Ata njëzëri janë mbledhur para dekanatit të Universitet të Mjekësisë, ku në shenjë proteste për ligjin e ri të miratuar për punën e detyruar që duhet të bëjnë brenda vendit, ata kanë bojkotuar mësimin.
“Ne nuk kemi ende një kontratë, dhe ende nuk ka dalë kostoja. Nuk po i gjykojmë të drejtë që të nënshkruajmë këtë kontratë. S’do i shërbente sistemit shëndetësor në vend. Largimi i bluzave të bardha është një problem edhe i vendeve të tjera, por në Shqipëria e ka më të evidentuar. Ne jemi ndër vendet që paguajmë vetëm gjysmën e specializantëve. Ne keqpaguhemi, korrupsioni po ashtu, ngelen ndër problemet që detyrojnë mjekët e rinj të ikin. Duhet të ulemi në një tryezë të gjerë, që të flasim dhe të diskutojmë për kërkesat tona. Do të vazhdojmë bojkotin deri sa të kemi një reagim. Me bojkotin dhe protestat, po bëjmë përpjekje që ta çojmë ligjin në Gjykatën Kushtetuese, do të bëjmë padi. Ne kërkojmë që të shfuqizohet ligji për detyrimin e studentëve të mjekësisë për kontratat e punës”, tha studenti.
Ndërkohë që alternativa e dytë që u paraqitet studentëve që janë aktualisht në sistem, pra nëse nuk do duan që pas diplomimit të qëndrojnë për dy apo tre vite në Shqipëri, ata do të paguajnë koston e plotë të studimeve por për vitet që kanë mbetur. Ndërkohë, që nuk ka një vendim të institucioneve në lidhje me pagesën që do të duhet të paguajnë studentët nëse nuk do ta firmosin marrëveshjen.