“Ju ndryshe u flisni ndërkombëtarëve, ndryshe popullit tuaj”. Ishte kjo batuta e gazetares veterane të CNN, Christiane Amanpour gjatë intervistës që zhvilloi të hënën me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç që shkaktoi irritimin e këtij të fundit.
Televizioni serb N1, një nga të paktët që kritikojnë qeverinë e Aleksandër Vuçiç në këtë vend ka bërë një krahasim të deklaratave të fundit të kreut të shtetit për çështjen e Kosovës dhe sulmit në Banjskë. Sipas analizës së publikuar, Vuçiç i parapriu veprimit të prokurorisë për të ndaluar Milan Radoiçiç.
Sipas N1, Vuçiç ndryshe foli në CNN dhe ndryshe në një intervistë që dha të martën për televizionin serb Happy Tv. Nëse intervista në CNN ishte e tensionuar dhe jo aq specifike, ndryshe ka ndodhur me gazetarin serb Milomir Mariqin ku Vuçiç ka qenë i relaksuar.
“Ne nuk kemi nevojë për luftëra dhe konflikte me NATO-n, përkundrazi, ne duam të kemi një prani më të madhe të KFOR-it, veçanërisht në veri të Kosovës”,– tha Vuçiç për CNN.
Pas kësaj, ai foli ndryshe për TV serb ku tha se kur “i ashtuquajturi komunitet ndërkombëtar” lejon “vazhdimin e terrorit”, njerëzit “do të fillojnë të paketojnë gjërat në kamionë, traktorë dhe autobusë”.
Publiku i huaj mori mesazhin se Prokuroria e Serbisë do ta bënte punën e saj, ndërsa publikut vendas iu servir teoria e famshme: “pra duhej të shpërthejë diku”.
“Serbia sigurisht që do të kërkojë llogari nga të gjithë personat që kanë kryer vepra kriminale dhe janë në territorin tonë. Radioicic është në dispozicion edhe është në territorin tonë ku prokuroria do të bëjë punën e saj”, – tha presidenti i Serbisë për Amanpour.
Ndërsa gazetarit serb i foli ndryshe: “Problemi i vetëm është se unë nuk dua të marr pjesë në ndjekjen kundër djemve serbë. Ata nuk e kanë bërë këtë sepse janë të këqij dhe sepse janë terroristë, por sepse janë të detyruar”.
N1 ka krahasuar edhe deklaratat e Vuçiç për Novak Gjokoviç që shkroi se “Kosova është zemra e Serbisë”.
“Unë besoj se Novak Gjokoviç e ka thënë nga zemra, 99% e njerëzve në Serbi besojnë në të dhe ne politikanët duhet të jemi pragmatikë dhe racionalë, që do të thotë se duhet të gjejmë zgjidhje përmes negociatave”, – tha Vuçiq në CNN.
Ndërsa në televizionin serb ndryshon muzika madje duke relativizuar vrasjen e policit shqiptar Afrim Bunjaku. “Ata policët u urdhëruan të shkonin dhe hiqnin barrikadën që të kalonin më lehtë nëpër shtëpi. Nuk pretendoj se kam 100% të drejtë, por ai (polici) ka hasur në një eksploziv. Një tjetër është plagosur. Ka qenë dhe një i tretë dhe kështu ka nisur gjithçka”.
Gazetari serb zbuloi edhe një batutë të Vuçiç që i kishte thënë se “kishte humbur 2 kg në intervistën me CNN për shkak të stresit”. Megjithatë N1 shkruan se Vuçiç nuk u ka dhënë përgjigje ende shumë pyetjeve për këtë temë, ndër të tjera, se si grupi i Milan Radoiçiqit ka hyrë në Kosovë dhe si është tërhequr prej andej.