për t’i vënë në lëvizje, për t’i vënë në punë... do të ndalojmë sado pak, shpopullimin."

Intervistë me z. Emri Vata, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë” për kreun e bashkisë së Kukësit.  Z. Vata ishte i ftuar sot në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në SYRI TV. Ai do të përballet në zgjedhjet e pjesshme vendore të Kukësit të dielën, më 24 shtator, me kandidatin e PS, Albert Halilajn.

Emri Vata ka renditur me hollësi ndër të tjera, se cilat janë projektet e tij dhe të koalicionit që ai përfaqëson për zhvillimin ekonomik të bashkisë më të varfër të vendit, Kukësit. 

Kafe Shqeto: Z. Vata, jemi vetëm dy ditë larg procesit të zgjedhjeve. Cilat janë pritshmëritë tuaja, si po shkoni në këtë proces?

Emri Vata: Është e vërtetë, kanë ngelur vetëm dy ditë drejt zgjedhjeve, drejt kutive të votimit nga ana e qytetarëve. Ata do t’i drejtohen kutive për të shprehur vullnetin e tyre dhe jam i bindur se do ta shprehin shumë drejt, do të shprehen djathtas e do t’i kthejnë dinjitetin Kukësit.

Kafe Shqeto: Ndërkohë, çfarë keni parë gjatë kësaj fushate që ju ka bërë përshtypje?

Emri Vata: Kjo është një fushatë e jashtëzakonshme, një fushatë në kushte të jashtëzakonshme, shumë e shkurtër dhe unë iu kërkoj ndjesë të gjithë qytetarëve, asaj pjese të qytetarëve që nuk arrita ta takoj dot, të bashkëbisedoj me secilin prej tyre, sepse koha ishte shumë e shkurtër, por në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, në qendra komunash, bashkësi, unë kam kontaktuar me ta, unë kam shkuar tek ata, kam shkelur thuajse të gjithë territorin e bashkisë së Kukësit, si në zonat rurale, ashtu edhe në qytet.

Ajo çfarë kam vënë re në këto takime këto ditë ka qenë varfëria që ka kapluar këtë bashki, këtë komunitet, kushtet mjerane në të cilat jetojnë në zonat rurale banorët e Kukësit, banorët e njësive administrative. Infrastruktura lë për të dëshiruar në mënyrën më të keqe të mundshme si edhe pabarazia e dhënies së shërbimeve në kërkim të votës. Ka një pabarazi në dhënien e shërbimeve qytetarëve vetëm e vetëm për efekt të ngjyrimit politik. Këto janë ato që unë kam vërejtur te qytetarët. Nga ana tjetër kam parë me shumë kënaqësi një dëshirë, një vullnet të gjithsecilit, që e presin me padurim ditën e zgjedhjeve, që të shkojnë dhe të shprehin vullnetin e tyre, që të shkojnë ngrenë të rikthejnë dinjitetin e tyre si qytetarë kuksiane.

Kafe Shqeto: Kam një kureshtje për kundërshtarin tuaj politik. PS vjen nga një episod absolutisht i neveritshëm për këdo, aq më tepër një shoqëri si ajo kuksiane, e cila është akoma më e lidhur me traditën, me vlerat njerëzore. Çfarë impakti ka pasur e shkuara shumë e afërt dhe shumë e freskët e mazhorancës, mbi të gjitha çfarë ka efekti ka pasur Safet Gjici në strukturën e mazhorancës?

Emri Vata: Ajo që dua të them është se skandali që ka ndodhur është shumë i freskët dhe Kukësi dy gjëra i ka shumë të shenjta, dinjitetin dhe votën. Normalisht, kjo u masakrua në maj të këtij viti. Vota u vodh, u ble, u përdor si plaçkë, u përdor për treg dhe nga ana tjetër pak kohë më vonë u shkel edhe dinjiteti, për të cilin kuksianet kërkojnë një shpagim, një rivendosje të dinjiteti të tyre. Kukësi ka qenë një qendër e mikpritjes, e bujarisë, e dinjitetit, e të gjitha vlerave të mira, e të gjitha virtyteve njerëzore, por sot Kukësi është i plagosur dhe kuksianët janë të përçudnuar, janë të përdhosur vetëm e vetëm nga pushteti, nga pushteti qendror dhe së fundi nga pushteti lokal. Kuksianet do të dinë të shprehen më datë 24 shtator.

Kafe Shqeto: Z. Vata, më herët u shprehët se disa nga problematikat nga të cilat vuan Kukësi janë varfëria, infrastruktura, pabarazia në shërbime. Çfarë do të bëni ju për t’i minimizuar këto probleme?

Emri Vata: Unë dhe ne si administratë në krye të bashkisë nesër, për katër vjet, kemi një program të qeverisjes të mirëmenduar dhe të detajuar ku vendet kryesore i zë infrastruktura, punësimi, arsimi, rinia, shoqëria civile, transparenca, agro-turizmi që është shumë i rëndësishëm, bujqësia, blegtoria; këto janë sektorë shumë të rëndësishëm; bimët medicinale në territorin e Kukësit, ku ka shumë zona ku mblidhen bimë medicianale dhe bëhet përpunimi i tyre.

Renta minerare do të jetë një kërkesë nga ana jonë; do të ushtrojmë të gjitha kompetencat ligjore që kemi për të marrë rentën minerare siç i takon pushtetit vendor. Nga ana tjetër do të propozojmë një ligj për rentën hidro se është i vetmi vend në botë ku kemi një qytet të humbur, një qytet të mbytur me hektarë tokë pa fund të mbytura në liqen, një projekt ku merr energji e gjithë Shqipëria por nga ana tjetër pjesa përreth ose të dëmtuarit nuk marrin asnjë qera, pra rentën.

Do të ushtrojmë të gjitha kompetencat tona, të gjitha mundësitë tona që të kërkojmë heqjen ose të kemi të gjitha mundësitë që të ligjërojmë zbutjen apo heqjen fare të takës së Rrugës së Kombit.Janë të gjitha këto gjëra që ne do t’i kemi përparësi.

Sa i përket rritjes, zhvillimit ekonomik, kemi prioritet të madh qoftë tek infrastruktura e brendshme e rrugëve rurale ku lidhen lagjet brenda fshatrave apo fshati me qytetin apo rrugica e rrugët brenda qytetit, të cilat kanë nevojë dhe do të mundohemi t’i rikonstruktojmë, t’i mirëmbajmëe.

Patjetër do të jetë edhe punësimi një shtyllë tjetër kryesore. Punësimi në sektorin privat sjell rritje të mirëqenies ekonomike të familjes, rritje të mirëqenies ekonomike të komplet komunitetit ku jetojmë se punësimi nuk është vetëm në administratën publike. Për punësimin në administratën publike ne kemi një nocion tjetër, kemi një mendim tjetër ndryshe, që do të jetë vetëm me anë të meritokracisë. Specialistët nuk mund të lëvizin nga puna, kurse për rritje ekonomike është hapja e vendeve të punës në sektorin privat duke shtruar infrastrukturën ligjore të zbutur dhe klimën e biznesit duke ulur taksat, duke thithur investime sado të vogla qofshin, por ato hapin vende pune.

Një shtyllë kryesore e programit tonë është rinia. Nëse kthejmë sytë nga rinia, nëse ne kthejmë vëmendjen nga rinia për t’i vënë në lëvizje, për t’i vënë në punë, për t’i dëgjuar ata, për të marrë mendimet e tyre, ne do të ndalojmë sadopak shpopullimin.

Nga ana tjetër rinia duhet të aktivizohet në të gjithë shoqërinë e Kukësit. Ajo do të jetë e ardhmja e familjeve tona. Në këtë mënyrë ne do të kufizojmë apo do të ndalojmë sadopak shpopullimin, i cili është një plagë shumë e rëndë për Kukësin.

Login to post comments