Kur dy prokurorët e SPAK, Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili dërguan në gjykatë dosjen për koncensionin e sterilizmit, puna e tyre u kthye mbrapsht nga gjykatësi Erion Bano.
Gjyqtarit nuk i shpëtoi fakti se prokurorët kishin lënë jashtë hetimit ish-Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn, edhe pse ky kishte pasur një rol thelbësor në procedurat e koncensionit 100 milion euro.
Pikërisht për këtë dosje, shefi i SPAK-ut Altin Dumani ka folur me gazetarët në takimin e fundit që pati me ta, duke dashur ta “pastrojë” veten nga hetimi, që ngre dyshime të forta për integritetin e vartësve të tij.
Siç raporton, gazetari Elton Qyno, në dosjen hetimore për sterilizmin ishin edhe shënimet e shefit të SPAK, Altin Dumanit, i cili sinjalizonte gjykatësin për hetimin e Ilir Beqajt.
“…me aq hapësira që më lejon ligji, unë si drejtues institucioni kam dhënë mendimin tim ligjor mbi orientimin e hetimeve për nxjerrjen e përgjegjësisë penale të Ilir Beqajt…”-u ka thënë Dumani gazetarëve në takimin off record që pati me ta.
Vetë Dumani është i kufizuar në ndërhyrjet që mund të bëjë në dosjet hetimore të vartësve të tij në SPAK. Reforma në drejtësi i jep prokurorit të çështjes pavarësi të plotë në hetime. Ligji e specifikon se shefi i SPAK nuk i jep dot udhëzime prokurorit lidhur me thelbin e hetimit.
Ndaj me shpresë se gjykatësi do t’i japë të drejtë, Dumani ka shtuar në dosje mendimin e tij, duke nxjerrë bllof dy prokurorët.
Dhe kështu ndodhi. Gjykatësi i Gjykatës së Posaçme, pasi shqyrtoi provat vendosi se hetimet ishin të paplota dhe ndjekja penale duhet të zgjerohej edhe ndaj ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Ai çmoi se dy prokurorët e çështjes, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi kishin indicie të mjaftueshme për të hetuar për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
“Nga ana e prokurorisë duhet të bëhet një hetim i plotë dhe i gjithanshëm në këtë drejtim, fakt i cili nuk rezulton nga fashikulli hetimor,” arsyetoi gjyqtari Bani ndërsa sugjeroi se “për këtë nevojitet hetim pasuror”.
Përplasja e Dumanit me një prej prokurorëve të SPAK, Edvin Kondilit pason rivalitetin mes tyre për drejtimin e SPAK-ut. Të dy ishin kandidatë për drejtimin e institucionit disa muaj më parë dhe atëherë u raportua se Kondili kishte mbështetjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa Dumani kishte mbështetjen e ambasadës amerikane.
Në fakt, u desh këmbëngulja aspak diplomatike e ambasadores amerikane, Juri Kim, që Edvin Kondili të mos zgjidhej në krye të SPAK nga trupa e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Implikimi i Ilir Beqajt ne dosjen e sterilizimit
Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj firmosi hapjen e procedurës për koncensionin e sterilizimit të instrumentave kirurgjikale, ai firmosi renditjen e pikëve të kompanive që morën pjesë në garë duke shpallur fitues mikun e tij Ilir Rrapajn dhe në fund, nënshkroi kontratën që i jepte 100 milion euro kompanisë private.
Ndër provat më të rëndësishme që zbulojnë marrëdhënien e Ilir Beqajt me përfituesit e parave të sterilizimit janë udhëtimet e përbashkëta jashtë vendit. Ato janë bërë që nga viti 2013, kur Beqaj sapo ishte emëruar ministër shëndetësie.
Në foton më lart janë dy të arrestuarit për PPP e sterilizimit, Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj, bashkë me ish ministrin Ilir Beqaj, në një vizitë në Periuxha në vitin 2013.
Udhëtimet kanë vazhduar të paktën deri në vitin 2018, pra 5 vite më pas, ndërsa shteti disbursonte miliona euro për sterilizimin.
Sipas dosjes së SPAK, udhëtimet jashtë vendit të Ilir Beqes janë disa, si me Admir Dacën personin që firmosi kontratën në emër të kompanisë private, ashtu edhe me biznesmenin Ilir Rrapaj, që me 1 mijë euro kapital arriti të “fusë në xhep” pjesën e luanit në 100 milion euro PPP.
“Admir Daca, administrator i shoqërisë koncesionare “Sani Service” që prej datës 01.12.2015 që fitoi koncesionin objekt hetimi dhe shtetasi Ilir Beqaj me detyrë Ministër i Shëndetësisë në atë kohë kanë dalje nga pika kufitare e Rinasit në datën 25.09.2016 në orën 14:15 dhe 14:06. Po ashtu kontaktet dhe udhëtimet jashtë shtetit mes Umbro Staccini dhe Ilir Rrapaj me Ilir Beqaj dhe Klodian Rrjepaj kanë vazhduar edhe pas shpalljes fituese në procedurën e koncesionit, konkretisht kanë hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas në datën 23.05.2017, përkatësisht në orën 23:32 dhe 23:35 si dhe hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018 në orën 18:09 dhe 18:10”, ka zbuluar SPAK.
Një tjetër detaj që tregon për një marrëdhënie të ngushtë mes Beqes dhe biznesmenëve ishte lënia në përdorim e makinës së ministrit, ku dhëtonte biznesmeni Rrapaj dhe zv.ministri Klodian Rrjepaj.
Në dosjen e prokurorisë po ashtu, është gjetur se “shtetasi Ilir Rrapaj dilte jashtë vendit me makinën në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar nga shoferi i zëvendës ministrit të Shëndetësisë. Ky shtetas ka udhëtuar gjithashtu me Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja”.
Por Beqaj ka një shpjegim krejt tjetër për udhëtimet e përbashkëta me biznesmenët që përfituan paratë e PPP. Sipas tij është normale të ndodhin udhëtime të tilla.
“I njoh të dy. I kam njohur pasi jam bërë ministër dhe në zbatim të detyrës sime si ministër. Nuk kam zhvilluar ndonjë miqësi të veçantë. Gjatë kohës si ministër kam takuar e jam njohur me siparmarrës të ndryshëm, të huaj dhe shqiptarë, dhe për nevoja pune kam fimosur kontrata me ta.
Të udhëtosh Tiranë – Romë apo Romë – Tiranë si dhe Tiranë – Vjenë apo Vjenë Tiranë është gjëja më normale nëse do të udhëtosh nga Tirana për në Europë apo për në botë. Këto janë rrugët ajrore të Shqipërisë (në atë kohë nuk ishte ëizzair). Mund të qëlloj që në ato fluturime të jenë miq, shokë, kontraktorë, bashkëpunëtorë etj. Vetëm pse je në atë fluturim kjo nuk besoj se është indicia për fajësi.
Në shtator 2016 është e vërtetë se kam udhëtuar për në Vjenë. Sipas hetimit paska qënë edhe Admir Daca. Mundet. E ka njohur vetëm ditën që kam firmosur kontratën. Unë vetë kam fluturar për në Vjenë për një vizitë pune në ANEA (Agjencia e Energjisë Atomike e Kombeve të Bashkuara). Bëni një këkrim “ilir beqaj në ANEA” në Google dhe ju del lajmi i asaj vizite. Pse kam qënë dhe me kë kam qënë. Por po e ripostoj. Në maj 2017 nuk kam udhëtuar jashtë shtetit sepse kam qënë në qarkun e Dibrës në fushatë elektorale” shkruan Ilir Beqja, në sqarimin e tij.
Rrjepaj dhe Rrapaj janë në burg. Ish zv.ministri do të përballet me akuzat e “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj për “mashtrim me pasoja të rënda”. 6 ish-zyrtarë të tjerë që kanë firmosur për PPP po hetohen në gjendje të lirë.